Gjaku i dëshmorëve, drita e lirisë dhe frymëzimeve për bashkimin e atdheut

Ragip Xhafer Shulemaja ( 27. 03. 1951 – 17. 09. 1999)

Nga Isuf Ismaili

Prishtina kjo vatër e zjarrtë e krenarisë së Shqipërisë Verilindore,  ashtu si edhe vise të tjera shqiptare ka dhënë bij e bija, trima e trimëresha, siç qe edhe luftëtari i denjë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ragip Shulemaja, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre dhe kështu janë bërë pishtarë të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të Atdheut. Ata me gjakun, mundin e djersën e sakrificat e mëdha janë lidhur krah për krah dhe janë bërë kurorë e madhështisë shqiptare. Tokat tona të njomura  me gjakun e heronjve e dëshmorëve, mundin e sakrificat djersën e bijve e bijave që i dolën zot Atdheut, duke vepruar  e punuar  pareshtur, pa u ndalur fare, tokat tona të lara me lotin e nënave, motrave e fëmijëve me dhembjen e pa përshkruar, që jua ka gërryer zemrën, për më të dashurit e tyre, për tokën që rënkonte nga çizmja e armikut, janë dëshmia më e qartë, se edhe pse na ndanë e na degdisën kemi forcën e shpirtin e krenarinë e pashoqe  jo vetëm të themi , por edhe të veprojmë për bashkimin e tërësisë së Shqipërisë së natyrshme.

Këngëtari popullor i ka përshkruar me dhembje të madhe tokat  shqiptare të njomura me gjak. Vargjet e këngës nga jugu i Shqipërisë, nga Piluri i bukur në malet afër bregdetit, janë dhembje e krenari, janë histori e pasuri artistike e fjalës, janë mirënjohje e kujtesë atdhetare  për  gjakun e trimave e trimëreshave të derdhur rrëke për Shqipërinë. Këto vargje janë të shkëlqyera edhe në kuptimin përmbajtjesor edhe si paraqitje artistike:

Nga kjo baltë e kësaj toke,
Merr një grusht e shtrydhe fortë,
Pika more gjaku do të kullojnë,
Luftën e madhe do tregojnë.

Çdo pjesë e Atdheut, e Shqipërisë sonë të tërësishme e të natyrshme ka në gjirin e saj bij e bija që janë heronj e dëshmorë e që me veprat e tyre janë bërë pjesë e pandarë e lavdisë e krenarisë dhe i frymëzimeve drejt jetësimit të synimeve tona për lirinë e njëmendtë, për bashkimin e tërësisë së atdheut dhe triumfit të drejtësisë njerëzore. Edhe Prishtina si një pjesë e shkëlqyer e kësaj Shqipërie ka rritur ka frymëzuar e ka kalitur jo vetëm prishtinas, por edhe shqiptarë të tjerë që janë përgatitur në flakën e atdhetarisë e në dritën e diturisë për t’i shërbyer me devotshmërinë më të madhe popullit shqiptar e Shqipërisë sonë të shenjtë.

Lufta  e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është sa heroike, aq edhe madhështore se i dolën në mbrojtje Atdheut, bijtë e bijat më të mirë. Ushtarët, organizatorët e veprimtarët e kësaj ushtrie i dhanë e  frymë, i dhanë jetë Kosovës, se luftuan për çlirimin e për lirinë dhe idealet e shenjta shqiptare.  Në këtë luftë, në UÇK- ën dhe në jetësimin e lirisë, në faqet e ndritura të Atdheut është shkruar edhe emri e është përjetësuar vepra e ushtarit të denjë të Atdheut Ragip Shulemaja.

Ragipi u lind në Prishtinë, më 27.3.1951, në një vatër të zjarrtë atdhetare, të familjes së gjerë Shulemaja e cila rrënjët e saj i ka në Toplicën shqiptare. Ai  rritej e burrërohej me dashurinë e zjarrtë të tokës, ku u lind, me përkujdesjen e babait të tij Xhaferit e të familjes, po rritej në një kohë të vështirë të sundimit të egër barbar të Serbisë e të gjithë Jugosllavisë, që i mbante nën pushtim një pjesë të madhe të viseve shqiptare. Dhuna e egërsia serbe shfaqej pa hezitim, me gjithë forcën e brutalitetin ushtarak e policor, por gjaku i kulluar i shqiptarit po gjallëronte,  po lindnin filiza të rinj, siç kishte lindur në vatren e shkëlqyer të atdheut edhe Ragipi, për t’u bërë dritë e lirisë dhe frymëzim i bashkim i atdheut, duke shërbyer  e luftuar me denjësinë  më të madhe e heroike në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Babai i tij Xhaferi ju kishte rrëfyer bijve të tij historinë e familjes, të vatrave të ngrohta atdhetare të Toplicës, prej nga kishin ardhur, ai i kishte edukuar fëmijët e tij me frymëzimet e dashurinë e pastër atdhetare dhe ju kishte thënë që jo vetëm ta duan atdheun, por edhe t’i shërbenin me ndershmëri e të vepronin pa hamendur për çlirimin e bashkimin e tij.

