Nga Ahmet Qeriqi
Kënga e Kolë Gjegjit dhe Kënga e Lym Hoxhës
Stigmatizimi i tradhtisë në këngët tona rapsodike dhe popullore është një temë e veçantë, e cila shtrihet në sinkroni e diakroni, në kohë dhe hapësirë, në mbarë trojet e Shqipërisë,duke filluar nga antikiteti, te këngët legjendare të Mujit e Halilit e deri te mallkimi i tradhtisë në luftën tonë çlirimtare e paskëtaj.
Kur merret në trajtim kjo temë doemos se studiuesi ballafaqohet me dilemë morale, meqë po të gjurmohet me kujdes kjo lëngatë e kombit, jo më larg se nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona, mund të konstatojmë me keqardhje se sa më shumë që është luftuar ky fenomen, sa më shumë që është stigmatizuar, duket sikur aq më shumë ka marrë përmasa dhe ka ngritur kokë.
E tillë me përmasa zezonash, tradhtia ka ngrehur kokën edhe sot, madje duke u drejtuar edhe kundër luftës më të lavdishme të historisë sonë më të re.
Dëshmitë e disa dëshmitarëve të mbrojtur në Hagë, në dobi të regjimit të Milosheviqit, janë neveria më e pështirosur, që është shënuar ndonjëherë, sepse nuk kemi të bëjmë me një e dy raste, por me qindra raste shpirtshiturish, të cilët duke qenë të radhitur në anën e zezë të historisë, tani mundohen të paraqiten të pafajshëm për krimet e tyre, pavarësisht pasojave që do të kenë ata dhe të arrestuarit e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.
Duke gjurmuar përmbajtjen e disa këngëve popullore çeçene, kemi zbuluar se nuk e gjejmë të shprehur fare këtë fenomen nëpër këngët e tyre, edhe pse jeta e këtij popullit të vogël përballë një Perandorie të fuqishme, sikur është Perandoria gjithnjë despotike ruse, ka pjellë shumë bijë bastardë, por çeçenët nuk merren me tradhtinë, ata, thjesht e likuidojnë tradhtarin, ata nuk i këndojnë shembullit, për të ushtruar ndikim te populli, qoftë për të mirë qoftë për të keq, sikur bëjmë ne. Ata thjesht e likuidojnë tradhtarin dhe e lënë gjak-hupës. Ky aspekt i trajtimit të tradhtisë te çeçenët duket i çuditshëm, dhe për mendimin tim është rast fenomenal. Ndërsa edhe hakmarrja shtrohet përtej hakmarrjes shqiptare, që është po ashtu fenomenale.
Shqiptarët këndojnë këngë me qëllim për ta stigmatizuar tradhtinë dhe për të mos u përsëritur një akt i tillë bastard, por çuditërisht sa më shumë e stigmatizojmë aq më shumë kanë ndodhur e po ndodhin raste tradhtie.
Studiuesit tanë të folklorit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij fenomeni, që mund të jetë trajtuar mbase edhe fenomen i kushtëzuar nga rrethanat historike të jetës së këtij populli nën robërinë shekullore të Romës, Bizantit, Turqisë dhe Serbisë.
Kësaj radhe do të marrim në shqyrtim dy këngë të tradhtisë, të njëjta nga përmbajtja e motivi, por që u përkasin dy kohëve. E para kënga e Kolë Gjeqit, i përket kohës së Bushtalinjëve të Shkodrës dhe e dyta, kohës së Ahmet Zogut. Kënga e parë është shënuar në Kurbin, tjetra në Shqipërinë e Mesme, të cilën e ka kënduar rapsodi i mirënjohur shqiptar, Tomë Nikolla.
Kënga e Kolë Gjeqit
Në Kurbin të Shqipërisë së mesme është shënuar edhe një këngë shumë karakteristike, që ka të bëjë me tradhtinë dhe vëllavrasjen.
Edhe me këtë rast tradhtia vjen nga Shkodra, por jo nga Veziri, as nga Bejtash Aga apo Bejta Syla, por nga një cub shkodran. Veziri i Shkodrës kishte premtuar shumë lira, për personin, i cili do ta zinte apo do ta vriste, Kolë Gjeçin. Me qëllime lakmie e përfitimi, një shkodran, (kënga popullore nuk na njofton me emrin e tij) që ishte rritë në bukë të familjes së Kolë Gjeçit, ndërsa nënën e tij e konsideronte si motër, kontakton me Kolën, duke ia fshehur sa më thellë dyshimin. Pasi i shtrohet buka, dhe qëndron si vëlla në shtëpinë e moçme, ai prezantohet si vëlla i largët, Kola e pyet të ëmën:
-Pa vështro ti mori nanë,
-Ata miq që erdhën mbramë,
-Pse kanë ardhë ata shkodranë?
-Për me m’ vra, a për me m’ nxanë?
Nëna e bindur se shkodrani, të cilin e kishte rritë me bukë nuk do të bënte akt tradhtie i përgjigjet të birit:
-Pasha nanën je tuj gabue,
-Njani sish asht gjak me mue,
-Vllazen jemi, e nuk e drue
-Shpija jem e tij ka kanë.
-Bukën tem aj e ka ngranë.
Edhe me këtë rast, ashtu sikur me rastin e Hajrie Garrisë, nëna e Kolë Gjeçit gabohet duke qenë thellë e bindur në qenien e saj se, njeriu të cilin e kishte rritur me bukë nuk do ta tradhtonte. Shkodrani, pas disa ditësh e vret më pritë Kolë Gjeçin, ia heq kokën, e vendos së calik dhe shkon te Veziri në Shkodër, të cilit i drejtohet:
-Tu ngjatë jeta shka ke urdhnue
-Urdhni sot në vend të ka shkue,
-Ti kolë Gjeqin e ke lypë,
-Qe ku e ke, në ket calik.
