FALËNDERIM PËR BKSA “SHQIPONJA” NË ROSENHEIM

NGA MUSTAFË KRASNIQI

Ditët që lamë pas, Shoqata BKSA “Shqiponja” në Rosenheim të Gjermanisë më, 9 maj 2026, përuroi monografinë time me titull “Shkolla Shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”.

Në pamundësi për t’i falënderuar veç e veç të gjithë miqtë, shokët, dashamirët, bashkatdhetarët e mi të dashur nga të gjitha trevat shqiptare për organizimin e shkëlqyer që u bë, po shkruaj në rrethana të tilla, të vështira, por me dashuri e  nderime të veçanta po ju përshëndes të gjithëve nga zemra duke ju falënderuar shumë! Për mua qe një kënaqësi e madhe dhe shumëçka as që e kisha menduar se mund të bëhej aq bukur, për mua qe një befasi e madhe. Kështu duke parë edhe nga qëndrimet tuaja, por duke e përjetuar  të gjithë veprimtarinë   që u bë në këtë përurim, besoj se jo vetëm mua por edhe të tjerëve do t’ iu mbetet  gjatë në kujtesë ky organizim i promovimit të librit tim. Kjo qe një ngjarje, për të cilën mund të them qe shumë mbresëlënëse dhe e rrallë, ndaj të gjithë juve ju jam shumë mirënjohës nga zemra!

Në çdo moment të asaj mbrëmjeje ndihej një entuziazëm i veçantë i bashkëkombasve, të cilët kishin ardhur jo vetëm për një libër, por edhe për të përkrahur organizatorët, të cilët po e vlerësonin këtë rrugëtim si një kujtesë që na lidh me gjuhën mëmë, shkollën dhe atdheun. Ajo që më bëri nder ishin të papriturat e këtij organizimi, duke filluar nga ftesa, moderatorja, paraqitja e jetëshkrimit tim dhe, mbi të gjitha, recitimi i poezive të mia nga ish-nxënësit e mi dhe recitime nga nxënës të tjerë. Po ashtu e veçantë ishte prania e personaliteteve të nderuara: ambasadorë, kryekonsuj, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën në Tiranë, Mimoza Hysa, prof. dr. Vaxhid Sejdiu e shumë krijues, kolegë e kolege, dashamirë – bashkatdhetarë nga vende të ndryshme, qoftë në sallë, qoftë përmes platformës Zoom, si anëtarë të KKAD-së nga Kanadaja, Suedia, Greqia, Italia, Zvicra, Gjermania, Turqia dhe Austria. Një fjalim prekës mbajti edhe nënkryetarja e KKAD-së, Miradije Berisha, si dhe u përcollën përshëndetje nga Shoqata “Naim Frashëri” në Austri. U dërguan gjithashtu falënderime përmes shkresave të secilës mësimdhënëse nga përfaqësuesit e LAPSh-it në Bavari të Gjermanisë, ku jam edhe koordinator, si dhe përshëndetje me shkrim nga nxënësit e tyre. Në ato çaste e ndjeva edhe më fort se fjala shqipe, kur mbahet me dashuri, bëhet urë që i bashkon zemrat përtej çdo largësie.

Sot, edhe pse ende ndodhem i shtrirë në spital, por me shpirt e zemër i mbushur me nderime  për ju, ndjej kënaqësinë time të madhe t’jua shpreh falënderimin tim të gjithëve: organizatorëve, pjesëmarrësve dhe secilit që mori librin tim me respekt e dashamirësi, bashkë me firmën time.

Hapja  e promovimit

Hapja e promovimit ishte mbresëlënëse. Salla dukej sikur kishte marrë frymë thellë nga rrahjet e zemrave shqiptare nga fjalët e këndshme shqipe nga pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve, ndërsa duartrokitjet e tyre e bënin çdo çast edhe më të paharrueshëm.

