TRI DITË NË BAVARI

(i ftuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë – LAPSh)

Nga Dr. Besnik Rama

Kur vete për herë të parë në një qytet të madh, siç është Mynihu, ndihesh si i huaj vërtet, ndryshe nga kur kthehesh për së dyti apo për më shumë herë, pasi, në këto raste, të duket se je “i shtëpisë”. Unë nuk u ndjeva i huaj asnjë çast. Më priste krahëhapur Bashkim Halilaj, sekretari i LAPSh-it, një njeri i thjeshtë, i buzëqeshur, aktivist i viteve kur Kosova përgatitej për luftën, poet. Kishte bërë gati vëllimin e tij poetik “Gjurmë ecjesh” dhe ma dhuroi që në hapat e parë. Ky gjest na afroi dhe më shumë. Kishte lënë punët e tij që të më presë e të më shoqërojë gjithë ditën, që nga mëngjesi. Dhe lëvizëm kudo ku kishte menduar Bashkimi, i cili kishte ditur vërtet ku të më çojë që unë të mos ndihej as kohën që kalonte, as lodhjen. Më befasoi kur mësova se, në rininë e tij, kishte kaluar jo pak kohë në Tiranë në një familje intelektualësh që ishte kujdesur për të sikur ta kishte djalin e tij. Jam i sigurt se jo çdo udhërrëfyes do të kishte bërë zgjedhjet e Bashkimit për mua. Mynihu është një qytet i dëgjuar i qytetërimit gjerman e europian për arkitekturën karakteristike; për korpusin universitar që në shekuj kanë nxjerrë personalitete, një prej të cilëve është i madhi Martin Camaj; për parkun e veçantë, për rregullin, gjelbërimin, qetësinë e pastërtinë; për zhvillimin infrastrukturor, shoqëror, kulturor, shkencor e industrial bashkëkohor. Dita është e pamjaftueshme për të vizituar atë qytet madhështor në të gjitha hapësirat e tij…

Ora 16 na gjeti në mjediset e dy konsullatave shqiptare, ku një pritje e ngrohtë nga konsullja e përgjithshme e Shqipërisë, zonja Genta Mburimi, dhe nga konsulli i Kosovës, zoti Afrim Nura, i parapriu seminarit.

Paraditen e ditës së dytë e kalova jashtë Mynihut, në Dachau, me sugjerim të zotit Milazim Ukaj, kryetar i LAPSh-it, i cili sakrifikoi gjithçka për të shoqëruar në kampin famëkeq të përqendrimit, që u hap nga nazistët në vitin 1933 si model prototip për kampet e tjera të përqendrimit që pasuan më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kampin Dachau, mbi 30 mijë të burgosur gjetën vdekjen me pushkatim në një varr masiv (me groposje edhe për së gjalli), me helmin dhe me djegie në furrat e posaçme. Përjetimi që të shkakton çdo mjedis i atij kampi, është i paimagjinueshëm në krahasim me ndjesinë që ke kur lexon apo kur sheh ndonjë film për ato masakra çnjerëzore. Në brendësi e në çdo skaj të kampit ishte historia “e gjallë” e hidhur që, ashtu e ruajtur, mbetet në kujtesën e çdokujt, jo thjesht për të mos harruar, as për t’u hakmarrë. Aty, si në kampe e burgje të tjera, kupton se themelet e së sotmes janë ngritur mbi gjakun, kockat dhe hirin e viktimave të pafajshme të luftërave. Më bëri përshtypje vargu i të rinjve dhe i të rejave vizitore nga Italia e vende të tjera.

Në mesditë, i shoqëruar përsëri nga zoti Ukaj dhe mësues të mësimit shqip në Bavari, udhëtova drejt Ausburgut, për në Zusmarshausen, në hotelin “Alte Posthalterei”, të pronarit Ilir Seferi, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Afaristëve Shqiptarë në Bavari “Besa Foundation”, ku ishte planifikuar të mbahet seminari dyditor me temën “Trajtimi dhe shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve me klasa heterogjene”. Një pasdite mes kolegësh të njohur e të rinj kaloi në një atmosferë përshëndetjesh të rastit dhe pune me interes të përbashkët që i parapriu një mbrëmjeje tepër miqësore e çlodhëse.

E diela vazhdoi me punë më intensive, por shumë profesionale, falë përfshirjes aktive të mësueseve dhe mësuesve në diskutime, rrahje mendimesh, shkëmbim përvojash e praktikash të suksesshme në shkollat shqipe të mësimit plotësues në Landin e Bavarisë. Nuk mungoi moderimi nga koordinatori i palodhur, zoti Mustafë Krasniqi, i diplomuar për gjuhën shqipe e letërsi, veteran i luftës për çlirimin e Kosovës, si dhe kujdesi i veçantë i zonjës Enela Markja, anëtare e grupit organizativ për seminarin. Është për t’u theksuar fakti që prindërit emigrantë kanë një qasje gjithnjë e më pozitive për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre. Tregues konkretë për këtë janë rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin apo që duan të ndjekim mësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare dhe nevoja për hapjen e klasave të reja.

Është për t’u përgëzuar Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari që, me punë të palodhur, me sakrifica e përkushtim, me ambicie e atdhetari bën optimiste të gjitha grupet e interesuara për një shtrirje më të gjerë të mësimit shqip në të gjitha qytetet e Bavarisë, të banuara nga shqiptarët. Mbështetur dhe nga konsullatat, LAPSh-i ka merita edhe për bashkëpunimet me institucionet qendrore e vendore gjermane.

Mësueset e mësuesit pjesëmarrës në seminar janë besimplotë që ata dhe LAPSh-i do të kenë rezultate e arritje edhe më të madha se deri tani. Puna e tyre është shumë fisnike dhe për t’u admiruar. Do të dëshiroja t’i përmend të gjithë me emra dhe përsëri nuk do të ishte e mjaftueshme për punën sublime që bëjnë, përfshirë zotin Arif Arifaj, kryetar i Këshillit të Prindërve, i cili është i kudondodhur sa herë i duhet të udhëtojë nëpër Bavari për problemet e mësimit shqip dhe për veprimtaritë e pasura kulturore që organizon komuniteti shqiptar atje.

Një fotografi e përbashkët në fund të seminarit nuk ishte thjesht shenjë e përmbylljes së punimeve, po një dëshirë për t’u takuar edhe herë të tjera, sepse e mira nuk ka fund. Profesioni i mësuesit nuk është vetëm kënaqësi vetjake, por dhe një mjeshtri në përsosmëri që duhet ndarë me gjithë kolegët. I përcjellë nga arkitekt Armendi dhe mësuese Liria, u largova me mbresat më të mira, ndaj: FALEMINDERIT TË GJITHËVE NJË PËR NJË! JENI TË MREKULLUESHËM!