Shkruan: Mustafë Krasniqi
Më 7 mars, në ambientin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih u mbajt evenimenti festues, për nder të “7 Marsit – Ditës së Mësuesit”, të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih.
Në këtë takim u ftuan të gjithë mësimdhënësit e shkollës shqipe në Republikën e Bavarisë, për të cilët konsulli i përgjithshëm, z. Afrim Nura, përpos që shtroi një koktej, për nder të mësueseve, ai, kishte organizuar edhe një pjesë artistike, me flautisten shqiptare znj. Blerina Ademi.
Në këtë eveniment, i pranishëm ishte edhe konsulli i Republikës së Shqipërisë shkëlqesia e tij Dr. Dashnor Ibra.
Që në fillim ishte një pritje madhështore, nga stafi konsullor dhe konsulli i përgjithshëm, Afrim Nura, i cili në hapje të programit përshëndeti mësimdhënësit, kryesinë e LAPSH-it dhe Konsullin e Republikës së Shqipërisë, Dr. Dashnor Ibrën.
Z. Nura vlerësoi lart kontributin e kryesisë së LAPSH-it dhe punën e palodhur të mësimdhënësve, ku ndër të tjera tha: “Mësimdhënësit nuk bëjnë thjeshtë një punë, por ata kanë një mision të shenjtë, ruajtjen dhe kultivim e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare dhe, me punën e tyre janë shembulli i atdhedashurisë dhe frymëzim për të ngritur dhe lartësuar gjuhën amtare te çdo fëmijë”, ku e citoi thënien e Hasan Prishtinës: “Arsimi asht shpirti i një kombi”, kurse “Mësuesit janë shtylla e kombit”.
Nura, më tej shtoi se keni mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të konsullatës, ku konsullata është dhe shtëpia e juaj e, jeni të mirëpritur çdo herë, kur bëhet fjalë për shkollën shqipe.
Mësimdhënësit i përshëndeti edhe Konsulli i Republikës së Shqipërisë, Dr. Dashnor Ibra, kryetari i LAPSH-it Milazim Ukaj dhe Koordinatori, Prof. Mustafë Krasniqi.
Në këtë eveniment festues mësueset u nderuan, për punën e tyre, me mirënjohje, që u ndanë nga konsulli i Përgjithshëm Nura, po ashtu u nda edhe një dhuratë, verë Kosove të shoqëruar me një lulëkuqe.
Në fund të këtij evenimenti mësueset u ndanë të motivuara dhe këtë mirënjohje e vlerësuan si një përkushtim për ta vlerësuar kontributin e mësuesit.