Nga Isuf Ismaili
Përmbledhje shkrimesh e vlerësimesh në nderim të jetës dhe veprës së poetit, dramaturgut, prozatorit, njeriut humanist, dashamirësit të të gjithë shqiptarëve, atdhedashësit të shquar Dritëro Agolli.)
Disa vargje poetike nga pena e tij art:
“Ngaherë kam ecur me nënën Shqipëri,
Dhe pas krahut të saj jam mbajtur;
Para saj kam qenë përjetë çilimi,
Çilimi dhe burrë i matur…”
Në një poezi tjetër ka shkruar për bashkimin e trevave shqiptare:
“Ah, ti bëj dhe këngët të këndojnë Në një shtrat të vetëm me gjëmim, Këngë krahë e degë t
i bashkojmë
Mbledhur si dy Drinat në një Drin”
Për Nënë Shqipërinë ka shkruar:
“Qëndroj para teje,
Ja tek më ke,
Në krahët e tua,
Mua,
Birin tënd, shëmbëllimin e qenies tënde,
Atë që tha sa hapi sytë
Në djep:
“Të dua”
Dhe fjalën e peshës së rëndë e ruajtën malet e rëndë.”
Për Kosovën, dhembja dhe loti që e shtypin tokën:
«S’ e ngre nga Kosova dot kokën,
Nga dhembja koka rëndon.
I rëndë loti shtyp tokën,
Nga loti toka rënkon»
Nga Elona Dritëro Agolli
FONDACIONI KULTUROR “DRITËRO AGOLLI”
(Tiranë, më 29 shtator 2023)
Të dashur nxënës dhe prindër,
Shumë i dashur prof. Vaxhidi,
Të nderuar përfaqësues të shoqatës atdhetare Kulturore “Bashkimi”,
Të dashur të ftuar të pranishëm,
Në një atmosferë të veçantë organizohet sot kjo pasdite e bukur, vlerësimi së cilës përmes fjalës së duhur, mbiemër apo figurë letrare do të ishte i vështirë. E them këtë pasi në vetvete kjo ngjarje përmbledh shumë cilësi: ajo është edukative, mbi të gjitha, pasi duke njohur poetin dhe fjalën e tij të lëvruar, synohet drejtpërsëdrejti në dashurinë për gjuhën letrare shqipe, gjë që ndikon në përmirësimin e kulturës gjuhësore të brezit të ri, i cili aq shumë ka nevojë për këtë gjë.
Kjo pasdite ka edhe një tipar domethënës: Ajo frymëzon për një atdhedashuri të pamatur, për një dashuri e vëmendje ndaj vlerave kombëtare, trashëgimisë s sonë shpirtërore e kulturore.
Dhe së fundmi kjo pasdite ngre në piedestal punën e palodhur të mësuesve, të ndriçonjësve të mendjes dhe të shpirtit të nxënësve.
Janë ata përhapësit e diturisë, edukatorët e dashurisë për vendlindje e mëmëdhe, për gjuhën amtare e për historinë e kombit.
“Njeriu mëson gjithë jetën, – thoshte shpesh në biseda Dritëroi, – ai është student gjithmonë, qëkur është i vogël e derisa bëhet plak. Mëson të ecë, të bëhet i ri, të dashurojë, mëson të bëhet plak e mëson të vdesë. Në jetën e njeriut mosha e re është mosha e të papriturave, e sfidave. Por, njëkohësisht është edhe mosha më e mirë për të lexuar e shijuar leximin, atëherë kur libri të bëhet shoku më i mirë në çaste të lumtura por edhe në ato të trishtuara. Por nuk mjafton vetëm kaq, edhe libri i jetës, i natyrës, i shoqërisë, është po aq i rëndësishëm.”
Kështu këshillonte e bisedonte shpesh Dritëroi me të rinjtë, nxënësit e studentët.
Të dashur nxënës të shkollës shqipe,
Me librin jeta bëhet më e gëzueshme, ashtu si edhe me poezinë, arti me sublim i njerëzimit. Të mëdhenjtë njerëz të kulturës, të punës së mendjes, kanë bërë që toka amë të ketë më shumë dritë. Siç vjershëronte rilindësi i shquar Naim Frashëri.
Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.
