LOKJA DHE MËRGIMTARI

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Tregim

Çoju fjalë atyre… lokes, se Dëshmorët janë hidhëruar shumë.

Eh! Çfarë kujtimesh ishin ato, o tokë e përvëluar! Malli për lulet e fushës, krojet e vendlindjes, këngët e kënduara pranë lisit të vjetër të kujtimeve. Atje, ku rinia vallëzonte përkrah dashurisë, burrërisë dhe krenarisë.
Në ato kohë të zhurmshme, mes shpërthimit e përplasjes, për një grusht dhe të atdheut, malli digjte trupin. Drita mungonte, lotët rrëshqisnin faqeve pa fajin tonë, thoshte mërgimtari.
Ishte një periudhë udhëkryqesh, gjurmë të pashlyera në baltën e kujtimeve, me vdekje të pafundme nëpër rrugë të gjata. Ai kthehej me dhimbje e mall, ai kthehej drejt atdheut, me shpresën se e ardhmja do të shkrihej në rrezen e vendlindjes dhe do të bëhej pjesë e pandashme e tokës. Tokës që ndër shekuj ishte shndërruar në prush, në kujtime luftërash, në histori copëtimi, përzëniesh e therjesh, deri në përpjekjen e fundit për ta shfarosur gjakun e pastër të Arbërorëve.
Gjaku im përsëritet, udhëton rrugëve të historisë, deri te arrin te shqiptari i sotëm, që ende përballet me mbeturinat dhe hienat sllave, mendoi ai.
Të jesh mërgimtarë në dhe të huaj është barrë e rëndë: dhimbje, kujtimi, amanet dhe përgjegjësi. Për fëmijën, gjuhën, traditën, dhe eshtrat që po i lëmë pas.
Mërgimtari i tokës pellazge përballej natë e ditë me mallin dhe lotët. Kënga i ngecte në fyt, ritmi e shpinte në meditime pa fund. Netët i digjeshin nëpër ëndrrën, që ai dëshironte të mos mbetshin vetëm ëndrra.
Sytë shihnin hije që nuk e linin të qetë. Mendimet i rëndonin shpirtin:
Do ta marr rrugën, për tokë apo qiell, të takohem me atdheun, ta puthë baltën dhe të çmallen me ujin e kroit, tek lisi ku shumë herë isha rrëfyer nën hijen e tij. Të takoj shokët e ilegales, të kujtoj aksionet, krismat e para, burgosjen dhe nderimin e shokut të rënë në betejën kundër hordhive serbo-sllave.
Të gjitha i kalon si valë lumi mbi kokë. Shpirti i tij digjej, nuk gjente prehje. Edhe kur kthehej në atdhe për të mbushur zbrazëtirën, ditët iknin shpejt, nën ndjesinë e humbjes së një kohe të pathyeshme.
Ai rendte poshtë e lart: kroi i vjetër ku kishte pirë ujë Azem Galica, në maja e zezë ku ende qëndron i vdekur i shuar një qytet, apo te varret e Hoxhës ku ishin ekzekutuar 40 burra, nga çetnikët serbë.
Kurrë nuk e kishte ndier vetën më të rënduar se sa sot. Frika e kaplonte: mos vallë koha e mashtrimit e kishte përpi? Mos dheu i huaj po e hante, pa e lënë të përfundonte kthimin, pa iu përkulur mbi dheun e vendlindjes.
Ndërkaq, shokët e dikurshëm, tashmë ministra e deputetë, e kishin harruar. Koha kishte mposhtur kujtimin. Betimi i dhënë ishte harruar.
Ata që dikur betoheshin për Shqipërinë Etnike, tani po bëjnë gara për pushtet, duke shitur patriotizmin në emrin e çlirimtarit, si dekor në listat e tyre.
I dëshpëruar, mërgimtari pyeti veten:
Po, loket ku janë ore?!
