Nga Mustafë Krasniqi:
Romani “Trëndafili i Bardhë” i autorit Hungarez, Jokai Mor, është një roman i pasur me të gjitha e elementet e duhura, që mban në vete, përpos artit të së shkruarit, dhe at të historisë së periudhës së Perandorisë Osmane. Jokai Mor, jo vetëm që ishte poet, romancier dhe krijues i së bukurës, po ishte dhe pjesëmarrës i revolucionit të vitit 1848, nën udhëheqjen e ideologut Hungarez, Llajosh Kushuti, si dhe mik e bashkëkohës i shkrimtarit të madh Shandor Petëfit.
Megjithatë, te romani “Trëndafili i Bardhë” i Jokait, gjejmë një përkushtim të veçantë, në ndërtimin dhe shtjellimin e temës, ku perkë në thelb të ndjeshmen dhe përmes saj vë në pah deformimet shoqërore të kohës së Perandorisë Osmane. Mbase në anën tjetër paraqet luftën e klasave dhe përpjekjet e kryengritësve nën udhëheqjen e Halil Patronës. Përpjekje e vegjëlisë për një drejtësi dhe jo shtypje të shtresave çfarë dhe përjetonte shoqëria e kohës.
Jokai, një mjeshtër i rrallë i fjalës artistike, poet dhe romancier i përkushtuar dhe i dhënë pas vlerës, i qëndroi besnik idesë në thelb, duke zbërthyer në çdo element akumulimin e tepruar të dallimeve shoqërore dhe situatave të ndryshme që përjetonte shoqëria. Këto dallime, autori i zbërthen realisht përmes figurës qendrore të romanit historik, Halil Patronës ku edhe vë në shesh kundërthëniet e pozitave shoqërore nën diktaturën e Perandorisë Osmane
Jokai në romanin e tij “Trëndafili i Bardhë” e ka përjetësuar fuqinë e tij krijuese duke e ruajtur në thelb temën dhe formën e të shkruarit, dhe duke i dhënë një ngjyrim e muzikalitet krijimtarisë së tij artistik, historiko-letrare. Ndërsa e veçanta e romanit është ndarja në 13-të kapituj, ku përmes etikës dhe estetikës letrare përçon te secili kapitull porosinë e çartë dhe të kapshme për lexuesin, e veçmas duke i dhënë nuanca sqaruese nëpër vija të kapshme të vargut të tij, sidomos në ato përmasa logjike, e aq më tepër dhe duke u mbështetur thjesht në fuqinë e botës reale.
Jetiku, Stuhia e zemërimit dhe Vendi i mbetur bosh
Autori i librit, në kapitullin e parë, Jetiku, jo rastësisht na paraqitet figurativisht me këtë titull, kurse në esencë të brendësisë së saj paraqet skena të dukshme e realiste, sa të dhimbshme aq triumfues, sa pozitive aq më shumë negative, ku edhe shfaqë dallimet e mëdha shoqërore, sidomos ato ndërfetare, të luftës Shiite Synite, të kohës për të cilën dhe shkruan. Ndërsa te kapitulli i gjashtë “Stuhia e zemërimit” na paraqitet rebelim i shtatëmbëdhjetë jeniçerëve, në krye me Halil Patronën dhe veteranin Musli Beshin, ku dhe thotë:- “…Ju keni detyrën tuaj, por edhe ne kemi të drejtën tonë të shenjtë. Ne po shkatërrojnë tradhtarët…”. Me këtë qëndrim revoltues të Halil Patronës me shokët e tij liron nga burgu shokët dhe Gjylbejazja, si dhe babanë e saj. Janiqin. Stuhia e zemërimit e kaploi thua tërë Stambollin dhe u dha frikën Vezirëve dhe oficerëve të lartë të Sulltan Mehmetit të tretë, që më vonë i detyroi t’i binden kërkesave të udhëheqësit të kryengritësve, Halil Patronës.
