Nga Mustafë Krasniqi
Dje, më 22.10.2023, në Mynih të Bavarisë Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSh-i) në Bavari mbajti takimin e radhës me mësimdhënësit dhe anëtarët e kryesisë, me moto: Ta sensibilizojmë mërgatën shqiptare, për t’i sjell fëmijët në shkollën shqipe. Në hapje të takimit u përshëndetën të pranishmit dhe në veçanti mësimdhënëset e reja, të cilat në këtë shtator filluan mësimin plotësues në gjuhën shqipe, në disa pika shkollore në landin e Bavarisë.
Avdi Kolukaj shpërndau rendit e ditës, kurse Milazim Ukaj hapi mbledhjen dhe foli për angazhimin dhe punën e kryesisë dhe të mësimdhënësve, për vitin 2022/23 dhe për fillim vitin shkollor 2023/24. Për librat të ardhur nga Republika e Shqipërisë, që ishin jo të mjaftueshme më kërkesën e LAPSh-it dhe për regjistrin e punës- ditarin fol Mustafë Krasniqi, i cili njoftoi mësimdhënësit se regjistrin e punës-ditarin do të keni brenda dy javësh.
Anila Xhani kërkoi nga mësimdhënësit që së bashku të jemi pjesë e webfaqes “shkolla-shqipe”, me shkrime e ide rreth aktiviteteve të punës së LAPSh-it, mësimdhënësve dhe sensibilizimin e mësimit plotësues. Kurse Arif Arifaj kërkoj nga mësueset që ta sjellin listën e përfaqësuesve të prindërve.
Ndërsa mësimdhënësit/et raportuan për numrin e nxënësve dhe sfidat që po përballen; Njëra ndër këto sfida ishte edhe mungesa e librave, sidomos për mësimdhënëset të cilat kishin filluar mësimin në ato pika shkollore nga ky shtator. Po ashtu u diskutua rreth formës dhe mundësisë për t’i tejkaluar vështirësitë e mundshme, që mund të ndodhin gjatë rrugëtimit tonë, qoftë edhe ato financiare thanë kryesuesit e LAPSh-it.