Të edukuar në këtë frymë, të përgatitur shpirtërisht, të kalitur fizikisht, me vullnetin  e gatishmërinë për të sakrifikuar e për të dhënë edhe pikën e fundit të gjakut për atdheun, nga kjo familje u radhitën në UÇK Ragipi, Hyseni e i biri Ragipit Bekimi.

Kështu babai i tyre Xhaferi, duke bartur me vete dhembjen e trashëguar të të parëve nga trojet shqiptare, nga Toplica, ju kishte thënë të bijve histori rrëqethëse, që kishin bërë bishat e egërsuara serbe, mbi popullsinë shqiptare të kësaj krahine, duke bërë masakra çnjerëzore, duke therur njerëzit si bagëtinë, duke i vrarë pa fijen e dhembjes njerëzore, vetëm se janë shqiptarë. Për këto masakra është shprehur një ushtarak i logjistikës franceze, se ushtria serbe po bënte krime të llahtarshme mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, aq sa ia kalon çdo imagjinate të njeriut. Kështu si shumica e popullatës edhe të parët e familjes Shulemaja që në vitet 1877- 1878 i kishin lëshuar trojet shqiptare në Toplicë dhe mezi kishin shpëtuar. Ata fillimisht ishin vendosur në katundin Sibofc të Besianës e më vonë ishin vendosur në Prishtinë.  Këtu u lind edhe Ragip Shulemaja, të cilit ia kushtojmë këtë përshkrim, këtë jetëshkrim të tij.

Prishtina, kjo vatër e zjarrtë e shqiptarësisë ka një pozitë gjeografike të shkëlqyer. Lartësia në qendër  është 600 mbi nivelin e detit, por vende – vende në pjerrtësitë e kodrave, ku shtrihet qyteti, sidomos kohët e fundit lartësia e qytetit shkon mbi 750 gati deri në 800 metra mbi nivelin e detit, por tokat janë pjellore, malet e bukura, më të shumtat të veshura me pyje, pothuajse kudo edhe në qytet po të gërmohet si thellë toka shpërthen uji,  dimri është i ashpër, por pranvera, vera dhe vjeshta janë stinë shumë të bukura, që na falin kënaqësi. Dikur familja Shulemaja kur erdhi në Prishtinë tokat, arat janë punuar, ka pasur lëndina e njerëzit kanë mbajtur shumë bagëti, dele, dhi, lopë etj., kuptohet në  pjesët më periferike të qytetit. Kështu edhe familja Shulemaja kishte toka dhe bagëti, madje deri në fund të jetës së tij Xhafei i mbajti disa dele, deri në vitin 2003.

Në rrethana të tilla u rrit e u burrërua Ragipi, Hyseni e shumë e shumë të rinj e të reja të Prishtinës. Ragipi i edukuar dhe i formuar me brumin e atdhetarisë pati gjithë jetën e tij urrejtjen kundër armikut dhe gatishmërinë për t’i shërbyer atdheut. Në vitet shtatëdhjeta ngase kishte shfaqur urrejtje për armikun jugosllav do të konfrontohej me policinë e këtij armiku, por koha po kalonte dhe ai do t’i kthehej punës së tij, profesionit të tij si këpucar. Familja kërkonte forcën e shërbimet e duhura për vazhduar jetën. Ai kishte ndërtuar një çerdhe të ngrohtë familjare. Dashuria dhe përkushtimi për t’i rritur të shëndetshëm fëmijët e për t’i ushqyer shpirtërisht me dashurinë ndaj atdheut ishin pikat e orientimit të tij të pastër të shkëlqyer prindëror. Kështu bashkë me fëmijët të tjerë rritej edhe Bekimi, i cili me përkushtim e dashuri të madhe për lirinë e bashkimin e atdheut u radhit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ragipi që në moshë fare të re, që kur ishte katërmbëdhjetëvjeçarë  kishte filluar të punonte edhe si këpucar në Prishtinë. Ai këtë punë e kishte përsosur, e kishte bërë me mjeshtëri të madhe. Por edhe ai së bashku edhe me shokë e  të afërmit e tij kishte marrë pjesë në të gjitha protestat, demonstratat e kundërshtitë e shumta që ishin bërë kundër pushtuesit serb e jugosllav përgjithësisht. Ai, kështu, veproi e punoi deri më 1989, kur edhe kishte vendosur të shkonte përkohësisht në Suedi për të gjetur punë e për të rregulluar ekonominë familjare dhe kështu për të krijuar ndonjë fond të ardhurash që të rriste fëmijët e tij, të shkollonte ata,  të kishte lehtësira familjare, sepse jeta dhe gjendja ekonomike në Kosovë  rëndohej gjithnjë e më shumë, sidomos për familjet me shumë fëmijë si ajo e Ragipit.

