Nga Lumni Nimani
Si yll më ndriçon nga bota matanë
O engjëlli im bujashkë e zemrës sime
Koha ikën shpejt malli për ty shtohet
Përqafimet tua më ngelën veç n’kujtime
Nga dhimbja o bir zemra po m’thërmohet.
Lule të hodha sipëri, aty ku prehesh i qetë
Por ti ishe vet më e bukura lule në botë
Të njomë të këputi Perëndia vet.
Shpirti m’është përmbysur i mbytur në lot.
Kur dimri me acar të nis e të rebelohet
E ti do kesh të ftohtë në të bardhën stinë
Babai të vjen pranë t’merr n’gji e mbulohet
bashkë me ty o bir që ty t’mos mërdhinë.
Në prillin e luleve, në muaj të lumturisë
Kur je lindur o bir oh sa qesh gëzuar
Të më jep shumë forcë i lutem Perëndisë
Dhimbje e mall pa ty për t’i përballuar.
Kur gushti me vapë verës të përcëllon
Unë vi ta flladis ballin me lotët e mi
O djalëbukuri im; o i dashuri Veton!
Të mbaj thellë në shpirt deri në përjetësi.
Se një ditë patjetër tek ti do të vi unë
Kjo do të ndodh vërtet dhe nuk ka dyshim
Por kam pa kryer akoma dhe ca punë…
Do të t’rrëmbej e t’hidhem prapë n’përqafim.
Nëse nuk të vi shpesh më fal o biri im
Në atë tokë të shtrenjtë që në gji të mbanë
Se jam larg nga ju në këtë t’mjerë mërgim
E ti më ndriçon si yll nga bota matanë…