Nga Vaxhid Sejdiu
prezantua libri “Bijat e gjeneralit” të Mimoza Hysës i përkthyer në gjuhën gjermane nga Loreta Schillock dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Anthea Verlag Berlin”, nën mbështetjen e shtëpisë se Përkthimit “TRADUKI”.
Botimi i librit “Bijat e gjeneralit” të Mimoza Hysës në gjuhën gjermane ishte shkas i organizimit të promovimit në Cyrih të Zvicrës. Një mbrëmje e mrekullueshme në shërbim të librit, letërsisë dhe kulturës shqiptare ku morën pjesë nxënës, mësues dhe dashamirë të librit, të cilët me prezencën dhe bashkëbisedimin e tyre me autoren Mimoza Hysa, i dhanë mbrëmjes një “frymëmarrje” ndryshe.
Programi filloi me një melodi instrumentale me kitarë “Canario” nga Gaspar Sanz, interpretuar nga Vendim Thaqi, mësues dhe «shef i derpartementit» për kitarë në shkollën e muzikës «MKZ» (Musikschule Konservatorium Zürich. Më pas ishte “e zonja e shtëpisë” drejtoresha e bibliotekës Suela Jorgaqi, e cila me një fjalë përshëndetëse ju dëshirojë mirëseardhje autores së librit, përkthyeses dhe gjithë pjesëmarrësve, si dhe foli për bibliotekën të cilën ajo e drejton, e cila është mjaft e pasur edhe me libra shqip.
Autoren Mimoza Hysa dhe autoren e librit të përkthyer profesoreshën e Universitetit të Shtutgartit Loreta Schillock i prezantoi Vaxhid Sejdiu, mësues dhe bashkëkryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, i cili pasi prezantoi jetën dhe krijimtarinë e tyre letrare foli shumë shkurt edhe për librin, duke theksuar: “Ajo që më ka bërë përshtypje në roman është figuracioni dhe meditimi letrar që lirisht mund të thuhet se është një meditim poetik. Përplasja e karaktereve, situatave, gjuha e pasur, rrjedha e lirë e mendimit e sjell lexuesi deri në faqen e fundit sa çel e mbyll sytë. Një libër që të bënë për vete po sa ta fillosh sepse dy anët e medaljes e mira dhe e keqja e mbajnë lexuesin pezull. Dy personazhe Marsina dhe Martina që kanë shumë çka të përbashkët por në mes një jetë konfliktuoze që zhvillohet në vazhdimësi duke prekë të gjitha gjërat që i rrethojnë. Historitë, dashuritë, miqësitë, fatet e tyre portretizohen nëpërmjet gojës së personazheve mjeshtërisht nga dora e autores duke i dhënë forcë mendimit shpesh herë edhe nëpërmjet pyetjeve. Por në vazhdimësi duke i përballë fortë dhe “ftohtë” personazhet në mes veti”.
Bashkëbisedimin me autoren Mimoza Hysa e zhvilloi përkthyesja Loreta Schillock, e cila gjithashtu lexoi edhe fragmente nga libri në botim gjermanisht. Në mes tjerash dallojmë edhe këtë: Pyetjes, si i keni përshkruar dy personazhet, të cilat janë dy motra, janë binjake, por që duket sikur është vetëm një personazh, i ndarë që përfaqëson dy karaktere? – Ajo do t`i përgjigjet: “- Jam shumë e kënaqur, sonte, që ndodhem në mesin tuaj, në këtë promovim të librit tim…Pse, kjo histori, pse ky fillim i romanit? – Dua t’i theksoj disa fjali të një shkrimtari: ”Në zemrën e secilit prej nesh rron e mira dhe keqja, por edhe gjithçka që ndodhi më parë u bë, pikërisht, nga ne, prandaj për t’ u kuptuar shkaqet, duhet të nisemi nga vetja”. Nuk mund të ketë reflektim për një situatë, në qoftë se nuk nisemi nga vetja…I tërë romani është një përplasje mendimesh për të kuptuar se çfarë ndodhi atëherë e çfarë ndodh sot..”.
Kurse mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Isuf Ismaili pasi që e kishte lexuar librin ndau me pjesëmarrësit një fragment të shkurtër nga libri: “Jeta nuk është një bredhje pa ideal, pa qëllime, pa vendngulje. Pa tabel nderi. Pa mure. Të duhesh të ngulesh në një vend, të ngresh një gardh, të hedhësh një rrënjë, t’i mbrosh me gjak, të mos lejosh njeri t’i përdhosë. Ja kjo është jeta. Jo të jesh erë e furtunë. Të ndërrosh gjuhë, fis, të duash çfarë është larg, të vrasësh çfarë është afër. Nuk është çfarë të shkrepet të bësh, por çfarë sakrifikon të jesh”.
Në fund promovimi u mbyll me një interpretim mbresëlënës të nxënëses së shkollës shqipe në Neuenhof, Melisa Selimi, e cila këndoi këngën me vargjet e Dritëroit “Kur të jesh mërzitur shumë” dhe me një melodi instrumentale për kitarë tradicionale Shkodrane me titull “Pranvera fillo me ardhë”, përshtatur për kitarë nga Vendim Thaqi.
Dhe fare në fund të shkrimit jam im obliguar të falënderoj të gjithë ata, të cilët me prezencën dhe bashkëbisedimin e tyre e shndërruan mbrëmjen në një mbrëmje të veçantë. Falënderoj Konsullin e R. së Kosovës z. Avni Zejnullahu për pjesëmarrjen, bashkëveprimtarët të cilët pjesa më e madhe e tyre erdhën nga anë të ndryshme të Zvicrës, drejtoreshën Suela Jorgaqi, bashkëveprimtarët Lumnije Klinakun – Neziri, Anita Duriçin, Xhezair Misinin, Isuf Ismaili etj. , veprimtarët: Vlorë dhe Adnan Asllanin, Eleonit Smajlin, Rexhep Nezirin, Orhan Spahiun, Selami Nezirin, dhe kolegët, mësuesit, të cilët me prezencën e tyre begatuan promovimin e librit: Nuraj Iljasi, Lumnije Klinaku – Neziri, Zeqir Kelmendi, Besarta Halili, Isma Zaimi, Anita Duriçi, Miranda Ramani, Isuf Ismaili, Asime Veliu, Lumbardha Klinaku, të cilët në bazë të pyetjeve të parashtruara shihej se e kishin lexuar librin, të botuar kohë më parë në gjuhën shqipe.
Pas promovimit të librit drejtoresha e bibliotekës znj. Suela Jorgaqi për të gjithë pjesëmarrësit kishte përgatitur një apero, e cila u bë shkas për të vazhduar edhe pas dy orëve promovimi, bashkëbisedim në këmbë, me libër në dorë dhe si zakonisht një nënshkrim nga autorja.