ZVËRNECI – FSHATI TURISTIK ME ISHULLIN E PAQES E QETËSISË

Nga Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCV)

Fshati Zvërnec, 13 km në veri të qytetit të Vlorës dhe në brendi të lagunës së Nartës ka vijë bregdetare prej 12 km dhe lagunën e gjerë me dy ishuj, zona të mbrojtura pyjore, trashëgimi historike e kulturore, natyrë të paprekur, pamje mbresëlënëse. Këtu gërshetohet më së miri turizmi natyror, detar, kulturor e historik. Zvërneci është pjesë e projektit qeveritar turistik “100 fshatrat e Shqipërisë”.

Pjesë e fshatit Zvërnec është edhe Ishulli i Zvërnecit. Gjithashtu, ishulli është pjesë edhe e Parkut Kombëtar Sazan – Karaburun. Ky ishull, i mbuluar me pisha të larta, paraqet një pikë turistike të rëndësisë së veçantë. Ishulli, i rrethuar dhe i zbukuruar nga ujërat e lagunës, me pyllin me pisha dhe me reliev të larmishëm, është një mjedis i jashtëzakonshëm paqeje e qetësie. Në këtë ishull të vogël, që ngrihet në lartësi mbi det deri 30 metra, shkohet përmes pyllit të vjetër të Sodës dhe duke kaluar nëpër një urë këmbësorësh prej druri 280 metra të gjatë dhe tri metra të gjerë, urë që lidhë ishullin me pjesën kontinentale.

Edhe ura ekologjike, që shërben për ta kaluar kanalin dhe për të shkuar në Zvërnec, është një pikë interesante dhe e rëndësishme turistike, e vizituar nga turistë të shumtë.

Ishulli i Zvërnecit, me sipërfaqe prej tetë hektarësh, me gjatësi 430 metra dhe gjerësi 300 metra, është një monument natyre i rëndësisë së veçantë. Në ishull ndodhen monumente të trashëgimisë kulturore, siç është Manastiri bizantin i Shën Mërisë i shek. XII apo XIII, ku ndodhen fragmente origjinale të pikturave murale të shek. XVI-XVII. Pranë manastirit për çdo vit, më 15 gusht, organizohet festa e Shën Mërisë, si një ditë përkujtimore e lavdishme dhe shpresëdhënëse. Në ishull ndodhet edhe varri i qëndistares së flamurit të kombëtar të pavarësisë, Marigo Posio, e vdekur në vitin 1932.

Laguna e Nartës, ku ndodhet ishulli, lidhet me Detin Adriatik përmes një kanali të ngushtë mes dunave ranore. Pasi uji i lagunës është i kripur, një pjesë e saj shërben edhe për nxjerrjen e kripës së kuzhinës. Në ujërat e lagunës shpesh shohim koloni mbresëlënëse të flamengove.

Zvërneci, me ishullin, manastirin, lagunën e plazhin përbën një sistem mjedisor (ekosistem) interesant dhe tërheqës për turistë. Pos tjerash, në bregdetin e Zvërnecit janë gjetur edhe objekte të vjetra nga koha e paleolitit.

Plazhi i Zvërnecit, që gjatë sezonit turistik mbushet me pushues, është një plazh familjar, i vlerësuar për rërën shëruese e për detin e cekët e të pastër, për natyrën e paprekur dhe për pastërtinë e qetësinë e plotë.

Nga Zvërneci ishte shkrimtari dhe poeti ynë i njohur, Fatos Arapi (1930 – 2018). Thuhet se familja e tij dikur e administronte Manastirin e Shën Mërisë.

Pos si fshat turistik, Zvërneci njihet edhe si fshat bujqësor. Prodhimet bujqësore organike të fruta – perimeve, rrushit, verës e rakisë, ullinjve e vajit të ullirit, portokajve, limonëve e mandarinave janë të cilësisë së lartë.

Edhe pse është një fshat i njohur turistik, në Zvërnec ka mungesë të investimeve, papunësi dhe ikje të rinisë në mërgim. Madje ka edhe probleme të infrastrukturës, veçanërisht për mungesë të ujit për pije.

Turizmi nuk ka mjaftuar që rinia të mos emigrojë nga fshati. Për shkak të emigrimit, Zvërneci është braktisur, ka shumë më pak banorë. Derisa përpara Zvërneci kishte rreth 300 familje me 1500 banorë, sot shumë shtëpi janë të mbyllura, ndërsa në fshat jetojnë diku rreth 120 banorë, kryesisht të moshës së tretë.

Fluksi i lartë i turistëve, që vizitojnë Zvërnecin turistik gjatë sezonit veror, e rëndon apo e bllokon qarkullimin në rrugën nga Zvërneci deri në Vlorë.

Një afarist i njohur (dhëndër i ish-kryetarit amerikan D. Tramp), i quajtur Jared Kushner, në fillim të këtij viti ka shpallur planin e tij të investimeve dhe, pos tjerash, ka paraparë ndërtimin e resorteve turistike edhe në Ishullin e Zvërnecit dhe të Sazanit. Kushner ka deklaruar se në zonën e Zvërnecit synon të ndërtojë njësi hoteliere – turistike prej 10 mijë njësive.

Zvërneci, si një thesar i bukurive natyrore dhe i trashëgimisë kulturore, është kthyer në njërën ndër pikat më të rëndësishme turistike në Shqipëri.