Gjaku i vlonte, trupi iu mbulua nga djersa. Një zë shpërthyes u dëgjua nga kulla e vjetër. Ai dridhej:
O Zot! Ky zë më kujtohet… Është ai që më shoqëronte në betejë, që fliste për burrëri, bashkim e dinjitet. Kurrë nuk e kam dëgjuar në tradhti.
Rruga i humbi nga mendja. Pas një ecjeje të gjatë, pa shtëpinë e Lokes.
Heu, paskam ecur pa fund, tha i lodhur.
Kur erdhi përballë shtëpisë së Lokes, ai mori frymë thellë dhe në derë trokiti.
Trokitja e tij kishte udhëtuar gjatë nëpër mendime. Dera hapet Lokja, e thjeshtë dhe mikpritëse, e pret:
Hë, biri im, po ti je…?
Po, Loke… ia ktheu mërgimtari, duke e kapur për krahu.
Hyn brenda, biri im. Dera është gjithmonë e hapur për ty. Ju, shokët e djalit ma shëron shpirtin, plaga që ende më kullon dhimbje.
Mërgimtari u ul në heshtje, i përmbajtur nga emocionet, pa thënë asnjë fjalë, sikur e ndiente veten në faj.
Ulu, lirohu i tha Lokja dhe i ofroi një çaj. Dhe mërgimtari pasi mori vetën filloi të bisedonte:
Loke, jetojmë në një kohë të vështirë. Amaneti i djemve të lirisë është harruar. Shumë shokë tani i ka verbuar pushteti.
Lokja ofshani thellë:
Eh, biri im…! Djemtë e rënë dhanë jetën, familjet e tyre dhe disa veteranët, me gjymtyra të humbura, jetojnë si më keq dhe kush me ta nuk merret.
Lot iu mbushën sytë mërgimtarit, duke dëgjuar këto fjalë. E ndjente dhembjen e Lokes, gjithashtu ndiente se kishte një përgjegjësi, e tha:
Ke të drejtë Loke. Koha që po jetojmë është e ndotur nga injoranca. Ka nga ata që janë bërë të pamëshirshëm, kanë harruar dhe vlerat e lirisë. Por shumica e tyre, këto vlera të ushtrisë sonë i ruajnë si sytë e ballit. Ishte ajo (UÇK-ja) që na e solli lirinë. Ata luftuan për Shqipërinë e bashkuar. Ama ka nga shokët edhe pse janë në ato pozita nuk u mundësohet të veprojnë ashtu si ata dëshirojnë. Sepse pas luftës edhe titistët e shumë bashkëpunëtor të pushtuesit janë bërë bashkë dhe mundohen këtë vlerë kombëtare ta nënçmojnë, duke u munduar që ta humbasin vlerën e saj.
Lokja e shikoi me sytë, e kuptoi se kohët kishin ndryshuar, e tha: ndryshime e kanë çmendur këtë tokë. Por, ajo kohë e pushtuesit na ka marrë gjithçka, më ajo asnjëherë nuk do të kthehet, fal trimave të UÇK-së.

Tafa ngriti shikimin, shikoi Loken me një dhimbje dhe nuk foli.
Më pas Lokja vazhdoi:
Biri im, trimi i nënës! Po të ishte gjallë ai, kurrë nuk do të kishte lejuar shokët e tij të nëpërkëmben, nga zuzarët, nga ata që deri dje ishin me pushtuesin e sot janë ulur në kolltuqet e larta të pushtetit.
Lokja nuk është kundër atyre që nuk kanë mundësi, por ka hallin për nënat si unë, të lënë në mëshirën e kohës, pa kujtimin e askujt.
Po flasim për ata që tradhtuan popullin tonë, për shqipfolësit që me padurim, dënuan djemtë tanë me burgje të rënda, duke përdorur ligje e nen të padrejta. Pse? Vetëm sepse kërkuan lirinë për fëmijët e tyre, për popullin, për bashkimin e trojeve të copëtuara nga armiqtë sllavë. Dhe dhanë jetën për këtë liri.
Djali im, gjithmonë më thoshte:
“Një ditë do të kemi Shqipërinë të bashkuar.”