Unë jam shumë e lumtur që sot kujtohet data e lindjes së babait tim, i cili me plot mburrje mund ta them, që është poeti frymëzues i brezave e brezave, i dashuri bard i popullit tonë, i shqiptarëve kudo që ata ndodhen, ndriçonjësi e optimisti në kohë të zymta, por edhe realisti e vëzhguesi i mprehtë në kohëra paqe e të zakonta.
Përmes prozës e poezisë së lëvruar nga ai, letërsia shqiptare ka kapur maja, duke theksuar fort tipare te identitetit tonë të patjetërsueshëm e të pangjashëm me askënd.
Është ky identitet kombëtar i cili do të bashkojë brezat ngaherë. Veçse përmes studimit, leximit dhe përhapjes së kulturës së trashëgimisë letrare shqiptare, identiteti ynë bëhet i pacenueshëm.
Uroj shumë që pasdite të tjera poetike e letrare të vijojnë në të ardhmen, që prof. Vaxhidi të mbajë përherë ndezur flakën e atdhedashurisë, dashurisë për gjuhën shqipe, për letërsinë e vlerat kombëtare.
Do të kisha ardhur me shumë dëshirë, por disa probleme akute të shëndetit më ndaluan udhëtimin drejt jush. Shpresoj shumë që t’ju takoj e përqafoj në rastin më të parë, të mundshëm.
Ju falënderoj sërish nga zemra për organizimin e kësaj ngjarjeje të bukur në nder dhe në kujtim të emrit dhe veprës së babait tim, Dritëro Agolli.
Mirupafshime e mirë u takofshim!
Nga ELONA AGOLLI
Profesor Vaxhidi, zgjodhi poetin e tij të zemrës – Dritëroin
Jo çdokush mund të bëhet e të jetë mësues i gjuhës amtare. Ai mësonjësi i gjuhës së nënës, nuk mjafton ta njohë mirë vetëm: gramatikën , drejtshkrimin, fonetikën, frazeologjinë e sintaksën, ai mbi të gjitha duhet, që atë ta ketë gjuhën e shpirtit, që ashtu si shpirti edhe t’i dhembë, por edhe t’i gëzohet fort bukurisë së saj. I tillë është prof. Vaxhid Sejdiu, me kujdesin e të cilit, dje u organizua një pasdite e rrallë me nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër, duke synuar që përmes dashurisë për poezinë dhe letërsinë të çmohet gjuha e bukur shqipe. Ai zgjodhi poetin e tij të zemrës, Dritëroin, duke e nisur ai i pari urimin për datën e lindjes së poetit, në këtë prag vjeshte, pasi përligjshēm është ajo, dashuria më e sinqertë e tij dhe e nxënësve të tij që duhet të urojë shkrimtarin.
Të falem nderës mësonjësi i përkryer, që përmes ngjarjeve të vogla e modeste në sy, përcjell mesazhe të mëdha
Nga Vaxhid Sejdiu
Vepra e Dritëroit, ndriçoi mendjet, zemrat e sytë e fëmijëve e nxënësve tanë
“Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin”
Të dielën, më 1 tetor 2023, nxënësit e ”Shkollës Shqipe”, organizuan festë të madhe shkollore, në Uster të Kantonit të Zyrihut në Zvicër, në shenjë nderimi dhe respekti për 92 -vjetorin e poetit kombëtar Dritëro Agollit. Nuk ka gjë më të bukur kur nxënësit e shkollave shqipe, të cilët edhe pse të lindur me mijëra kilometra larg vendlindjes së poetit, paralajmërojnë manifestimet që duhet të organizohen në përkujtim të veprës së tij madhore.
Programi shkollor u hap në shenjë kujtimi me zërin dhe vargjet e poezisë “Sikur s`jetoj në vendin tim”, të recituar nga vetë autori, duke vazhduar me një prezantim të shkurtër për autorin dhe veprën nga mësuesi dhe koordinatori i Shkollës shqipe në Zvicër,
Dr. Vaxhid Sejdiu dhe duke e përmbyllë pjesën e parë me fjalën përshëndetëse (video – mesazh) të bijës së Dritëroit, Elonë Agollit, e cila përgëzon mësuesit, prindërit dhe gjithë organizimin e bërë në shenjë përkujtimi të emrit dhe të veprës së Dritëroit. Programin e begatuan me fjalën dhe prezencën e tyre sekretar i parë i Ambasadës së R. së Shqipërisë, z. Valon Gashi, kryetari i Shoqatës “Bashkimi”, z. Guxim Alushi, z. Adnan Imeri, kryetar i “FHPBM”, gazetari Rexhep Rifati si dhe shumë mysafirë dhe veprimtarë të arsimit shqip në Zvicër.
