TUFË POEZISH NGA Faik Smajli

Fotografia e Faik Smajli
Faik Smajli

FYELLI I BACËS UKË
(Ukshin Hotit)

Fyelli yt kishte veç një vrimë
e kur i bije ti Bacë
koha tërbohej me furtunë e vetëtimë
se ti nuk i bije me gishta nate
i bije me jehonë, me epokë
fyelli yt bëhej ashti ynë

Nuk e di Bacë
nëse e gjete pendën e Shekspirit
por dikush e shkroi tragjedinë tonë
edhe në Krushën tënde u luajtën
tragjedi mesjete
s’mbeti kush pa një rol
secili në vrimën e fyellit të vetë
secili i lidhur në nyjen e vetë të fatit

Ti Baca Ukë
vetë e nënshkruajte fatin tënd
se s’mund të zgjedhje fat tjetër
për ty e për ne ishte më i miri fat
të gjitha të tjerat kishin sy korbi
kishin zë qyqesh të mjera
e ti s’mund ta mallkoje me zezonë
edhe fatin e pjellës tënde

A të kujtohet Baca Ukë
kohë e langojve, e ujqërve të egër
që shpesh të kafshuan tinëz nëpër mjegull
sa shumë kishin frikë veç nga hija jote
se nuk dilnin dot nga strofull e qelbur
deshën kobin tënd Bacë, të futen dhe brenda
por edhe aty brenda ti i bije fyellit
jashtë jehonë e fyellit mbjellte rrezet e diellta

Ti Baca Ukë
s’mbytëshe dot me tortura, as me plumba
xhelatët i provuan të gjitha me ty
në fund të mallkuan dhe me humbje varri
por ti mblodhe eshtrat i bëre jehonë
me jehonë ia spërkate atdheut ballin
ata i shndërrove në kufomë

Eh… Baca Ukë
çfarë të të them tjetër, po e sheh edhe vetë
përditë po ndërrohen, po vijnë do kohë tjera
as langoj e ujqër ende s’po i vrasim
as Iriqin dot s’e heqim nga therra
e kemi bërë fyellin me njëqind vrima
tash edhe gomarit i kanë vënë shalë
ende nën hije rreziten të marrët
e varret e të vdekurve po i zënë të gjallët

Sa shumë kemi nevojë për fyellin tënd
Bacë

EPOPESË SË JASHARËVE

Në Prekaz binin tupanat,
Çiftelitë larg jehonin;
Kishin zbritë Shqipet nga malet:
Po kërcenin e këndonin.

Në atë Kullë nuk njihej mortja
Si në dasmë ishte përnatë,
Mbushur plot me miq e shokë,
Idealet mbaheshin lartë.

Kur mbaronin kënga e vallja
Shqipet flisnin rend me rend,
Qanin hallet e Shqipërisë Loke
Që me shekuj s’po zë vend.

Re të zeza na është mbushë qielli,
Nuk po shohim diellin me sy.
Shkjau me tank rrinë te dera
Na e ka mbyllë Lirinë nën dry.

Çohuni burra ta bëjmë Betimin
Në Flamur të Kastriotit
Se kjo tokë është veç e jona
Me pushkë kokën t’ia shtypim korbit!

S’jem të huaj në shtëpitë tona
Mijëra vjet janë trashëgim,
Amanet na i la i pari
Nga flijimi në flijim.

Shumë hordhi kanë ardh kësaj toke
Vinin e iknin të gjithë me rend,
Fusha e male nuk i duronin,
Veç të zotin, zot n’këtë vend.

Dhe ky shkja shpejt do thyej qafën
Se ka burra prapë Shqipëria,
Që ua presin plumbat me dorë
Dhe i ndjekin kah Shumadia.

Nga aksioni në aksion
Bacë Ademi syshqiponjë,
Si nën kosë binin barbarët,
S’mund të priste se i bëhej vonë.

Hamzë Jashari shkëmb graniti
Që aq shumë donte Lirinë,
Aq i bënte jeta e tij
Se luftonte për Shqipërinë.

Babë Shabani gjithmonë thoshte
Se Liria nuk blihet n’pazar:
Sugjeronte e këshillonte,
Ishte tamam Komisar.

Një ditë marsi ia mësynë Prekazit
Me topa e tanke një ushtri,
Por Prekazi nuk po tundej
Tash po bënte Histori.

Në Prekaz – Kala Drenice
Dasma e madhe kish filluar,
Krushqit tashmë ishin nisur
Për ta marrë Lirinë praruar.

Me këngë në gojë sfidonin burrat
Një ushtri ardhur nga mesjeta,
Kur pushonte Zhuj Selmani
U ndihmonte Azem Bejta.

Dhe menduan se i vranë
Mori fund dhe kjo histori,
Por asnjë s’e mori vdekja,
Të gjithë shkuan në përjetësi.

Këtu barbarët morën tatëpjetën
Dhe rrokulliseshin për në humnerë
Në qiellin tonë dukeshin shqiponjat
Shqiptari po lindte edhe njëherë.

Dhe sa herë t’ju merr malli
Edhe doni që t’i gjeni:
Në çdo cep të Shqipërisë Nënë
– Në Flamur, aty i keni

KENGA E PRANVERES
(pak si çajupçe)

Lëndines mbi bar
kapur dorëpërdore
veç një zemër rrah
dy qeshje gazmore

Qiellit përmbi blu
i mungojnë dy yje
se kanë rënë në tokë
e janë lidhur nyje

Fllad i erës vjen
si polen i bukur
me fustanin tënd
vallëzon një flutur

Bilbilat mbi degë
këndojnë veç për ne
ne i mbajmë ison
një kënge të re

Kur shëtis me ty
dhe hëna përkulet
dielli na buzëqesh
çelin gjitha lulet

UNE DHE GJUMI

hajde gjumë
hajde, shtrihu mbi qepallat e mia
se edhe ti qenke rraskapitur si unë
as eshtrat më s’u binden urdhërave

ja
po i nxjerrim përjashta të gjitha dënglat budallaqe të ditës
po i marrim leje edhe hënës e po ia mbyllim dritaren
ti e di që ajo s’fle gjithë natën
pastaj, ajo është e zënë me nurin e vashave

edhe eshtrat po i lëmë këtu të çlodhen
po i mbulojmë se mos mardhin
e po dalim fshehtas për tek ai lumi

fshehtas po dalim
ta vazhdojmë atë ëndrrën që na mbeti mbrëmë përgjysëm

Hë pra! atë ëndrrën…

që laheshim në lum
e u jepnim të fala dallëndysheve

REKUIEM PËR FJALËN

Në këtë kohë pa kohë
zhurmë e madhe fjalësh
e fjalë s’ka

e kanë shkulur me rrënjë
Fjalën
rrëzuar përdhe
era po e bartë këtu-atje
fluturon e bie
kalëron pa fre
e vend nuk zë
ka mbetur pa strehë

kjo zonjë e rëndë
që kishte mbretëri
e shumë pasuri
respekt e dashuri

që mbrohej me kokë
e s’blihej me flori…

…po si u katandis kështu
askush nuk e di

në këtë kohë të përdalë
fjala po mbanë zi
për mbretërinë e saj
ka ndezur qiri