Shkenca dhe feja s’kanë pse të mpleksën me fenë dhe vdekjen

SHKENCA DHE JETA S’KANË PSE TË MPLEKSEN ME FENË DHE VDEKJEN

Shkruan Xh. Gjini

Errësira nuk mund të na nxjerrë nga errësira: vetëm drita mundet. Urrejtja nuk mund të na nxjerrë nga urrejtja: vetëm dashuria mundet. (M. Luter King)

Shoqëria shqiptare tradicionalisht është shoqëri laike. Shqiptari historikisht kurrë nuk është deklaruar “katolik”, “ortodoks” apo (më vonë) “mysliman”, sepse kjo do të përbënte cenim të identitetit kombëtar. Kur pyetej shqiptari (qoftë malësor, qoftë fusharak apo qytetar) nga një i huaj “çka jeni ju”, ai përgjigjej: “JAM SHQIPTAR” ose “JEMI SHQIPTARË”. Kjo mendësi, kjo kulturë, ky emancipim dhe kjo vetëdije e lartë e kanë ruajtur ndër shekuj qenien shqiptare në Iliri dhe në diasporë e në mërgatë.

Ato rajone periferike të Shqipërisë sonë, që identitet të tyre e bënë religjionin (islamin, ortodoksinë, katolicizmin) u asimiluan dhe u shndërruan në: “turq”, “grekë”, “serbë”, “malazezë”, “maqedonë”, “boshnjakë – myslimanë”!!…

Në kohën tonë shtetet tona shqiptare (të krijuara në Shqipëri) edhe me kushtetutat dhe legjislacionet e tyre janë shtete laike. Mirëpo, “ekspansionizmi” fetar i shteteve dhe qarqeve të huaja në truallin e shqipeve ka hyrë bukur thellë në institucionet tona politike e shtetërore, në institucionet tona kulturore e arsimore dhe shkencore!! Gjendja është e tillë sa nuk merret vesh ku fillon shkenca e ku mbaron religjioni dhe dogma e tij!!

Kleri, i përkrahur dhe rekrutuar nga shtete dhe qarqe të huaja, po angazhohet dhe po këmbëngul të sfidojë raicizmin e shoqërisë shqiptare dhe vet gjuhën, kulturën, traditën, artin dhe përgjithësisht qenien shqiptare me një agresivitet dhe shqiptarofobi të panjohur më herët!! Religjioni politik, me qëllime dhe projeksione kryekëput antishqiptare, ka pushtuar pjesërisht institucionet politike e shtetërore, shkollën tonë kombëtare, institucionet tona shkencore e kulturore dhe me shumë sukses, hapësirës shqiptare (me ndërtimin e shfrenuar të xhamive turko – arabe) i ka imponuar imazhin e një toke turko -arabe (islame)!! Si shqiptar s’ke si të qëndrosh indiferent në vendin tëndë kur thirret “ezani” e bëhen lutjet me altoparlant dhe në gjuhë të huaj, kur shikon politikanë, pedagogë, studiues, nxënës e studentë të luten e të kryejnë rite fetare në institucione publike-shtetërore, në shkolla, universitete, institute shkencore!!

Sprapsja e shteteve tona (shoqërisë shqiptare) para agresionit (imperializmit) religjioz politik me qëllime të deklaruara dhe të “standardizuara” antishqiptare dhe mercenarizmi i një pjese të mirë të elitave politike, kulturore, arsimore – universitare dhe shkencore nga shtete, qeveri e qarqe që përmes religjionit synojnë të rrisin ndikimin, praninë dhe imponimin e gjuhës, kulturës, mendësisë, traditës, artit dhe mënyrës së jetesës (edhe përfitimet ekonomike) përbën shqetësim dhe brengë për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e identitetit gjuhësor, kulturor e kombëtar të popullit dhe atdheut tonë ende të copëtuar në shumë shtete.

Prandaj, rinia jonë, posaçërisht, dhe shoqëria jonë shqiptare, përgjithësisht, duhet të “armatoset” me armët e dijes, shkencës, kulturës, teknologjisë që i shërbejnë jetës, përparimit, mirëqenies dhe emancipimit dhe jo të përkunden në djepin e iluzioneve për jetën në atë botë, të mos jetojnë me vdekjen e për vdekjen, por të jetojnë për jetën dhe bukurinë e saj, për jetën me plotë dritë, dituri, shkencë, mirëqenie, harmoni, dashuri e civilizim. Fetë të merren me botën e përtejme dhe me të vdekurit dhe të mos i fusin hundët në punët e të gjallëve dhe të kësaj bote…

Shoqëria jonë shqiptare nuk duhet t’ua hap derën e mikpritjes individëve, grupeve, klerit, fondacioneve dhe OJQ – ve që përhapin e propagandojnë dogmën dhe obskurantizmin fetar, që propagandojnë dhe përhapin paditurin, prapambetjen, errësirën, urrejtjen, pabesinë, ligësinë, përçarjen dhe shqiptarofobinë.

Brenga bëhet edhe më e madhe po të merret parasysh edhe fakti se tendenca për të ndikuar në gjuhën, kulturën, shkollën dhe besimin tonë në zot ka edhe nga shtete dhe qarqe tjera fqinje dhe perëndimore.

Shqetësim dhe brengë më vete paraqet ikja – largimi masiv, sidomos i rinisë, nga vatrat dhe atdheu ynë. Rinia shqiptare, nga njëra anë, po zhvendoset në vende dhe shtete me popullsi të plakur dhe po bëhet e dobishme për t’i “rinuar” ato, kurse po kontribuon për plakjen më të shpejtë të popullit dhe atdheut të saj, nga ana tjetër!!

Pjesën e tyre të përgjegjësisë për këtë fenomen e ka politika dhe shtetet tona, e kanë prindërit që fëmijët e tyre i përkundin në djepin e ëndrrave për “tokën e premtuar”, e kanë mësuesit dhe arsimtarët që nuk janë të përkushtuar dhe të zotët ta edukojnë rininë tonë shkollore me dije dhe atdhedashuri, e kanë mediat e shkruara dhe elektronike që po japin kontribut të veçantë për përhapjen e zhgënjimit, dëshpërimit, kozmopolitizmit dhe mosbesimit te jeta dhe përparimi në atdheun tonë!

Janë këto media (shumica e tyre) që propagandojnë dhe përforcojnë tezën antishqiptare të ikjes – braktisjes, duke krijuar opinionin se “ky vend nuk bëhet kurrë”, se “në këtë vend nuk jetohet”, se “nga ky vend duhet të iket një orë e më parë”, etj.

Kjo brengë dhe këto shqetësime do të duhej ta shkundnin dhe ta mobilizonin mendjen dhe ndërgjegjen e kombit për ta frenuar këtë degradim dhe zvetënim të kombit nga vlerat e tij autoktone dhe perëndimore (qytetëruese) e progresiste…