Përmes figurës së Gjylbejazja-Irena, që edhe pason në kapitullin e dytë të romanit “Trëndafili i Bardhë”, autori me mjeshtri i vënë në dukje detajet e dy karaktereve të ndryshme të shoqërisë së kohës, si për etikën, moralin, ashtu dhe në anën tjetër vë në skenë amoralitetit që ushtrohej nga Përfaqësuesit e Perandorisë Osmane. Romanin në fjalë e përbëjnë edhe kapitujt tjerë që pasojnë si: Sulltan Ahmedi; Robi i Robërisë,Kampi, Stuhia e zemërimit; Tulipanët dhe njerëzimit; Bota e Përmbysur, Përcaktimi i diellit, Festa e helvetike; parashikimet e së Ardhmes; Shpresa e njeriut, si dhe kapitulli i trembëdhjetë dhe i fundit -Vendi i mbetur bosh- që dhe janë kapituj metaforik, po aq edhe më tepër në brendësin e këtyre kapitujve shpjegohej një ndodhi, ngjarje jashtë botës së imagjinuar, po në saje të një ndërtimit artistik. Mbase edhe duke i vë në thumb anën negative dhe amoralitetin e shoqërisë Feudale të Perandorisë Osmane, si dhe atë të pozitivizmit realistë përmes ushtarit trim shqiptar, Halil Patrona dhe 24 shokëve të tij me kryetrimin, shokun e përpjekjeve të mëdha, Musli Beshin- me origjinë shqiptare.
Jokai përmes trembëdhjetë kapitujve të romanit “Trëndafili i Bardhë” dhe idesë bazë, që edhe është i frymëzuar për ta vë realisht në temën bosht në romanin e tij, na del më tepër me tematikë të një roman historik, se sa ai imagjinues. E, me të drejtë autori ka vë në pah deformimet shoqërore, që përmes personazhit idealistë paraqet botën reale dhe karakteret e ndryshme që edhe janë bazike për Romanin, e Jokai Morit, si:
– E para përmes kryepersonazhi ishte me origjinë shqiptar. Autori me një fuqi artistike dhe të mbështetur në elementet historike paraqet denjësisht karakterin e fortë dhe të pathyeshëm të njeriut të moralshëm, ndonëse duke e zbërthyer këtë karakter të fuqishëm përmes vargut artistik. Ai sikur nxjerr në dritë dhe vë në skenë kundërthëniet shoqërore dhe përpjekjet e shoqërisë kundër Perandorisë së dhunshme dhe amorale, që edhe ishin në krye të saj, me ato pikëpamje të egra politike, shtypëse dhe dhunuese. Megjithatë, kur futësh në botën e poetit dhe zbërthen në detaje elementet e shprehura në roman, patjetër se nuk mund të mos ndalesh tek personazhet dhe qëndrimi i tyre heroik, e veçmas duke studiuar në imtësi veçorit dhe karakteret e tyre.
Prandaj, sikur qëllimisht autori Jokai e shfaq në hapësirën e lexuesit, apo edhe të studiuesit faktin e personazhit të romanit si një fakt real për botën e cila ende nuk ka pasur mundësi ta njoh kulturën e një populli fisnik, popullit shqiptar, që edhe është prej popujve të vjetër, si për nga kultura dhe origjina.
…
Për kundër këtij fakti, autori nuk fshehë realitetin, e as origjinën e personazhit, Halil Patrona dhe shokëve të tij, se ishin shqiptar’, si dhe përpjekjet për ta ngritur një shoqëri të drejtësisë, e për ta fundosur përgjithmonë dhunën dhe përgjegjësit e saj, që edhe i kishin shkaktuar dhimbje, jo vetëm shoqërisë që i përkisnin por edhe shoqërive tjera duke u munduar me këtë egërsi ta arrij pushtimin e drejtësisë dhe ta vë nën thundrat e pushtimit të drejtën dhe të moralshmen njerëzore. Për këtë, poeti me krenari na përshkruan ngadhënjimin e Halil Patronës dhe kryengritësve të tij, më 1730-të, ku dhe arriti t’i vë para gjykatës tre oficerët e lartë të Sulltan Ahmedit të tretë, e që në emër të drejtësisë ekzekutohen, ndërsa vet Sulltan, Ahmedi i tretë, detyrohet detyrimisht të lë perandorin në duar e Sulltan Mahmudit, dhe t’i nënshtrohet dënimit të merituar me burg.
