SHBA i kujton Serbisë bombardimet e NATO-s mbi Beograd: Kujdes me Kosovën

Nga Redaksia

Misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, përms një reagimi zyrtar theksoi se ndërhyrja e NATO-s në pranverën e vitit 1999, ishte një veprim i domosdoshëm për t`i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik në Kosovë.

Në një komunikatë të së ngarkuarës me punë në këtë mision, Katherine Brucker, theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për t’u siguruar që ajo periudhë të mos përsëritet më.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO filloi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund krizës së vazhdueshme humanitare në Kosovë. Pas shterimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, veprimi ushtarak ishte opsioni i fundit.

Përdorimi i forcës nga NATO ishte i nevojshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësime për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi një çerek shekulli më parë. Ne kujtojmë mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë ose që mbetën të zhdukur, dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij.

Duke e njohur këtë të kaluar të errët dhe të vendosur për të siguruar që ajo të mos përsëritet, Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian të rajonit.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve në rajon që të përqendrohen në përfundimin e detyrës për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt. Shtetet e Bashkuara festojnë përparimin tuaj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju për të forcuar qeverisjen demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e reformës zgjedhore, avancimin e lirisë së medias, përmirësimin e integrimit ekonomik dhe ruajtjen e bashkëpunimit dhe respektit multietnik.

Një e ardhme më e ndritur për Ballkanin Perëndimor kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke. Ne e mbështesim plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është rruga e vetme drejt së ardhmes që e meritojnë të gjithë kosovarët dhe serbët.

Si gjithmonë, falënderojmë misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre aktive për të ndihmuar të dyja vendet të realizojnë synimet e tyre për integrim më të madh evropian, përfshirë anëtarësimin në BE. Ne i nxisim të gjitha palët të nderojnë kujtimin e atyre që humbën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Nato nisi sulmet ndaj forcave te Millosheviçit më 24 mars të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik që po kryenin në Kosovë.

Sulmet ajrore zgjatën nga 24 marsi 1999 deri në 10 qershor 1999.

NATO nisi fushatën e saj pa miratimin e OKB-së, duke deklaruar se ishte një ndërhyrje humanitare.

(Marrë nga portali Prointegro.ch -Albswiss-)