Moderator-ja  doli në foltore dhe e hapi programin me elegancë dhe përkushtim, duke i dhënë mbrëmjes vlerën e merituar. Në sallë, posterat e librit dhe prania e tij në duart e të pranishmëve krijonin një pamje të bukur e domethënëse. Një vend i veçantë i ishte caktuar panelit, i përbërë nga Vaxhid Sejdiu, Isuf Bytyqi, Mimoza Hysa dhe Isuf Ismaili, të cilët folën për vlerat historike, dokumentare dhe kombëtare të monografisë. Një paraqitje me mesazh emocionues bëri edhe vajza ime, Arjeta Krasniqi.

Moderator-ja, me elegancën e saj, i dha fjalën mësueses së gjuhës shqipe, Valbona Roqi, e cila foli për jetëshkrimin tim: për veprimtarinë ilegale, për aktivitetin në pajtimin e gjaqeve, për demonstratat e viteve ’90, përfshirjen në krijimin e UÇK-së, veprimtarinë krijuese, autorësinë e disa librave letrarë dhe deri te angazhimi im në diasporë për shkollën shqipe edhe si mësues në disa shkolla shqipe në Rosenheim me rrethinë, por edhe si themelues dhe kryetar i LAPSh-it, si njëri nga themeluesit e shoqatës BKSA “Shqiponja” në Rosenheim. Kjo shoqatë, e cila u themelua për shkollën shqipe, më pas u shndërrua në një forcë bashkuese për bashkatdhetarët shqiptarë  në Rosenheim,  i ka  dhënë vlera  veprimtarive dhe programeve të saj.

Në foltore doli drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e ardhur nga Tirana, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe duke shprehur edhe disa porosi të veçanta e të mrekullueshme për gjuhën shqipe, që jo vetëm të mësohet, por edhe të  jetë një melodia më ëmbël e zemrave të vogëloshëve e nxënësve, meqë ajo është shenja më e mirë, për ta mbrojtur edhe shqiptarësinë tonë.  Ajo  nënvizoi se rrugëtimi i një njeriu i përkushtuar ndaj atdheut matet me veprat që lë pas, por jo vetëm me fjalët pa lënë edhe gjurmë konkrete.  Ajo më  vlerësoi shumë, duke e theksuar kontributin tim, si drejtues i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, siç shprehej ajo se  kam dëshmuar urtësi, përkushtim dhe aftësi bashkëpunimi në shërbim të gjuhës shqipe dhe komunitetit shqiptar jashtë atdheut. Fjalimin e përmbylli me thënien: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”, thënie e rilindësit dhe mësuesit shqiptar, dëshmor i gjuhës shqipe – Petro Nini Luarasi.

Vaxhid Sejdiu, përveçse si recensent i librit, foli edhe për angazhimin tim si bashkëveprimtar në kuadër të KKAD-së, duke theksuar përpjekjet e përbashkëta të mësuesve dhe veprimtarëve për përhapjen e dijes në gjuhën shqipe. Ai vlerësoi gjithashtu veprimtarinë time atdhetare dhe kombëtare në shërbim të lirisë së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Ndër të tjera  bashkëveprimtari im dhe kolegu i studimeve, Isuf Ismaili, kujtoi ditët që kishim kaluar së bashku si studentë dhe veprimtarë, duke dhënë një kontribut të çmuar, ashtu si shumë studentë të Universitetit të Prishtinës, në shërbim të kauzës kombëtare.

