Vepra heroike e heroit të kombit Afrim Zhitija

Afrim Zhitia, lindi më 14 shkurt të vitit 1965 dhe ra dëshmorë më 2 nëntor 1989, është dëshmor i popullit shqiptar. Afrim Zhitija është i lindur në fshatin Llugë të komunës së Podujevës në Kosovë.
Ishte një nga aktivistet dhe organizatorët e Lëvizjes Popullore te Kosovës të viteve të 80-ta. Me 2 nëntor 1989 Lagjja Bregu i Diellit ne Prishtinë rrethohen nga forcat serbe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Pas luftës 10-orëshe bien heroikisht Afrimi së bashku me Fahri Fazliun.
Qëndresa e këtyre dëshmorëve ishte inkuraim dhe ngritje e moralit për të rinjët kosovarë dhe për shumë prej tyre ishin idolë dhe shembull si të mbrohej atëdheu. Me 11 gusht 2007 në fshatin e vendlindjes të Afrim Zhitisë u vu Gurëthemeli i Vendit perkujtimor memorandues, ku morren pjesë shumë bashkveprimtar dhe luftetar te lirise si dhe politikane lokal dhe kosovar te percjellur nga mediat kosovare.

Vepra heroike e heroit të kombit Afrim Zhitija

 Shkruan : Teuta Zymberi

 Më 8 tetor 1983, Afrimin e përcjellin ushtar në Banjallukë. Pushteti na pati në sy neve si kundërshtarë të rrezikshëm të tij. Afrimi sikur e trashëgoi rrugën e gjyshit-Sylë Durmishit. Edhe babën tim e vranë çetnikët serbë. Me 11 janar 1984 pas vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrimi më lajmëron në telefon se e kanë marrë në pyetje hetuesit e gjyqit ushtarak.

Dhe më 14 shkurt 1984 e burgosin dhe ne tek mbas 6-8 ditësh informohemi se Afrimin e kishin sjellë në burgun e Prishtinës. Nga Prishtina e çuan në burgun e Mitrovicës. Gjashtë muaj në hetime. Vizitat kanë qenë vetëm tre minuta. Më kujtohet kur gjykatësi, Ahmet Ahmeti më thoshte për Afrimin: ” A po shkon me pa kasapin

 ” KURRË NUK DO TË PENDOHEM!

 Me datën 19 gusht 1984, Afrimi del në gjykim me grupin e Sejdi Veselit. Afrimi ishte shumë i ri. Ende nuk i kishte mbushur 19 vite. Prej njëzet vetëv që ishin dënuar ka qenë më i riu .

 Dhe si i ri që ishte në moshë, gjykatësi Ahmet Ahmeti e pyeti: ” Afrim ti je shumë i ri, a pendohesh për veprën që e ke bërë? Jo, nuk pendohem dhe kurrë s’do të pendohem. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit do të punoj për Kosovën e lirë, do të punoj deri në vdekje .jehoi përgjegja e Afrimit.

 Gjykatësi iu kërcënua me këto fjalë: A e din që je para gjyqit? Por, Afrimi shumë i vendosur i thotë gjykatësit: Unë i përkas popullit dhe vetëm populli mund t’i dënojë bijt e tij, e jo ky gjyq!

 BETIMI PARA FLAMURIT KOMBËTAR

 Pas pyetjes së gjykatësit, se, a e ka dhënë betimin, Afrimi përgjigjet: Kurrë më i lumtur s’kam qenë, se atë ditë kur u betova para flamurit kombëtar me yll në Bregun e Diellit. Në ditën e fundit të gjykimit, Afrimi u dënua më 8 vjet burg. Afrimin e çuan në burgun e Mitrovicës.

Mbas një kohe ende pa i bërë shtatë muaj, atë e transferojnë në kampin ” Zabella ” në Pozharevc të Serbisë. Kushtet ekonomike në atë kohë ishin të rënda, ishte ajo kohë kur njerëzit nuk i kuptonin të gjitha problemet. Kam kërkuar paketë të thatë për të shkuar në vizitë tek Afrimi, por s’më kanë dhënë. Vizitën e kishim çdo muaj në ora shtatë të mëngjesit, mirëpo ne familjarët prisnim deri ora tre pasdite. Ky ishte maltretim për ne. Në muajin maj shkova prapë.

