Nga Isuf Ismaili
Para pak ditësh në bibliotekën e Cyrihut, u përurua vepra “Dheas të fjalës” e shkrimtarit, gazetarit, publicistit, analistit të shkëlqyer Aleksandër Çipa.
Bashkë me veprën e tij studimore, kritike e letrare, Aleksandër Çipa solli edhe dritën e Pilurit që ëmbëlsisht nga lartësia e shikon Jonin, solli erën e ajrin e maleve labe, solli jehonën e ëmbël të Gjirokastrës dhe dashurinë për të gjitha trevat shqiptare, për të tërë Shqipërinë.
Piluri i tij, i ka dhënë dritë në fytyrë, Joni i ka falur rrezet e shkëlqimin, Gjirokastra i ka dhënë dijen dhe përkushtimin, nënë Shqipëria i ka falur dashurinë që ajo ta udhëheqë atë për ta ndjerë veten krenar, kudo që shkon. E s’ ka se si të mos shfaqeshin të gjitha këto vlera edhe në Cyrih, në mesin e bashkatdhetarëve mërgimtarë.
Bir denjë i poetit, folkloristit, këngëtarit, artistit të shquar Lefter Çipa, Aleksandri di përherë jo vetëm ta çmojë, por edhe ta dritësojë jetën e veprën e të atit, Lefterit, i cili i këndoi me këngë e poezi me vepra të mëdha Pilurit e gjithë Shqipërisë, dëshmorëve e heronjve – themeleve të Atdheut.
Nga një prind i tillë, s’ka se si të mos lindnin e s’ ka se të mos bëheshin të denjë fëmijët e tij, siç janë edhe Aleksandri e Parashqevia, poet e artist. Cilido prind me fëmijë të tillë është krenar në dhe e nën dhe.
Po le të ndalemi te përurimi i veprës së Sandrit!
Më, 23 dhjetor 2023, siç e theksova në bibliotekën “Pestalozzi PBZ Hardau” në Cyrih, u mblodhëm në një sallë për ta përuruar veprën e Aleksandër Çipës.
Në fillim fare fjalën e mori drejtoresha e bibliotekës Suela Jorgaqi. Sulela jo vetëm një herë, por edhe shumë e shumë herë më parë na ka pritur e na ka dhënë mundësinë të mbajmë takime e të bëjmë përurime librash e veprimtari festive, sidomos kur është fjala për nxënësit e shkollën shqipe, ajo me kënaqësi të madhe na i krijon të gjitha kushtet e na i lehtëson punët për të dalë sa më të kënaqur e të suksesshëm. Ajo e merr fjalën dhe na përgëzon për punën e veprimtarinë arsimore e kulturore dhe i fton nxënësit, por edhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë në afërsi të Cyrihut, të shkojnë në bibliotekë, të bëhen anëtarë, të lexojnë e sa më shumë që të pasurohen e të marrin dije të shumta e të nevojshme.
Ajo e theksoi mendime e vlerësime të vyera për Aleksandër Çipën: si poet, si gazetar, si studiues, si si kritik letrar etj. Ajo e shpalosi një pjesë të jetës e veprimtarisë së Aleksandër Çipës.
Më pas fjalën ne mori profesor dr. Vaxhid Sejdiu, koordinator i shkollave shqipe në Zvicër, mësimdhënës, poet e studiues i zellshëm e i shkëlqyer, veprimtar, shok e njeri i dashur për kolegët e komunitetin shqiptar.
“Aleksandër Çipa është njohës i mirë i problemeve politike dhe kulturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut apo thënë shkurt në mbarë botën shqiptare.
“Dheas të fjalës” është një vepër e ngritur mbi trekëndëshin letrar Qasje kulturologjike – Refleksione – Ese, ku autori bën përpjekje serioze për disa nga figurat e shquara të kulturës kombëtare, duke i sjellë para lexuesit me gjithë kompleksitetin dhe origjinalitetin e tyre letrar.