Jokai përmes figurës së Sulltanit të ri, Sulltan Mahmudit, ka vë në skenë tradhtinë tinëzare, që përmes kësaj tradhtie dhe të figurës së Halil Pehlivanin, njëri nga Jeniçerët, arrin t’i likuidoi heronjtë e drejtësisë, luftëtarin e kohës, Halil Patrona- shqiptar nga rrethina e Manastirit të Maqedonisë dhe shokët e tij. Përmes eliminimit të kësaj figure të respektuar nga shtresat e vegjëlisë, që sulltanit dhe vezirët të kenë me letë për t’i ruajtur pozitën e tyre sunduese ndaj shtypjes së klasës së vegjëlisë. Prandaj ky ekzekutim tinëzar e qyqar ndaj figurës së Halil Patronës dhe njëzetekatër ushtarëve të tij besnik, u bë nën mbikëqyrjen e vet sulltan Mahmudit, që në pabesi, duke ju premtuar atë se edhe do të kenë përfaqësuesit e tyre në pallatin perandorak që do të kujdesën për realizimin e marrëveshjes për plotësimin e të gjitha kërkesave që i kishin parashtruar kryengritësit.
E, kur i kthehemi në thelb karakterit të dytë, që edhe zë vend në një pjesë të madhe të romanit, shohim se si me nota veçuese i ka vë në thumb vetit e këqija të Perandorisë Osmane, autori. Përveç kësaj Jokai sikur më tepër pasqyron anën e ndejshme të shoqërisë, moralin dhe amoraliteti, që përmes saj i qet në pah të metat e shoqërisë sunduese ndaj shtresave të klasave të ulëta, sidomos atëherë kur bëheshin shfrytëzues të dhunshëm ndaj shoqërisë së varur për mbrojtje. Ndaj përmes epsheve të ulëta, Sulltani me oficerët e tij, synonin ta shëmtonin me metoda jonjerëzore të bukurën vergjine, gjë që kjo metodë ishte metoda më e sofistikuar e pushtetarëve që e vënin para aktit të kryer bukurinë e femrës virgjine, nëse nuk i bindet epsheve të tyre, që ishin edhe të dhunshme dhe jo morale, kjo egërsi përcillet tek shoqëria përmes figurës së tellallit.
Kush është Halil Patrona dhe Gjylbejazja-Irena?
Duke mos u ndal në shtjellimin e tërësishëm te romanit në fjalë, theksoi se ky roman është një roman që duhet ta ketë çdo lexues i fjalës së bukur artistike në dorë, mbase edhe është një fat i mirë për lexuesin shqiptar, që për herë të parë e ka mundësin ta ketë këtë roman të përkthyer nga profesori, Ahmet Qeriqi. Po edhe nga fakti se pasqyrohet realisht karakteri i ndershmërisë, burrëria, lufta e drejtë dhe lufta e pa kompromis kundër shoqërisë shfrytëzuese, e në fund fare del karakteri i fortë i shqiptarit përmes figurës qendrore të romanit të Halil Patronës.
