144 vjet histori e padrejtë ndaj shqiptarëve prej Otto von Bizmarkut e deri te kancelari gjerman, Olaf Sholz

Nga Radio Kosova e Lirë

Otto von Bismarck dhe Olaf Sholz

144 vjet më parë, në Kongresin e Berlinit, shqiptarët, jo vetëm që nuk ishin ftuar as ishin përfaqësuar si popull,  por Kancelari i parë i Perandorisë Gjermane, Otto von Bismarck, kur ishte bërë fjalë për lënien  jashtë të Shqipërisë, e cila shtrihej në katër Vilajete të Perandorisë Osmane, kishte thënë se  “Shqipëria është thjeshtë një shprehje gjeografike,  dhe se i gjithë Ballkani nuk vlen as sa eshtrat e një ushtari të vetëm gjerman”.

Sot 144 vjet më pas, vjen në Kosovë kancelari gjerman, Olaf Sholz, me një premtim, të përsëritur qe sa e sa  vjet  për  gjoja liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të vetmit që mbahen në geto të Bashkimit Evropian, të vetmit në Evropë që duhet të lëvizin me viza, sepse BE-ja  dhe pesë shtete të saj nuk e njohin Kosovës si shtet të pavarur.

Natyrisht se Gjermania sot nuk është më ajo e kohës së Bizmarkut, as një pjesë nga Kosova e Vilajetit të dikurshëm nuk është në hartën e  Kongresit të Berlinit.  Realisht kufijtë zyrtarë të Shteteve të Ballkanit të kohës së Kongresit të Berlinit dhe traktateve, konferencave  e ndarjeve të mëvonshme të trojeve të shteteve ballkanike,  në rastin e Shqipërisë, janë po ata që kanë qenë, me pak ndryshime.

Jashtë Shqipërisë, ka mbetur Kosova, edhe pse sot është shtet i pavarur.

Janë shfarosur e zhdukur shqiptarët e Çamërisë, të Toplicës e të një pjese të madhe Kosovës Lindore, janë nën Malin e Zi, Plava Gucia, Anamali, Malësia, Ulqini, Sanxhaku e të tjera. Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë nën Maqedoninë e Veriut, sipas Traktatit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës së vitit 1913.

144 vjet pas Kongresit të Berlinit, qëndron në Kosovë, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz, vend që e ka njohur me kohë Pavarësinë e Kosovës dhe ka ndihmuar në ngritjen ekonomike të vendit tonë.

Gjermani sot është shteti më i fuqishëm i Evropës, shtet i cili ruan për mrekulli ekuilibrat politikë e ekonomikë mes Lindjes e Perëndimit.

Kosova për Gjermaninë nuk është ndonjë interesi i veçantë sikur pretendojnë, apo sikur ia bëjnë qejfin vetes  politikanët tanë në Prishtinë, Tiranë e Shkup. Ajo shumë më tepër ka interesim ta kthejë Serbinë drejt BE-së, qoftë edhe me një çmim të madh ekonomik e pse jo edhe politik, ashtu sikur Franca, Italia, Holanda dhe shumë shtete të tjera të BE-së, për veç atyre pesë  shteteve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.

Kancelari Sholz, kërkon që në Kosovë të ruhet status kuoja dhe të mos lëndohet e të ngarkohet  edhe më tepër Serbia, e cila tani gjendet në një pozitë tepër të vështirë mes Rusisë e BE-së, të mbahet gjallë dialogu  me Serbinë qoftë edhe formalisht  për hire të luftës në Ukrainë.

Për ta ruajtur status-quonë, Sholc edhe kësaj radhe premtoi  liberalizimin e vizave, ashtu sikur kishte premtuar,  Zonja Merkel dhe ashtu sikur verbalisht premtojnë të gjithë krerët e Evropës. Scholz, vlerëson se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë njohjen e pavarësisë. Gëzohem që po vizitojë Kosovën si vendin e parë në turin tim dyditor në Ballkan. Kjo tregon se sa të ngushta janë marrëdhëniet tona”. “E qartë është që marrëveshja në fund të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës pas është e paimagjinueshme që dy vende të nuk e njohin njëra tjetrin të jenë pjesë e BE-së. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të shkojë përpara. Mes tjerash, Scholz tha se i dërguar i BE-së për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë.

Për Kosovën mjafton një premtim, ndonjë ndihmë ekomomike, por jo investime të tilla të cilat i ka bërë dhe i bën Gjermania, në Serbi dhe që janë 100 fish më shumë se sa ato që ka bërë në Kosovë. Faktet flasin. Ato i gjeni kudo në mediet  e Serbisë, por jo në Kosovë e në Shqipëri, sepse  “ne kemi të madh kujdes që mos e lëndojnë mikun”, madje as atëherë kur na shpërfillë e na degradon.

Mjafton që Kancelari Sholz ta mbështet qoftë edhe me rezervë, qëndrimin e Albin Kurtit për mos pranim të “Ballkanit të Hapur” dhe të gjitha të tjerat nuk kanë më rëndësi. Kjo aktualisht i duhet Kurtit, pas presionit që po i bëjnë të gjithë në këtë  në këtë segment,  madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, kjo nuk është pak, pas  fiaskos që pësoi kryeministri, Kurti gjatë qëndrimit privat në Amerikë, ku qëndroi gati tri javë duke pritur mos po pranon të bisedojë me të ndonjë zyrtar i rangut të lartë të “Shtëpisë së Bardhë”.

Vizita e kancelarit gjerman, Olaf Sholc në Kosovë, pikërisht me 10 qershor, mund të jetë krejtësisht një koincidencë, por është vështirë të besohet se  ai apo këshilltarët e tij,  nuk e njohin historinë e Kongresit të Berlinit, apo nuk e dinë se çka do të thotë 10 e 13 qershori për të gjithë shqiptarët e veçmas për Kosovën, e cila 144 vjet më parë ishte Piemonti  e koka e kryengritjeve të  Shqipërisë, e cila u nda nga trungu  me dhunë ushtarake nga shtetet më të mëdha të Evropës.

E kaluara nuk përmirësohet dot, por as shqiptarët liridashës nuk e kanë ndërmend ta harrojnë atë të kaluar të përgjakshme,  tragjike e makabre  për hir të paqes në Evropë, ashtu sikur dikur i kishin detyruat ta pranonin  mujsharët e fuqishëm të Evropës e të botës.

144 vjet pas Kongresit të Berlinit, ende jemi  të ndarë në gjashtë shtete, por jemi afër tetë milionë banorë që jetojmë  në trojet  tona, bashkë me ata që u dyndën drejt shteteve të Evropës gjatë dhe pas luftës së viteve 1998 – 1999, por që janë ngushtë të lidhur me Atdheun dhe ndihmojnë mbijetesën ekonomike të kombit…( Marrë nga Radio Kosova e Lirë)