Në këtë manifestim shkollor në qendër të vëmendjes ishin vetë nxënësit e shkollave shqipe Afoltern, Rümlang, Regensdorf, Dällikon, Fahrweid, Rüti, Wetzikon, Uster, Schwerzenbach, Volkteswil, Pfäffikon të Kantonit të Zyrihut, si dhe të pikave shkollore Neunhof dhe Spreitenbach të Kantonit të Argaut të përgatitur nga mësuesit Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, të cilët me një përkushtim të veçantë prezantuan vargjet, tregimet dhe këngët e Dritëroit.
Nxënëset Anesa Zymeri, Sara Zymeri, Eliona Muçaj Tana Limoni, Alea Halimi, Melisa Selimi, Anesa Huneli, Anesa Shaqiri, Lina Limoni dhe Ajlina Huneli me një përkushtim të veçantë prezantuan tri tregimet: “Sonata e tetë”, “Ujku” dhe “Shuarja e humorit”, kurse ish – nxënësja e shkollës shqipe Donikë Sejdiu, tani doktorante në Universitetin e Zyrihut mrekulloi publikun me këngën “Poçari”.
Në pjesën e dytë nxënësit Era Kelmendi, Nora Nocaj, Arianita Kryeziu, Lijana Idrizi, Amela Frangu, Eris Ferati, Eliesa Idrizi, Rina Morina, Aurora Zejnullahu Nejla e Alejna Kosumi, Rinesa Daka, Alea e Arnela Halimi, Rina Kelmendi, Arjan e Rejana Thaqi, Luiza Beqiri, Lorina Nuredini dhe Ajra Shala recituan vargjet e Dritëroit kushtuar atdheut, Devollit – vendlindjes së poetit, Naim Frashërit kurse nxënësja e shkollës shqipe në Neuenhof Melisa Selimi këndoi këngën “Kur të jesh mërzitur shumë”, këngë e krijuar me vargjet e poetit Dritëro Agolli.
Dhe në fund të programit nxënësit e shkollës shqipe kishin përgatitur në vend të “një tufë lulesh”, “një tufë këngësh” nga aktiviteti i tyre shkollor duke dëshmuar se vepra e Dritëroit si dhe vepra e shumë poetëve e shkrimtarëve kombëtarë nëpërmjet orëve mësimore në shkollën shqipe është ngulitur thellë në shpirtin e tyre. Me prezantimet e tyre të shkëlqyera mahnitën pjesëmarrësit nxënësit: Tana Limoni, Alea dhe Arnela Halimi, Eliza dhe Anika Zeqiri, Eliona Muçaj, Rina dhe Arta Morina, Lina Limoni dhe Gresa e Gentonis Shala, të cilët dëshmuan se shkolla shqipe është vatër e edukimit kombëtar.
Programi u mbyll me grupin e valleve “Dallëndyshet”, të cilët interpretuan vallen “Vallja e shqipeve” nën drejtimin e Diellza Alishanit të Sh.K.A. “Bashkimi” në Uster, dhe korin e shkollës shqipe me këngët “Xhamadani i ri” dhe “O, sa mirë që jam shqiptarë”.
Ashtu siç e tha edhe moderatorja Anila Muçaj, kryetare e këshillit prindëror në Dällikon të kantonit të Cyrihut, “njëqind e shtatëdhjetë e pesë fëmijë pjesëmarrës në këtë eveniment shkollor dëshmuan se ruajtja e gjuhës dhe kulturës kombëtare është obligim i yni moral dhe kombëtar dhe në këtë drejtim nevojitet një angazhim më i madh i mërgimtarëve në përgjithësi dhe prindërve shqiptarë në veçanti me qëllim që të realizojmë dëshirën dhe kërkesat në ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës amtare në mërgatën shqiptare.