Megjithatë, lexuesi do të ndihet mirë me vlerën dhe përkushtimin e autorit në këtë roman, sidomos kur fillon ta zbërthejë figurën e Halil Patronës dhe të gruas së tij, skllaves së blerë në treg, Gjylbejazja-Irena, që patjetër do të mbetet në memorie te lexuesi peripecitë e jetës së saj, e cila trajtohet si robëreshë, në sarajet e Sulltan Mehmetit të tretë. Mbase edhe vihet në treg, nga tellalli, si një grua amorale. E, në fakt qëndresa e saj ishte që të mos bien nën ndikimin dhe t’i shtrihet kënaqësisë së Sulltanit, apo oficerëve të tij amoral, kështu që përmes metodës së ftohjes ruan karakterin e moralit dhe shpëton nga njerëzit e sulltanit. Ndërsa më vonë në saje të një kulture dhe të një morali të lartë të Halil Patronës bëhej edhe e nderuar dhe grua e një prijësi të ushtarëve Jeniçer, i një luftëtari trim të luftës kundër klasave.
Me të drejtë shtroj tezën se shkrimtari hungarez, autori i 100 romaneve dhe novelave, edhe mund të mos i këtë dhënë rëndësi origjinës së tyre, por është mbështetur në faktin se këta kanë ardhur nga Greqia. Sikur poeti me një përkushtim e paraqet besnikërinë e Irenës ashtu çfarë dhe ishte, këtë besnikërinë mund ta hasim vetëm te femra shqiptare, e sidomos te ajo malësorja, me tiparet e ruajtjes së fjalës dhe të besës. Këto qëndresa mund të shihen vetëm te karakteri i lartë i femrës shqiptare, e pikërisht e shohim te Nora e Kelmendit, që në vend të unazës së martesës, pashain e shpërblen me thikë mu në zemër, ndërsa te Irena kemi një situatë tjetër ku përmes qëndresës dhe këmbëngulësisë për ruajtjen e nderit nuk ligështohet dhe se shet trupin e saj as për flori, e pallate mbretërore, kjo ndershmëri e pathyer haset vetëm te tradita shqiptare. Për fat të mirë në këtë roman Jokai hedhë dritë mbi figurën e Halil Patronës dhe të kryengritjes së Stambollit në mënyrë realiste.
Ajo që të bënë të jesh më se i bindur se te figura e Irenes ka një paqartësi është fakti i dialogut të fundit, i Halil Patronës me Irenen, tek Kapitullin i dymbëdhjetë “Shpresa e njeriut”, ku pos tjerash thotë, Halil Patrona, se: “…ti je një grua krishtere dhe beson në hajmali? Me këtë do të thotë se njohja e tiparit të jesh shqiptar, pavarësisht fesë, nuk heq dorë nga përkatësia kombëtare dhe aq ma tepër kur është në pyetje dashuria. Apo sipas letrës së Janiqit dërguar të bijës, ku edhe i thotë: “Mos e prit Halilin, ai ka vdekur. Kokën ja kanë shkurtuar Jeniçerët. Edhe unë nuk do të kem të gjatë, meqë do t’ia mbaj besën…” Pra edhe ky element është një fakt shtytës se kemi të bëjmë me një besë, moral që këto i takojnë atyre të një kombi, shqiptarëve, pavarësisht se ku kanë lindur, apo nga vijnë dhe ku jetojnë, sepse fati i hidhur i shqiptarëve është anë e këndë botës, pa fajin e tyre.
Romani “Trëndafili i Bardhë” i kushtohet kryengritjes së jeniçerëve kundër pushtuesve, apo Perandorisë Osmane që me të drejtë është dhënë figura e Halil Patronës si figurë qendrore në roman, ku përmes kësaj figure ka treguar karakterin e fortë të shqiptarit i cili ishte dhe mbeti deri në fund mbrojtës i së drejtës dhe moralit, mbase këto ngjarje të ndodhura në vitet e krizës së Perandorisë Osmane të vitit 1730, në periudhën e kryengritjes dhe udhëheqësit të saj Halil Patronës me përkrahjen e luftëtarit të dalluar Musli Beshit rrënohen mbi 120 shtëpi dëfrimi, ku dëfreheshin të pasurit, oficerët dhe tregtarët me femrat më të bukura robëresha që ishin zë rob, kjo është edhe një dëshmi që Shqiptari nuk duron amoralitet dhe padrejtësi shoqërore, as individuale e ato fetare.