Në shkollën “Dante Alighieri” në Bolzano

Nga Qendra e Botimeve për Diasporë

   Gjatë vizitës në Bolzano, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, zhvilloi një takim në shkollën “Dante Alighieri”, ku tashmë zhvillohet edhe mësimi i gjuhës shqipe, një projekt i bërë realitet falë angazhimit të Shoqatës “Arbëria” në Bolzano.

   Drejtoresha e QBD-së u prit nga drejtuesi i Qendrës së Gjuhëve, z. Fabio Casati, si edhe nga mësuesja e gjuhës shqipe Donika Suli,me të cilët u diskutua mbi punën e zhvilluar, përvojat e deritanishme dhe nevojat konkrete të mësuesve dhe nxënësve në këtë proces të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe në diasporë.

   Gjatë takimit u prezantuan gjithashtu edhe mundësitë që ofron Qendra e Botimeve për Diasporën në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe, përmes teksteve, botimeve dygjuhëshe dhe projekteve kulturore e arsimore.

  Qendra e Botimeve për Diasporën shpreh mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe bashkëpunimin me Zyrën e Gjuhëve dhe bashkinë e Bolzanos, si edhe një falënderim të veçantë për mësueset e gjuhës shqipe në këtë shkollë, për punën e tyre të përkushtuar dhe të lavdërueshme.

  Falënderime të veçanta edhe për Shoqatën “Arbëria” në Bolzano dhe zv. presidenten e saj, znj. Mirela Tomassini, për punën e vazhdueshme në mbështetje të futjes së gjuhës shqipe në shkollat e Bolzanos, si edhe për mbështetjen e vazhdueshme të këshilltarit pranë Bashkisë së Bolzanos, z. Tritan Myftiu.