Nga Sektori për informim

Një tjetër qendër e arsimit shqip në Zvicër bëhet realitet falë punës dhe përkushtimit të mësuesit Vaxhid Sejdiut dhe prindërve në rajonin e Rapperswil – Jonës, të Kantonit të St. Gallenit.
Rapperswil – Jona, 8 nëntor 2025 – Me shumë entuziazëm dhe përkushtim, në prag të festave të Nëntorit, u hap zyrtarisht pika më e re e “Shkollës Shqipe” në qytetin Rapperswil – Jona të Kantonit të St. Gallenit. Kjo nismë, e udhëhequr nga mësuesi dhe veprimtari i njohur Dr. Vaxhid Sejdiu, u realizua në bashkëpunim të ngushtë me prindërit e komunitetit shqiptar, të cilët të vendosur që fëmijët e tyre ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Një përpjekje e vazhdueshme e mësuesit Sejdiu, në bashkëpunim me veprimtarët dhe prindërit e rajonit të Rapperswil – Jonës, ka sjellë një tjetër arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër: hapjen e pikës më të re të “Shkollës Shqipe” në këtë qytet të kantonit të St. Gallen.
Në këtë zonë, ku jeton dhe vepron një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh shqiptarë nga të gjitha trojet, tashmë fëmijët kanë mundësinë të mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare në kushte të rregullta mësimore.
Një falënderim i veçantë u drejtua ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, të cilat mundësuan që nxënësit, që në ditën e parë të mësimit, të kenë në duart e tyre tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Në këtë përpjekje falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, Agjencinë Kombëtare për Diasporën (AKD), Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD), të cilat me kohë na i kanë dërguar tekste shkollore në Zvicër.
Mësimi zhvillohet çdo të shtunë, në dy grupe – për nivelin e parë dhe për nivelin e dytë – në ambientet e shkollave zvicerane, me kushte të përshtatshme dhe atmosferë të ngrohtë për fëmijët.

Ceremonia e hapjes u mbajt të shtunën më, 8 nëntor 2025, në prag të festave të nëntorit, dhe u shënua me shumë gëzim, emocione dhe entuziazëm nga prindërit e nxënësit e parë.
Klasa e parë në këtë qendër u mbush plot me buzëqeshje e hare. Oaza, Joni, Zekirja, Janina, Aurora, Rajana, Muhamedi, Briana, Lorisi, Lorena, Aurelei, Laurina, Loresa, Valoni, Loriku, Leoni, Aniku dhe Noari ishin ndër nxënësit e parë që morën pjesë në orët e para të mësimit në gjuhën shqipe.
Mësuesi Sejdiu, së bashku me prindërit shqiptarë Bleron Ademi, Orhan Ibrahimi, Ilmi Cakolli dhe shumë të tjerë, ka punuar me përkushtim dhe dashuri për ta bërë realitet këtë projekt arsimor.
“Buzëqeshjet e fëmijëve dhe gatishmëria e tyre për të ardhur çdo të shtunë në mësim janë dëshmia më e bukur e dashurisë për gjuhën dhe rrënjët e tyre”, u shpreh mësuesi Sejdiu, duke falënderuar të gjithë prindërit për mbështetjen e tyre.
Shkronjat, janë themel i mësimit të gjuhës shqipe. Sa më mirë i përvetësojmë shkronjat dyshe aq më lehtë e kemi për ta mësuar…
Falënderime të veçanta iu drejtuan edhe drejtorisë së shkollës në Rapperswil – Jona, e cila me mirëkuptim dhe bashkëpunim të plotë mbështeti hapjen e kësaj pike të re shkollore.
Ashtu si në çdo vend ku vepron, “Shkolla Shqipe” në Zvicër vijon misionin e saj fisnik për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Thënë shkurt, një tjetër rreze drite u shtua sot në horizontin e arsimit shqip në Zvicër – “Shkolla Shqipe” në Rapperswil – Jona është tashmë realitet!