Nga MA.SC. FATMIR HALIMI
Kristaq Turtulli është autor i më shumë se 30 romaneve i botuar në Shqipëri, i përkthyer në gjuhën angleze dhe i botuar në Amerikë e Kanada, ku edhe jeton dhe vepron nga atje.
Shtëpia botuese ProkultPress nga Kosova deri më tani ia ka botuar katër romani, siç janë: Zëra në Lavjerrës, Zëra në humbëtirë, Përroi qante në mesnatë dhe tash romanin Hani me dy porta.
Kristaq Turtulli krahas I. Kadares dhe Fatos Kongolit, është shkrimtari më produktiv, më i përkthyeri në gjuhë të huaja dhe mund të them se sot ai është një shkrimtar i madh dhe shumë i veçantë i letërsisë shqipe, si për nga temat që trajton, si për nga gjuha plot stil, leksiku i pasur e po ashtu edhe për nga shprehja filozofike brenda tekstit dhe rrëfimi i veçantë që tregon një vetëdije të lartë letrare dhe artistike të tij.
Romani “Hani me dy porta’ i shkrimtarit K. Turtulli ka një histori të vetë të shkrimit e të botimit. Romani së pari u botua në Shqipëri, menjëherë pak vite pas rrëzimit të komunizmit, më 1995, ku pati një buj më madhe pasi që ishte ndër romanet e para që trajtonte temën e dhunës dhe të terrorit që kishte ushtruar pushteti i diktatorit E. Hoxha për 45 vite me radhë. Botimin e dyte e pati në Amerikë dhe atë ne gjuhën angleze, në vitin 2009, ku editori i këtij libri, Bryan Henry Fox, ishte i facionuar me përmbajtjen e tij. Ai ndër të tjera thotë:
“Kur mu dha mundësia të editoja në anglisht romanin “Hani Me Dy Porta”, të shkrimtarit shqiptar Kristaq Turtulli, u shtanga, më mbërtheu ngjarja, përshkrimi me art dhe dashuri të karakterit, stoicizmit të fuqishëm të një gruaje, nëne. Mendoj që karakter të tillë nëne rrallë e gjen në letërsinë botërore.”
Botimin e tretë e pati po ashtu me fillim të këtij viti, 2022, prapë në Tiranë. Kurse ne duke e parë se ky roman ka vlera te larta letrare dhe artistike po e bëjmë botimin e tij të katërt këtu në Prishtinë, në mënyrë që romani “Hani me dy porta” të jetë sa më afër të lexuesve shqiptarë të Kosovës.
Besojmë se me ketë botim do t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e lexuesve anekënd trojeve tona etnike.
Fabula dhe diskursi letrar
Vetë titulli i romanit Hani me dy porta i shkrimtarit të shquar Kristaq Turtulli për lexuesit është identifukues i ngjarjes dhe i rrjedhës në roman, kurse për kritikët e diskursit letrar është çelës i interpretimeve të shumta. Rëndom shumë kritik letrar ndalen te interpretimi i titulli.
