Shkolla shqipe në Gränichen të Kantonit të Argaut, hap dyert për mësimin e shqipes!

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut pas përpjekjeve të vazhdueshme arriti që këto ditë të rihap përsëri pikën shkollore në Gränichen të Kantonit Argaut. Pas një ndërprerje nga qershori i vitit të kaluar, nxënësit rifillojnë mësimet në gjuhën amtare.

Një kontribut të veçantë kanë dhënë aktivistja e shkollës shqipe Znj. Ilmije Luma,  veprimtari Riza Demaj  (kryetar i këshillit kantonal) dhe  mësuesi Vaxhd Sejdiu. Vlen të përmendet  se Znj. Ilmie Luma është e bija  e veprimtarit Milaim Rexha, i cili me dekada ka qenë i dalluar në organizimin e shkollave shqipe. 

Mësuesja Vjollca Kapsolli me nxënësit e shkollës shqipe në Gränichen të Kantonit të Argaut, në Zvicër

Çdo hapje dere, në mërgatën shqiptare ku fëmijëve shqiptarë iu mundësohet ta mësojnë gjuhën amtare  – gjuhën e nënës është lajm mbi të gjitha lajmet. Këta fëmijë të mrekullueshëm të cilët lindin dhe rritën larg atdheut kanë nevojë që ta mësojnë  dhe ta ruajnë gjuhën shqipe sepse vetëm në këtë mënyre ruajnë rrënjët e tyre. Prandaj në këtë rrugëtim një kontribut të veçantë kanë dhënë aktivistja e shkollës shqipe Znj. Ilmije Luma,  veprimtari Riza Demaj  (kryetar i këshillit kantonal) dhe  mësuesi Vaxhd Sejdiu, të cilët së bashku me prindërit tjerë arritën më në fund të hapin pikën shkollore në Gränichen, që fëmijët shqiptarë të kësaj ane të fillojnë me mësimin e gjuhës shqipe.

Entuziazmi në mesin e prindërve shqiptarë shihej dukshëm në fytyrat e tyre, të cilët me një përkujdesje të veçantë i sjellin dhe i marrin fëmijët pas orëve mësimore. Një gjë që duhet shënuar është edhe rritja e vazhdueshme  e numrit të nxënësve në këtë pikë shkollore. Vazhdimisht është thënë se dashuria ndaj gjuhës shqipe e fëmijëve shqiptarë dhe veçanërisht e mërgimtarëve shqiptarë asnjëherë nuk ka munguar por nevojitet vetëm përkushtim dhe angazhim i veçantë në këtë drejtim. Dhe ky shembull i shkollës shqipe në Gränichen është shembulli më i mirë se aty ku bëhen bashkë veprimtarët e arsimit shqip, sukseset nuk mungojnë. Po ashtu në historikun e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, kantoni i Argaut ka  qenë dhe është një ndër kantonet më të suksesshme në Zvicër.

Nxënësit, Flamuri, Shabani, Ajana, Vendimi, Alea, Haneta, Rodoni, Luari, Nina, Ajani, Leani, Mark, Loreni etj. ndihen të lumtur në ambientin e krijuar me shkronjat e shqipes nga mësuesja Vjollcë Kapsolli. Ata ju bëjnë thirrje edhe fëmijëve të tjerë, t`iu bashkëngjiten në javët në vijim sepse gjuha shqipe është e gjuha e të parëve të tyre, e prindërve të tyre dhe në këtë mënyrë e ruajmë atë, edhe pse jetojmë në vend të huaj.