Afrimin e kishin dënuar me qëndrim një muaj në qeli. Kishin caktuar ndalesë tre muajshe për pakot nga shtëpia! Tre muaj pa asnjë letër! Vizitat gjysmëorëshe i kishin shkurtuar në 15 minuta! Në këtë vizitë djalin e pashë vetëm pesëmbëdhjetë minuta! Ishte dobësuar mjaft shumë dhe vetëm në bazë të dhëmbëve e njoha se është Afrimi!

GREVA TETËDITËSHE E URISË

 Mbas një muaji në qeli, Afrimi u bashkohet shokëve në grevë të urisë në shenjë proteste për shokët e tyre, Fadil Vatën ( nga Suhareka ) dhe Sami Kurteshin ( nga Gjilani ), të cilët i kishin futur në dhomë me narkomanë dhe homoseksualë. Në grevë merrnin pjesë edhe Beqir Beqa, Nezir Myrtaj, Bardhyl Berisha etj. Ne u informuam për grevën e bijve tanë dhe shtatë prindër shkuam te Vesel Latifi për t’u ankuar.

 Mirëp, Vesel Latifi nuk na pranoi në bisedë dhe shkuam tek Kolë Shiroka, atëherë kryetar i Komitetit Krahinor, por edhe ai na përzuri. Afrimi i mban 4 vite burg. Më 14 shkurt lëshohet nga burgu. Por edhe pas lirimit, Afrimi vazhdon punën e Lëvizjes duke mos u ndarë në asnjë çast nga kërkesa e Kosovës Republikë…( edhe pse kërkesa për bashkim kombëtar ishte e ngulitur qysh atëherë në trurin e Afrimit). Baca Osman, i cili qëndron shumë i fortë gjatë rrefimit të tij për djalin, sikur i mbushen sytë me lot dhe sikur në një anë i qeshin sytë, sepse duket krenar derisa i rrëfen të gjitha këto peripeti që kishte përjetuar bashkë me me Afrimin. . ..

Më kujtohet kur u vra Ali Ajeti. U ula para shtëpisë dhe fillova të qaj. Afrimi erdhi e më pa me lot në sy: ” Ah, babë, me lot s’ka asgjë. Lirinë s’ta falë askush… Liria pa gjak s’vjen…” Ku është nëna , më tha, se nënën e donte shumë. Por, mu afrua dhe prapë më tha: ” Po, babush, sikur të ndodhte, Ty, më e madhe?!”

 PËR HERË TË DYTË USHTAR

 Pas daljenga burgu, Afrimi, qëndron një vit e tetë muaj. Më 18 qershor 1989 për herë të dytë Afrimin e marrin ushtar në Shibenik për t’i kryer muajt e mëparshëm. Më 13 shtator 1989 vjen në pushim dy ditësh. Ai erdhi bashkë me shokun e tij më të ngushtë, Fadil Vatën dhe biseduan tërë natën.

 Ndërkohë edhe djali i vogël, Naimi pas dy ditësh shkonte ushtar në Maribor. Afrimi e përcolli Naimin dhe atë natë nuk u kthye. Erdhi të nesërmen në ora dhjetë mëngjes.

 NISJA NË ILEGALITET

 Kur do të nisesh Afrim i thashë: ” Në ora 17:30 minuta…”më tha. Pse e do më shumë nënën se babën, i thashë duke e përqafuar. ” Babush, unë ju dua të dyve, por femrat tona kanë qenë gjithmonë të shtypura “. Na përqafoi të gjithëve me mall. Ma shkruaj një letër , i thashë. ” Do të shkruaj…mos u bëj merak…”ishte fjala e fundit e Afrimit

. Dhe më datën 27 qershor 1989, policia erdhi ta kërkojë Afrimin në shtëpi, sepse Afrimi nuk ishte kthyer në garnizon! Tre javë pa u vrarë Afrimi, në Gjermani vranë djalin e axhës së Fahri Fazliut. Shkova për të parë në Podujevë, aty ishte edhe Fahriu. Unë as që e kam ditur që njihen me djalin tim. Kur kam dalur më ka përcjellur dhe më rroku për krahu duke më thënë: ” A e ke parë Afrimin? A po vinë të kontrollojnë policia?

Mos u mërzit, Afrimi është mirë! ” Unë u preka shumë. Pse s’ka dalur Afrimi në Zvicër, ” jo, Afrimi ka punë ketu në Kosovë”, më tha. Fahriu ishte i maskuar me një shallë dhe bile unë mendova se mos i dhemb dhëmbi…

 I PAIDENTIFIKUARI N. N

 2 nëntor 1989.