“Vargje, këngë e lule për Dritëroin e madh sollën fëmijët nga Shkolla Shqipe Zvicër në një program të shkëlqyer artistik. Prindër, mësues e dashamirë të fjalës e vargut të Dritëroit, mbushën sallën plot në Uster të Zürich-ut. Ditëlindja e poetit u kujtua me një festë të vërtetë të nxënësve të mrekullueshëm të shkollës shqipe nga shumë kantone të Zvicrrës. Mësues , prindër e fëmije së bashku, na dhanë një emocion dhe një të vërtetë me vete: “Aty ku punohet, më vonë mund të këndohet”. Ju lumtë! Dritëroi do të ishte krenar me ju!
Nga Valon Gashi:
Nderim e përulje para figurës së shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli
Sekretar i Parë i Ambasadës së RSH-së në Bernë – Zvicër
Të nderuar të pranishëm!
“Shkolla Shqipe” në Zvicër, bashkë me këta fëmijë të zgjuar e të bukur na kanë mbledhur sot për një arsye të fisme kulturore, në nder shkrimtarit të shquar dhe Nderi i Kombit shqiptar, Dritero Agolli!
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, më lejoni t’ju përcjell urimin tim!
Ne jemi sot së bashku në shenjë nderimi dhe përuljeje ndaj figurës së madhe të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në përvjetorin e ditëlindjes së të përjetshmit Drithëro Agolli, ne kryejmë njëherësh aktin nderues dhe atë të shprehjes së mirënjohjes për figurën madhore dhe komplekse të Tij. Rikthejmë edhe një herë, në kujtesën dhe nderimin tonë, mirënjohjen për visaret dhe kryeveprat artistike të shkrimtarit tonë të dashur.
Përbashkojmë dhe shtojmë në emër të diasporës dhe emigracionit në Zvicër, nga të gjitha trevat, vlerësimin për autorë dhe vepra të shquara të letërsisë sonë kombëtare.
Dritero Agolli, ashtu sikundër e thotë një miku i tij i ndjerë, poeti i shquar popullor nga Jugu i Shqipërisë, Princi i Polifonisë Shqiptare Lefter Çipa, e ka zënë vendin nderues në majën e panteonit të kulturës sonë kombëtare, për shkak të vetive dhe lëndës shkrimore që na ka lënë.
Në shkrimin memorialistik:” Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit”, ndër të tjera Çipa i nderuar shprehet:
“Për këtë arsye, të nderuarit kombëtarë, kanë veti dritën, të cilën e derdhin për kombin, duke kryer, pse jo, flijimin e shpirtit dhe duke fituar shenjtërimin. Aspirimet e Dritero Agollit ishin edhe tonat, mes te cilave spikatën dituria, urtësia, dashuria për jetën dhe njeriun. Këto na krenonin. Virtytet e tij shpirtërore na çonin në zgjime zgjuarsie. Për këtë arsye, Dritero Agolli është i rralli ndër të rrallët”, – nënvizon poeti.
Të nderuar të pranishëm, i nderuari profesor Vaxhid Sejdiu, në emër të Ambasadës Shqiptare dua t’ju falenderoj dhe të shpreh vlerësimin tim që Ju nderoni një majë të lartë të kontributorve, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Bekuar qofshi!
I përjetshëm Driteroi ynë!
Nga Rexhep Rifati
Program madhështor i Shkollës shqipe në Zvicër, kushtuar poetit Dritëro Agollit
Me moton : “Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin”, qindra nxënës të Shkollës shqipe në Zvicër, në sallën e madhe të Bashkisë së qytetit të Ushterit në Kantonin e Cyrihut, shfaqën një program më se mbresëlënës, me recitime dhe këngë e valle, falë angazhimit të pashoq të trupës mësimore të kësaj shkolle në krye me mësuesin dhe koordinatorin e kësaj shkolle Dr. Vaxhid Sejdiun. – Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, përshëndeti Valon Gashi, sekretar i parë i kësaj ambasade, i cili përgëzoi Shkollën shqipe për hapjen e pikave të shumta shkollore.
E gjithë ajo mori mërgimtarësh që ishte dje prezent në manifestimin e Shkollës shqipe në sallën e madhe të Bashkisë së qytetit në Uster të kantonit të Cyriut, ishte më se e impresionuar me një program sa masiv aq edhe cilësor me moton : “Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin”, kushtuar poetit tonë kombëtar Dritero Agolli, shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror dhe ish- anëtar i Akademisë se Shkencave te Shqipërisë.
