Nga Berat Luzha
Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXIX)
Çdo udhëtari që merr Rrugën e Kombit i bie në sy, në një kodër të lartë, qyteza e Repsit. Qyteza e vogël e Repsit ndodhet në rrethin e Mirditës, në rrjedhën e mesme të lumit Fan i Vogël dhe mbi një kodër mbi Rrugën e Kombit. Ndodhet rreth 22 km nga Rrësheni, në një zonë të thellë malore minerare, ku mungojnë rrugët dhe ku prore shtohet varfëria e braktiset qyteti.
Në dy anët e Rrugës së Kombit, në territorin e qytezës së Repsit, janë ndërtuar dy pika për pushimin e udhëtarëve që përbëhen nga pikat e karburantit, restorantet me kafene dhe shitoret e mëdha.
Si vendbanim i hershëm Repsi përmendet në një dokument të vitit 1672, kur në Reps ishte mbajtur një kuvend i krerëve të Mirditës. Thuhet se banorët e fisit Pirust ishin përpunues të mirë të bakrit.
Qyteti i Repsit ka lindur dhe është zhvilluar në vitet 60-ta nga hapja e minierave dhe ndërtimi i dy fabrikave, njëra pas tjetrës, për pasurimin e bakrit. Nga kalon sot Rruga e Kombit dikur ndodhej Fabrika e pasurimit të bakrit. Kjo fabrikë përpunonte xehen që sillej nga minierat e Spaçit, Gurthit e Majës së Madhe. Mirëpo, fabrikat dhe minierat dolën jashtë prodhimit në vitet 90-ta, duke u braktisur e shkatërruar barbarisht. Objektet u shkatërruan, u vodhën tërë makineria, pompat, vinçat, rripat e transmisionit dhe çdo gjë që vlente. Ndërsa minierat janë shembur e mineralet janë groposur nën dhe. Janë zhdukur krejtësisht edhe qendrat e punëtorëve, qendra e gjeologëve, ndërsa ngadalë po shuhet edhe qyteti i Repsit. Punëtorët mbetën pa punë, ata po plaken e po vdesin dhe bashkë me plakjen e vdekjen e tyre po plaket e po vdes edhe qyteti. Veçse Rruga e Kombit, e ndërtuar në afërsi të qytezës, sikur ua ka shtuar pak shpresat banorëve për një jetë më të mirë e më të lehtë.
Në vitin 1923 Repsi ishte qendër e nënprefekturës së Mirditës. Sot është qendër e njësisë administrative të Oroshit, në bashkinë dhe rrethin e Mirditës. Në këtë njësi ka rreth 1300 familje, por dita ditës banorët po shpërngulen në vende tjera dhe jashtë vendit. Shumica dërmuese e familjeve mbijetojnë vetëm nga përkrahja sociale.
Në Reps dikur banonin minatorët e minierave dhe punëtorët dhe kuadrot e fabrikës së bakrit, të ardhur nga shumë anë të vendit, për të cilët ishin ndërtuar shumë pallate banimi. Repsi dikur kishte shkollë të mesme, kinema, kopsht dhe çerdhe fëmijësh, qendër shëndetësore, librari etj.
Mund të thuhet se Repsi paraqet edhe një atraksion turistik, shumë interesante për ta vizituar. Pozita gjeografike, afërsia me Rrugën e Kombit dhe me lumin Fan i Vogël, si dhe natyra e paprekur janë parakushte për zhvillimin e turizmit mjedisor e fshatar.