Ata që tradhtuan besën dhe fjalën e dhënë për atdhe dhe liri, tani po përdorin pushtetin për të shtypur kujtimet e të rënëve.
Po, biri im… ai ishte një rreze dritësimi që shkëlqente për këtë tokë e popull. Kur më erdhi në jetë, ai ishte shenjë shprese. Por tani po e kuptoj që ajo dritë ishte për këtë popull, jo vetëm për mua.
Biro, çdo agim, kur zgjohem, më ndjek hija e tij se ndoshta do ta shoh diku, ndoshta do t’ia dëgjoi zërin kreshnikut tim. Sepse kreshnikët nuk vdesin kurrë, ata kthehen në tokë e tyre.
Mos më merr për të keq, e kam nga malli. Vitet po kalojnë, kohën po e gërryen injoranca, hije që ishin kundër çlirimtarëve, bashkë me pushtuesin dikur, prapë sot në ato kolltiuqe.
O Zot, ku ndodhin këto gjëra, biri im? Më thuaj!
Mërgimtari u ndje i ngushtë. Pohoi me kokë, pa thënë asnjë fjalë. Sytë i mbushen me lot, por u mundua të fshihej, që Lokja të mos e shihte të thyer në shpirt.
Nuk kishte ç’të shtonte; fjalët e saj ishin të mjaftueshme.
E lodhur, Lokja u ndal. Pastaj me një frymë të thellë tha:
Më fal, biri im. E di që edhe ty të digjet shpirti, por nuk ke fuqi ta ndryshosh këtë kohë të turbullt.
Unë, po e pres duar hapur, ai do të kthehet një ditë. E di, vitet ikin e shumë bij e bija ende nuk kanë varr. Jemi në pritje të kthimit të tyre. Ata do të kthehen, biri im, dhe do të pushojnë aty ku u takon – mes luleve e lotëve.
Pastaj, duke u kthyer sërish Tafë Mërgimtari, tha:
Dëgjo biri im, po të lë një porosi: çoju fjalë shokëve të djalit, të mos më lënë të iki nga kjo botë pa ditur ku t’i vë lule e të çmallem me tim bir.
Tafa u mbush me emocione. lotët i rridhnin lum. E përqafoi Loken me një shpërthim ndjenje, pa mundur të durohej më. Deshi të largoheshin sa më parë, pa zhurmë.
Lokja e vuri re, por ajo e kuptoi. Me ndjenjë të thellë, tha:
Eh, bijtë e mi, ata që janë të mirë dhe të dashur për njeriun dhe atdheun, kështu vuajnë. Po ju, mos harroni! Dheu i huaj është dheu i huaj, ai do të hajë shpirtin përjetësisht.
Në ikje, Mërgimtari e shtrëngoi Loken dhe u betua se do të përçonte porosinë.
Loke e shtrenjtë, sa të kem frymën do të jem zëri i kombit, cep më cep, aty ku është thënë Shqipëri. Do të jem edhe zëri yt.
Me këto fjalë, ai u nda prej saj, me porosinë e fundit:
Çoju fjalë atyre… Lokja e Dëshmorët janë hidhëruar shumë. Të mos më lënë të iku nga kjo botë pa ditur ku t’i vë lule, dhe të çmallem me tim bir.
Kjo porosi ndoqi Mërgimtarin gjatë gjithë udhëtimit rrugës. Ai nuk mundi ta largonte nga mendja. I silleshin përpara fjalët e saj të zjarrta, krahas injorancës që kishte pushtuar shtetin. Ata që dikur kishin marrë jetën e të rënëve për lirinë, tani që po shkelin mbi gjithçka.
Deri kur do të vazhdojë kështu, populli im? klithi i shqetësuar Mërgimtari në kthim.
Lokës djali ju kthye në bronz. Pran shtatores së tij Lokja çmallet dhe i hedhë lule.
Tafë Mërgimtari, me çantën në krah buzëqeshi e tha: Loke mbajta fjalën, të dy së bashku i vunë heroit lule!