Që në fillim të programit, në emër të prindërve përshëndeti Anila Muçaj, e cila të pranishmëve iu drejtua me këto fjalë: “Të dashur fëmijë, të dashur prindër, gjyshe, e gjyshër, te dashur mysafirë, te dashur veprimtarë të shkollës shqipe! … Jemi mbledhur sot këtu në këtë aktivitet kulturor të organizuar nga shkolla Shqipe në Zvicër me rastin e përkujtimit të veprës se poetit të dashur të shqiptarëve anembanë ku janë, Dritëro Agollit.
Duke shtuar se në këtë aktivitet kulturor marrin pjesë fëmijët që ndjekin mësimet në shkollën shqipe në pikat e ndryshme shkollore nga kantone të shumta zvicerane. Ajo me këtë rast përgëzoi të gjithë prindërit që i mbështesin fëmijët e tyre në rrugën e dijes për sa i përket shkollimit dhe mësimit të gjuhës shqipe si dhe vlerat që mbart ajo si kulturore, etnike dhe historike. Ju jeni motivi dhe shembulli i mirë për brezat e ardhshëm.
Më pastaj u hap programi shkollor në shenjë kujtimi me zërin dhe vargjet e poetit tonë kombëtar Dritëro Agollit, e më pastaj një prezantim kushtuar veprës dhe jetës së Dritëro Agollit e bëri mësuesi dhe koordinatori i Shkollës shqipe në Zvicër, Dr. Vaxhid Sejdiu – me titull Dritëro Agolli,– bardi i letërsisë shqipe, me që rast prezantimi i veprës dhe jetës u shoqërua edhe me album fotosh të shkrimtarit
Në pamundësi për të marr pjesë në këtë program shkollor, e bija e Dritëroit, zonj. Elonë Agolli, kishte dërguar një video-xhirim shumë mbresëlënës për mes të cilit falënderonte organizatorët për këtë eveniment kushtuar babait të saj poet me përmasa kombëtare.
Më pastaj në skenë defiluan nxënësit e shkollave shqipe të cilët me një përkushtim të veçantë dhe nën përkujdesjen e mësuesve dhe prindërve të tyre mësojnë dhe ruajnë jo vetëm gjuhën amtare por edhe kulturën dhe identitetin kombëtar.
Ishte kjo një mundësi e mirë, që prindërit e shumtë dhe mërgimtarët tjerë të shihnin përkushtimin e këtyre nxënësve të shkollave shqipe në pikat shkollore; Afoltern, në Rümlang, në Regensdorf, në Dällikon, në Fahrweid, në Rüti, në Wetzikon, në Uster, në Schwerzenbach, në Volkteswil, në Pfäffikon të Kantonit të Zyrihut, si dhe të pikave shkollore në Neunhof dhe Spreitenbach të Kantonit të Argaut të përgatitur nga mësuesit Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu.
Të pranishmëve me një fjalë rasti – në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, iu drejtua z. Valon Gashi, sekretar i parë i Ambasadës, i cili përgëzoi organizatorët për një manifestim kaq masiv edukativo- arsimor kushtuar poetit tonë të madh Dritëro Agolli.
Në vazhdim po japim rrjedhën e këtij programi shkollor:
Një prezantim të tregimeve të Dritëroit, së pari tregimin,
“Sonata e tetë” – do ta prezantojnë nxënëset e “Shkollës Shqipe”në Dällikon Anesa Zymeri, Sara Zymeri dhe Eliona Muçaj
Pastaj, tregimi,
“Ujku” – nxënësit Sumaja Rexhepi, Tuana Rexhepi, Tana Limoni, Alea Halimi, Melisa Selimi, Enes Kastrati, Anesa Shaqiri, Lina Limoni si dhe tregimi
“Shuarja e humorit” – me nxënëset e “Shkollës Shqipe”: Lina Limoni, Anesa Huneli, Ajlina Huneli, Anesa Zymberi dhe Sara Zymberi.
Shumë vargje të Dritëroit me kalimin e kohës u bënë dhe këngë:
“Poçari”, këngë e cila është krijuar me vargjet e Dritëro Agollit, kurse ish – nxënësja e shkollës shqipe Donikë Sejdiu, tani doktorante në Universitetin e Zyrihut do të këndojë këngë për ketë eveniment.