 Lajmet e orës 20:00 të mbrëmjes informojnë për krismat që bëhen në Bregun e Diellit. Dy të rinj u vranë! U mërzitëm shumë për Fahri Fazliun. Për tjetrin dyshonim se është Afrimi. 4 nëntor 1989. Bëhesha gati të shkoja në varrimin e Fahriut.

 Ende pa dalë një automjet i policisë hyri në oborr. Të gjithë prisnim lajm! Edhi lajmi erdhi! Më morën dhe më çuan në kapellë të spitalit. Ishin dy policë. Aty pashë kufomën e Afrimit dhe një të riu tjetër. Mendova se është Fahriu. Desha t’i them diçka, por policët më kërcënuan.

A e njeh këtë? ” “Qysh se njoh djalin, që e kam rritur vetë. E përshëndeta Afrimin me grusht! Lavdi të qoftë bir, fytyrën s’ma ke marrë! Aty ia dhashë besën, se pikë loti s’do të lëshoj në sy. Dy orë më mbajtën në SPB. Pastaj e kam marrë kufomën e kam dërguar në shtëpi. U kam thënë njerëzve të familjes: Asnjë pikë loti për familjen. ” 5 nëntor 2005 Varrimi zgjatë prej orës 12:00 deri ora 16:00 pasdite.

Prisnim djalin e madh, Sylën nga Zvicra. Naimin nuk e lejuan të vijë të përshëndetej me vëllain nga ushtria. Dëshmori Fahri Fazliu

 DY KRISMA NË BREGUN E DIELLIT: BLLOKU NUMËR 6 HYRJA A/7

 E enjte, 2 nëntor 1989. Në banesën e Fahri Fazliut, Prishtinë. Erdhën në banesë. Të dy dukeshin të lodhur. Gjersa Fahria, motra e F. Fazliut, e përgatiste drekën, nga jashtë vëren lëvizje policësh dhe menjëherë u tregon Afrimit dhe Fahriut.

 Në moment numri i policëve dhe i tankeve shtohej gjithnjë e më shumë. Afrimi dhe Fahriu nga dhoma e pritjes shohin se janë të rrethuar. provojnë nga dhoma tjetër ( nga ana e Matiqanit) të kërcejnë, mirëpo prapë s’kanë mundësi.Spiuj, policë, njerëz civilë kishte shumë edhe andej. Banesa ishte rrethuar ne të gjitha anët.

Nga dhoma e pritjes Fahriu dhe Afrimi kërcejnë nga dritarja në tokë.Derisa ata përgatiteshin të dilnin, dëgjohen të rënat në derë. Policët thyen derën dhe iu drejtuan me automat Bahrijes, kunatës së Fahri Fazliut, dhe Fahrijes duke ju thënë: ” Ku janë të tjerët kah kërcyen? Ishin më se 26 policë. Jashtë dëgjohej krisma e dy personave civilë pas automobilave.

Rreth e rrotull banesës ishin policë të armatosur deri në dhëmbë dhe përballë banesës qëndronin dy tanke. prej orës 12:30 deri në ora 18:00 në mbrëmje, krismat nuk pushuan… Afrimi plagoset i pari në këmbë ende pa hyrë në Bllokun numër 6. Fahriu e merr në krah dhe hyjnë në hyrje të këtij blloku. Të dytë qëndruan aq sa mundën… Thjeshtë, një luftë e dy të rinjve me një numër 500 policësh të armatosur! Afrimi vdes më herët. Fahriu vazhdon luftën vetëm. Në ora 18:00-të krismat pushojnë tërësisht.

 Një qetësi e rëndë! Bregu i Diellit vazhdon të shkruajë një baladë për dy lule gjaku…Afrimi gjashtë plumba në trup e një në ballë…Fahriu dy plumba në këmbë e një në ballë…

 Dëshmorë e shok ideali : Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Fadil Vata ( Njoftoj lexuesit se ky shkrim është i argumentuar nga rrëfimi i bacit Osman, babait të Afrim Zhitisë dhe Fahrijes, motrës së Fahri Fazliut. Ky shkrim është botuar më, 20 shkurt 1991 në gazetën ” Bota e re”, Prishtinë/ Teuta Zymberi ).