Për monografinë foli Isuf Bytyçi, i cili ndër të tjera vlerësoi lart punën time si mësues, veprimtar dhe koordinator i LAPSh-it për Bavarinë. Ai tha: “Duke shfletuar faqet e këtij libri, pashë se sa me kujdes dhe përkushtim janë paraqitur faktet, përshkrimet, dokumentet dhe intervistat. Autori është përpjekur të mos lërë jashtë askënd që ka dhënë sadopak kontribut në shërbim të mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në Bavari.” Ai përshkroi edhe veprimtari të tjera që i paraprinë themelimit të LAPSh-it. Ajo që vlen të përmendet është se, përveç vullnetit, autori kishte edhe guximin. “Shumë nisma të tilla janë ndërmarrë edhe më parë, por janë shuar ende pa filluar mirë. Edhe unë në fillim isha skeptik dhe i pata thënë autorit: Me keqardhje të them se është problem dhe vështirë se do të kesh sukses. Nisma të tilla ka pasur edhe më parë në Bavari, por kanë dështuar.” Ndërsa Mustafa, me modesti, ma ktheu: “Unë nuk marr përsipër nisma që dështojnë. Jam i vendosur që ato nisma, të cilat i marr si mision, të mos dështojnë kurrë, pavarësisht pengesave që dalin. Le të ecim përpara, me vullnet të mirë, për ta realizuar misionin tonë.”

Dhe kështu ndodhi. Mustafa, bashkë me ne, ia arriti qëllimit.

Bytyçi përmendi edhe vendimin e ministres së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu, për zgjedhjen time si kryetar i KKAD-së, si dhe mirënjohjen e ndarë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Mbi të gjitha, kjo monografi flet për shkollën shqipe në Bavari dhe, në mënyrë kronologjike, dokumenton lindjen dhe rritjen e saj, kontributin e kryesisë, të prindërve, mësuesve, atdhetarëve dhe të disa shoqatave e bizneseve. Ajo paraqet sfidat dhe, në mënyrë profesionale, shkruan për programet, iniciativat, metodologjinë dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.

Fjalët e folësve, vlerësimet për librin dhe kujtimet nga jeta ime e veprimtaria ime sollën para të pranishmëve një rrugëtim të gjatë përkushtimi ndaj çështjes kombëtare, arsimit dhe kulturës shqiptare. Në ato çaste ndjeva se çdo përpjekje, çdo mundim dhe çdo hap i bërë për gjuhën shqipe kishte marrë një jehonë të thellë në zemrat e atyre që ishin aty.

Folësit në foltore, secili në mënyrën e vet, shpalosën kujtime e tyre. Ambasadori nga Sllovenia, Hamdi Reçica, foli për mënyrën se si së bashku nisëm themelimin e LAPSh-it, me vullnet, por edhe me sfida të mëdha. Më pas, me një zë të ngrohtë, iu dha zemër të pranishmëve Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Genta Mburimi, duke theksuar se Bavaria kishte një fat të madh që kishte Mustafë Krasniqin. Këtij toni vlerësues iu bashkua edhe ish-konsulli i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Ibra, i cili ishte bashkudhëtar në rrugëtimin e shkollës shqipe.

Nga aktiviteti u shfaqën edhe emocione artistike përmes recitimeve të poezive të mia nga nxënës dhe miq të mi, ndërsa interpretimi muzikor i këngëtarit Artan Lika e bëri atmosferën edhe më të ngrohtë e më festive. Artanit, në këtë rast, iu bashkuan edhe mësuese e mësues, veprimtarë dhe familjarë, me të cilët së bashku interpretuam këngë të bukura shqipe.

Në përmbyllje të promovimit, kryetari i shoqatës më ndau një mirënjohje dhe njëkohësisht bëri të ditur se Shkolla Shqipe në Rosenheim do të mbajë tashmë emrin tim, “Mustafë Krasniqi”, një vlerësim për punën dhe përkushtimin tim të pandërprerë për arsimin dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Për të gjitha këto e falënderoj nga zemra shoqatën BKSA “Shqiponja” në Rosenheim, organizatorët dhe të gjithë ata e ato që iu bashkuan këtij promovimi të librit. Të pranishmit treguan interes të madh për përmbajtjen dhe sfidat që trajton libri; përveç pyetjeve, shumë prej tyre dolën në foltore dhe më falënderuan me admirim për punën time, për shkollën shqipe. Përurimi u përmbyll duke ua ofruar të pranishmëve ushqimet tradicional dhe duke pasur edhe kuvendime të përzemërta mes të pranishmëve.

Faleminderit BKSA “Shqiponja”!