Dritëro Agolli njihet në letërsinë shqipe me vargjet e tij të bukura, të cilat vargje sot janë pjesë e teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë. Në vazhdim vargjet kushtuar atdheut, Devollit – vendlindjes së poetit, Naim Frashërit etj. Të dëgjojmë:
“Gjuha shqipe” – Era Kelmendi
“Atdheut – Nora Nocaj dhe Arianita Kryeziu
“Devoll, Devoll” – Lijana Idrizi, Amela Frangu, Eris Ferati dhe Eliesa Idrizi
Naim Frashëri – Rina Morina dhe Era Kelmendi
kurse nxënësja e shkollës shqipe në Neuenhof Melisa Selimi këndoi këngën:
“Kur të jesh mërzitur shumë”, këngë e cila është krijuar me vargjet e poetit Dritëro Agolli.
VII.
Në këtë manifestim edhe më të vegjlit e shkollës shqipe morën pjesë me recitimet e tyre nga vepra e Dritëroit. Poezi nga jeta, fabula, përralla, fjalë dhe vargje të cilat reflektojnë mbi realitetin shqiptar.
Akrepi dhe bretkosa– Aurora Zejnullahu
Patat e egra – Nejla dhe Alejna Kosumi
Lojë me fjalët – Rinesa Daka
Kali dhe gomari – Alea Halimi dhe Arnela Halimi
Kujdes për fjalën – Rina Kelmendi
Mbrojtja e njeriut – Arjan Thaqi Këngë për vete
Rejana Thaqi dhe Luiza Beqiri dhe
Lorina Nuredini dhe Ajra Shala poezinë “Zjarre”
Bë vazhdim nxënësit e shkollës shqipe kishin përgatitur një tufë këngësh nga aktiviteti i tyre shkollor, duke dëshmuar se vepra e Dritëroit si dhe vepra e shumë poetëve e shkrimtarëve kombëtarë nëpërmjet orëve mësimore në shkollën shqipe është ngulitur thellë në shpirtin e tyre.
Ata me një tufë këngësh nderuan poetin kombëtar Dritëro Agolli:
“Gjyshi dhe sharkia” – Tana Limoni
“Një lahutë dhe një flamur “– këndojnë Alea Halimi dhe Arnela Halimi
“Kujtesa “ – Eliza dhe Anika Zeqiri
“Këngë për Nënën” këndon Eliona Muçaj
“Oj Kosovë oj nëna ime” – këndojnë Rina dhe arta Morina
“Me flamurin në zemër” – këndojnë nxënësit Alea Halimi, Lina Limoni, Tana Limoni, Gentonis Shala dhe grupi
“Kuq e zi” Gresa dhe Gentonis Shala
Bashkë me nxënësit e Shkollës shqipe ishin edhe më të vegjlit e Sh.K.A. “Bashkimi” Uster, të cilët dëshmuan për punën dhe angazhimin e Shoqatës në ruajtjen e kulturës kombëtare. Grupi i valleve “Dallëndyshet” u paraqit me vallen “Vallja e shqipeve” nën drejtimin e Diellza Alishanit.
Programi u përmbyllë me dy këngë kori, ku nxënësit e këtyre shkollave paraqiten këngët:
“Xhamadani i ri” – Kori i Shkollës shqipe
“O, sa mirë që jam shqiptarë” – Kori i Shkollës shqipe (të gjithë nxënësit pjesëmarrës).
Përmbyllja ishte më se mbresëlënëse, nisur nga fakti se në skenë dolën rreth 100 nxënës dhe secili nga ta donte të ishte në radhët e para për ti parë prindërit e tyre, por kjo ishte e pamundur, sepse nuk pati hapësirë të mjaftueshme. Por zëri i vogëlushëve me refrenin: “O, sa mirë që jam shqiptarë”, sikur jehoi edhe jashtë kësaj salle, deri në qiell!
Një meritë në tërë këtë organizim pati edhe Shoqata “Bashkimi” nga Ushteri, në krye me Guxim Alushin, që u përkujdes si për sigurimin e sallës ashtu edhe ushqimit.
Nga Isuf Ismaili
Veprimtari sa kulturore po aq atdhetare për jetën e veprën e të madhit Dritëro Agolli
Më, 1 tetor 2023 përjetuam kënaqësi të madhe , të jashtëzakonshme në veprimtarinë e shkëlqyer të vartës sonë arsimore ”Shkolla Shqipe” në Uster të Zvicrës, të prirë nga profesor dr. Vaxhid Sejdiu, veprimtar, mësimdhënës, shkrimtar, humanist e atdhedashës i shquar.