Veziri shqiptar, çmeritet kur e kupton se vrasësi, është njeriu, që është rritur në bukën e Kolë Gjeçit, të cilin ai e kishte trajtuar si vëlla. Duke u zemëruar për veprën e tij të ligë, Veziri ia kthen vrasësit:
-Flliqë na i paske vend e votër,
-Tue tradhtue vëlla e motër,
-Mbasi vllanë me vra ke shkue,
-Ti gja s’ lejke pa punue,
-Varne cubin qen t’ terbue,
-Se Shqipninë e ka shnjerëzue!.
Këtë fjalë të rapsodit anonim shqiptar, të shqiptuara nga një Vezir i Shkodrës, ngenë një dilemë morale e kombëtare të Vezirit, i cili duke qenë në shërbim të Perandorisë Osmane, kishte për detyrë të kapte kundërshtarët e regjimit dhe t’ i dënonte sipas ligjit, për veprat që u ngarkoheshin. Në rastin konkret, kur Veziri mëson se cubi i kishte prerë kokën tradhtisht, njeriut i cili ishte rritur me qëmshin e nënës së Kolë Gjeqit, ai merr qëndrim si shqiptar i traditës, duke dënuar për veprën e neveritshme kundër traditës, nderit, besës e gjakut.
Kënga e Lym Hoxhës
Kënga e Lum Hoxhës, të cilën e ka kënduar rapsodi i mirënjohur, Tomë Nikolla, e cila gjendet, në “youtoube”, po kështu stigmatizon tradhinë e ndodhur brenda miqësisë e vëllamërisë. Lym Hoxha, personazhi kryesor i këngës ishte një atizogist të cilin e ndiqte regjimi për ta likuiduar, sidomos pasi kishte vrarë disa xhandar, në një pritë që ata i kishin zënë.
Krisi pushka n’ ato kodra,
Luftë po bante, ai Lym Hoxha,
Luftë po bante për Bajrakun,
Pika pika e derdhte gjakun,
Në Qafë të Murrizit skaj nji lisi,
Pushka Lymit idht’ i krisi,
I la t dekun poshtë humnerës
Do xhandar të Hysen begut.
Vrasja e xhandarëve e kishte zemëruar tej mase vet, Mbretin Zog, i cili kishte lëshuar një urdhëresë për ta kapur vrasësin, madje duke shpallur çmimin në 300 napolona (monedhë e kohës së Zogut) për atë që do ta kapte gjallë apo ta vriste, Lym Hoxhën. Ai urdhëron xhandarët që sa më parë ta kapin Lym Hoxhën.
I shkoi fjala Zogut Mbret,
Hysen begut po i bërtet,
-Lsho fermanin n’ milet
-Kryet e Lumit kush e pret
-Kush e pret Lymin në kët anë
-Ka m’ i marrë treqin napolonë.
Këngëtari anonim popullor stigmatizon tradhtinë, në këtë rast shembullim më paprecendt sikur ishte Ahmet Reçi, mbase edhe Isuf Reçi vrasësi i Avni Rrustemit. Këngëtari përmend emrin e Ahmet Reçit, i cili ishte një besnik i regjimit të Zogut. Ai e stigmatizon si besëprerës dhe njeëri të dalë fare.
Ahmet Reçi një trdhtar,
Hysen begut po i qon fjalë,
-Unë tha Lymin e pres vet,
-E kam mik e shok përjetë,
Një natë Lumit i qoi fjalë,
-Në shtëpinë teme ke me ardhë
-Ki me ardhë sonte në shtëpi,
-Kam shumë mall me t’ pa me sy
-Edhe unë e robtë e mi.
Po çka ndodhi haj medet,
Mbasi i bani muhabet,
Ja preu kokën në shtëpinë e e vet.
E çoi në Tiranë te Zogu Mbret,
Kryet e Lymit e qoi në Tiranë.
Tanë Krahina u que në kambë,
-Po ky djalë ku paska qanë,
-Në Selishtë të Madhe pritë tue zanë.
Qaj Lym Hoxha la një fjalë,
– Babes tem keni me i thanë,
– Kurrë ni marre nuk ia kam lanë.
Gjithë Selita në zi ka ra
Për Lym Hoxhën që asht vra.
Këtu kemi edhe një element tjetër. Ahmet Zogu kishte kishte shpallur kumtin se ai që e vstiste Lym Hoxhën, do të merrte 300 napolona, pavarësisht se kush e kryente aktin e vrasjes. As kur mësoi se atë e kishte vrarë miku në besë, madje në shtëpinë e tij ku më parë i kishte dhënë edhe bukë për të ngrenë, ai nuk u ndodh para dilemës morale e kombëtare, sikur kishte bërë Veziri i Shkodrës, 100 vjet më parë në rastin e Kolë Gjeqit.
Këngëtari popullor në këtë rast anatemon tradhtinë, anatemon prerjen në besë të mikut, që binte ndesh me traditën e besës, nderit, gjakut, binte ndesh me Kanunin e Lekë Dukagjinit, me Kanunin e Maleve dhe atë të Skënderbeut.
Ai në fund të këngë lëshon mallkimin:
Ahmet Reçi, të humbtë oxhaku!
Ta baftë gjamën gjithë Bajraku!
Kush e pret mikun për pare,
Gjithmonë fara ka m’i dalë fare.