Ne rastin tonë interpretimi i titullit Hani me dy porta na dërgon te konjuksionet letrare se brenda romanit kemi te bëjmë me një han të madhe ku aty gjallëron jeta e qytetareve, e njerëzve që vinë nga vendet e largëta dhe ndalen aty e pushojnë, bujnë dhe e kalojnë natën, qe nesër të marrin një rruge të re. Hanet, kryesisht janë shume të vjetra, datojnë nga koha e mesjetës dhe rëndom pronarët e tyre janë njerëz të pasur. Por në rastin tonë, pra te romani i K. Turtullit kryen një veprim krejtësisht tjetër. Është periudha kohore menjëherë pas luftës së dytë botërore, ku në Shqipëri pushtetin e merr rinia revolucionare partizane, rinia socialiste me ide të fuqishme komuniste, të cilët të rrethua brenda partisë së tyre do të rrënojnë çdo gjë nga e kaluara, prandaj Hanin e madh me dy porta, që ishte si mbetje e së kaluarës do ta shndërrojnë në një burg të madh. Mund të them që në fillim dhe t’i orientoj lexuesit se në romanin Hani me dy porta nuk kemi të bëjmë me ngjarje ku gjallëron jeta, ku ka argëtim, muzikë, valle e lojëra të ndryshme, ku pihet rakia dhe njerëzit argëtohen deri në mëngjes, ku më pastaj marrin rrugë të re, por kemi të bëjmë me një burg të madh, ku natën dëgjohen krisma të pushkëve, ushtima të ndryshme, ofshama, ulërima lebetitje dhe lemerisje të njerëzve të shkaktuar nga dhuna dhe torturat që ushtronin polica mbi ta deri në alivanosje, deri në vdekje. Pra hani në romanin e Turtullit është një burg i madh, ku mbi njerëzit ushtrohet dhunë e paparë ndonjëherë, dhunë e shfrenuar mbi të burgosurit pa kurrfarë kodesh njerëzore duke përdor metodat më perfide dhe më çnjerëzore mbi ta. Hani për njerëzit do të bëhet simbol i tmerrit të jashtëzakonshëm që vetëm shpirtrat e atyre që do të futen brenda mund të na e tregojnë se çka ndodhte aty. Shkrimtari Turtulli këtë më së miri e arrin ta paraqes përmes personazhit të nuses së re, e cila bashkë me burrin e saj ishin të burgosurit e atij Hani ta madh.
Autori Turtulli personazhet i emërton me emra te përgjithshëm siç janë: Plaka, Vajza, Nusja, Djali, Burri, por edhe me mbiemra, siç është I nëmuri etj. Këtë e bën pasi që ngjarja që zhvillohet në roman edhe mund të jetë shumë reale, prandaj edhe u ikë emrave konkret. Kjo romanin e bën edhe më të fuqishëm dhe shumë fiksional ose imagjinar.
Fabula e romanit në vija të trash ka të bëjë me jetën e një plake të vetme, që jeton në gërmadhat e shtëpisë së saj, dikur kullë e madhe e një familjeje të madhe, e cila e rritë mbesën e saj larg rrethit dhe shoqërisë. Mbesa është i vetmi filiz që i kishte mbetur plakës nga familja e madhe, që dikur kishte pasur ajo. Plaka dikur kishte qenë një zonjë e madhe e një dere fisnike, por me ardhjen në pushtet të këtyre Të Kuqve, siç i quan ajo, asaj së pari ia shkatërrojnë kullën, e mandej burrin e saj vigan do ta masakrojnë në pyll duke ia prerë kokën duart, e duke ia nxjerrë edhe sytë. Plaka pasi e gjen atë e varros e vetme rrëzë një shkëmbi pa i treguar djalit të saj se çka kishte ndodhur me babanë e tij. Më Pas partia ia merr djalin dhe nusen me barrë dhe i dërgojnë në burg. Nusja një natë para pushkatimit e lind vajzën, ku ne mëngjesin e hershëm nga burgu e nxjerr një grua gardiane dhe ia jep plakës. Plaka tash po e rrit krejt e vetme këtë filiz të saj. Edhe pse kjo gërmadhë është në mes të malit e pa njerëz, prapë nuk i shpëton syrit të partisë revolucionare, kur për vite me radhë do t’i përgjoi I Nëmuri. Mbesa do t’i mbush dhjetë vjet dhe në ditën që plaka don t’ia festoi ditëlindjen mbesës me ushqimin e preferuar, me patate, atyre u ndërhyn I Nëmuri dhe ua shkatërron këtë ditë të lumtur.
Ne duke njohur stilin e lartë të shkrimit, të autorit Turtulli, edhe te romani Hani me dy porta vërejmë se ai për ta paraqit rrjedhën e rrëfimit në roman përdorë disa kategori stilistike të shkrimit siç janë: Metateksti, retrospektiva, paralelizmi tematik etj. Këto dhe kategori të tjera stilistike paraqesin një vetëdije te lartë të diskursit letrar e artistik të shkrimtarit Turtulli.