Në këtë ditë u bashkuam ne mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, bashkatdhetarët dhe dashamirësit e gjuhës e letërsisë sonë, për të nderuar jetën e veprën e poetit, dramaturgut, prozatorit, njeriut humanist, dashamirësit të të gjithë shqiptarëve, atdhedashësit të shquar Dritëro Agolli, i cili ka botuar vepra të shquara që e kanë dritësuar e dritësojnë letërsinë e gjuhën shqipe. Vepra këto që kanë motive të shumta, të pasuruara me bukurinë e pasurinë e gjuhës shqipe, gjuhës së këndshme, të pasur, të çiltër, të rrjedhshme e të dashur me të cilën që Dritëroi ynë i madh jo vetëm ka folur, por edhe i ka shkruar veprat e tij që janë e do të jenë pasuri e madhe në krijimtarinë e tërësishme letrare e kulturore shqiptare. Nga të gjitha këto motive në veprën e tij ngre kokë, motivi i atdhedashurisë, i përkushtimit për Shqipërinë e tërësishme e të natyrshme, siç thoshte ai, se Shqipëria përtej Drinit është Kosova e viset të tjera shqiptare që qenë të pushtuara nga Jugosllavia dhe pjesa tjetër është Shqipëria këtej Drinit, një Shqipëri e bashkuar përgjithmonë në zemrat e mendjet tona.
Organizimin e kësaj veprimtarie të shquar mbresëlënëse e kanë organizuar me shumë përkushtim, me profesionalizëm të përkryer profesor dr. Vaxhid Sejdiu e bashkëshortja e tij Qefsere Osmani, mësimdhënëse dhe nxënësit e mrekullueshëm, të cilët edhe pse në mërgim, recituan, kënduan me shumë përkushtim e dashuri dhe e ndriçuan mendjen e zemrat e tyre por edhe mendjet e zemrat tona, me poezitë e prozën e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Në këtë organizim qe e dha ndihmesën e saj edhe shoqata kulturore “Bashkimi” në Ushter (Uster) të kantonit Cyrih në Zvicër, po ashtu dhanë ndihmesën e tyre edhe disa mësimdhënës, prindër të nxënësve e veprimtarë, nxënësit etj., por protagonistët kryesor janë mësimdhënësit e shkëlqyer Vaxhid e Qefsere Sejdiu.
Në këtë pasdite kulturore u nisën ditët e festimeve për ditëlindjen e shkrimtarit të shquar të letërsisë sonë Dritëro Agolli, në nderim të jetës e veprës së tij. Në këtë ditë sa poetike, artistike, ku shëmbëlleu poezia e Dritëro Agollit, qe e ftuar edhe bija e tij e nderuar Elona, që përkujdeset me shumë përkushtim e dashuri të mbajë ndezur zjarrin e krijimtarisë letrare, njerëzore, atdhetare, shoqërore e përgjithësisht kulturore, që na vjen nga vepra e Dritëroit tonë të madh. Ajo flet me mall e dashuri të madhe jo vetëm pse Dritëroi është i ati i saj, por edhe sepse ai është shkrimtari dhe atdhedashësi i të gjithë popullit shqiptar e trojeve të tij natyrshme arbërore. Por, për shkaqe shëndetësore, ajo nuk pati mundësi të vinte në mesin tonë, por megjithëkëtë ajo na e dërgoi një video, nga e cila na përshëndeti e na uroi përzemërsisht dhe premtoi se në organizimet kulturore e artistike, shoqërore e vëllazërore në të ardhmen do të vijë e do të na nderojë me praninë, fjalën e përkushtimin e saj.
Në këtë pasdite kulturore e mori fjalën profesor Vaxhidi, i cili foli për jetën e veprën e Dritëro Agollit, me shumë përkushtim, profesionalizëm e nderim.
Duke mos u zgjatur më shumë në këto momente, uroj që veprimtari të tilla të kemi sa më shumë, uroj që profesor Vaxhidi, mësusese Qefserja, mësuesit të tjerë, nxënësit dhe bija e shkrimtarit të shquar Elona të kenë veprimtari të mbarë, shëndet e gjithë të mirat! Nderime e suksese ngaherë!