Në dhe të huaj, në mërgim, jeta është e rëndë, mërgimtari në shpirt ka dhembjen që shoqëron gjithë jetën, dhembjen për tokën ku lind, por ka edhe zjarrin e dashurisë për të, e megjithëkëtë ka edhe lotin në sy, që i buron si shprehje e dhembjeve e vuajtjeve për atdheun, si shprehje e  ngacmimeve të përmallshme për njerëzit e për tokën, ajrin, ujin e rrezet e atdheut.  Në rrethana të tilla po rriteshin edhe fëmijët e Ragipit dhe kështu me këtë përkushtim, duke i mbajtur fort të lidhur me dashurinë e atdheut Ragipi i edukonte fëmijët  e tij.

Erdhi një ditë, kur zjarri i pushkëve të lirisë, i jehonës atdhetare po shfaqej trimërisht e me denjësinë më të pastër njerëzore e atdhetare. Pas luftimeve heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, Hamëz Jashari i dajës së tyre Sabit Geci dhe pjesës më të madhe të familjes Jashari, si dhe rënies heroike të tyre, në altarin e atdheut, Ragipi, i biri i tij Bekimi si dhe vëllai Hyseni u bënë pjesëtarë të denjë në radhët e lavdishme të UÇK-ës. Lufta e kryekomandantit të UÇK- ës Adem Jashari  i tregoi botës, se Kosova është e gjallë, se ajo është pjesë e pandarë e Shqipërisë së tërësishme, se lufta për liri dhe ngadhënjimin të idealeve shqiptare nuk ka të ndalur deri në jetësimin e plotë të tyre, njëkohësisht ajo i mobilizoi shqiptarët në të gjithë botën. Ja si shprehet profesori ynë i dashur dhe i nderuar, drejtori i Radios Kosova e Lirë Ahmet Qeriqi: “Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës…” Kështu edhe Ragipi i përgatitur nuk  hezitoi fare, por e miratoi fillimisht kërkesën e të birit të tij Bekimit dhe vëllait Hysenit për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së. Ja si shprehet Hysen Shulemaja në pyetjen që unë ia bëra, se si ishin organizuar për t’u bërë ushtarë të UÇK-ës: “Unë me  Bekimin kemi qenë ushtarë snajperista të UÇK-ës muajt e parë në prill dhe maj 1998 dhe komandant e kishim Ismet Jasharin komandant Kumanovën në Luzhnicë. Unë e kam pasur edhe mortajën 500 në përdorim.

Pas një kohe kur u ndez lufta në Bellaqevc, kemi shkuar si trupa përforcuese të ushtarëve trima të UÇK-ës në atë pjesë dhe pas tre ditë luftimesh Zona Operative të Shales na mori në radhët e e saj në njësitin e Sibovcit, ku unë kam qenë komandant kompanie.

Më vonë edhe Ragipi e lë mërgimin dhe radhitet në formacionet ushtarake të UÇK-ës. Ai mori pjesë në shumë luftime, por ajo që është më rëndësishme ta theksojmë janë luftimet  në Koshare, ku ai së bashku me shokët e tij shquhet për të thyer e dërmuar forcat ushtarake serbe, për të thyer kufirin që i ndante tokat e Shqipërisë, për të çliruar atë pjesë e cila u bë e lirë për luftën e heroizmat e UÇK-së dhe njëkohësisht ajo u bë e lirë për gjithmonë. Në këtë luftë të shenjtë atdhetare ra dëshmor kushëriri i Ragipit, Zeki Shulemaja, më 16.4.1999.

Kështu luftime pas luftimesh, beteja pas betejash dhe fitore pas fitoresh u çlirua Kosova dhe vetëm pas tre muajve të këtyre rrezeve të lirisë, siç dëshmon Hyseni , vëllai i Ragipit, atë  e qëlluan me tre plumba në veturën e një shokut të tij. Ja si shprehet Hyseni: “ Pas përfundimit të luftës, Ragipi synim e kishte që përsëri të vazhdonte profesionin e këpucarit në Prishtinë, ku e kishte edhe dyqanin mu në qendër të qytetit, që para se të shkonte në Suedi. Por ëndërrtat e tij ia këputi dora e zezë tradhtare në mbrëmjen e 17 shtatorit të 1999, atë e qëlluan me armë dhe e vranë pas shpine”

Ragipi i la pas bashkëshorten, Mihrijen, bijtë Bekimin, Besimin, Afrimin dhe bijat: Sanijen e Hyrijen.