I frymëzuar nga fjalori poetik i Martin Camajt librin e tij do ta pagëzojë “Dheas të fjalës”, apo bijtë e dheut apo siç do ta quajë Behar Gjoka në këndvështrimin e tij (tokësorë të përjetësisë- pra tokësorët që lanë gjurmë…)
Pastaj shkrimi po nga i njëjti këndvështrim, ai krahasimtar në mes dy poetëve, siç i quan edhe autori edhe siç janë në realitet, të pakrahasueshëm dy nga figurat e rëndësishme të letërsisë shqipe Frederik Reshpja dhe Fatos Arapi.”
Profesor Vaxhidi aty nga fundi i analizës tha ndër të tjera se kanë ndodhur aq shumë veprime të shëmtuara në botën shqiptare, sa askujt nuk di t’ia merrte mendja që : “do të vijë një ditë dhe “shqiptari” do të vrapojë të ndërrojë identitet kombëtar dhe se do të krenohej me këtë qëndrim dhe pastaj do të hidhej në sulm, të sulmojë pa mëshirë gjuhën dhe kulturën e tij, gjakun e tij.” Prandaj, – tha ai, ─ do ta inkurajoja autorin e nderuar të këtij libri, Aleksandër Çipën dhe krijuesit të tjerë që të shkruajnë për këto veprime kaq të shëmtuara e të liga.
Pas fjalëve të profesor Vaxhiditit fjalën e mori vetë autori i librit, cili së pari e përshëndeti publikun e mrekullishëm shqiptarë, ambasadat e dy shteteve shqiptare.
Aleksandri tha se për Kosovën e trevat të tjera shqiptare jo vetëm që kishte një dashuri të madhe, por që i ndjen si pjesë e pashkëputura të tërësisë shqiptare.
Ai vazhdoi dhe tha ndër të tjera: “I falënderoj në mënyrë të veçantë pjesëmarrësit e auditorit, sepse vijnë nga trevat e Shqipërisë jo londineze dhe se ne kemi të drejtë të shprehim pikëpamjet e tërësisë sonë shqiptare edhe për faktin se vijmë nga skajet e Atdheut. Unë i përmbahem një sentence, ku thuhet se : “Nga skajet, atdheu duhet më tepër.” Them kështu, sepse atje jemi në një marrëdhënie tjetër me fqinjët dhe se ne dimë mirë se cilat janë risqet më të mëdha për distancën dhe identitetin tonë. Në këtë kuptim profesor Vaxhidi ka të drejtë, kur thotë se në veprat tona i mëshojmë ekzistencës e trashëgimisë sonë, identitetit tonë kombëtar. Prandaj në ditët tona, ky është një mision që duhet të dimë, jo vetëm ta mbrojmë, por, mbi të gjitha, ta trashëgojmë. Këtu duhet të kemi vëmendjen, se përveç territorit fizik të atdheut tonë kemi edhe një mërgatë të shpërndarë që është numerikisht shumë e madhe. Kur flasim për atdheun duhet të kemi parasysh jo vetëm Republikën e Shqipërisë, por të tërë hapësirën shqiptare. Unë jam fatlum në jetën time, pasi kam qenë në të gjitha trevat shqiptare. Kjo më ka dhënë mundësi të krijoj një imazh tjetër nga shumë gazetarë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, apo në trevat të tjera shqiptare. Ne duhet të dimë ta përjetojmë dhe manifestojmë të vërtetën e përkatësisë sonë shqiptare dhe marrëdhëniet e shpirtit për këtë. Diaspora shqiptare na mëson se atdheu ynë, është shumë më i madh, nga sa disa e shohin atë. Kjo shihet edhe këtu, në këtë auditor, ku jemi mbledhur pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare, prandaj po jua lë fjalën edhe ju të tjerëve, duke ju falënderuar.
Unë (I I ) ndër të tjera thashë, se do të doja t’i thosha nja dy a tri fjalë për mikun tim të nderuar Aleksandër Çipa, babanë e të cilit e kam pasur mik, me të cilin kam komunikuar shumë herë.
Për mua mbase është vështirë të flas për Aleksandër Çipën, sepse Sandri është një jo vetëm një gazetar, analist, publicist i shkëlqyer, por është edhe një poet shumë i dashur, që e shkruan një poezi të mirëfilltë artistike dhe gjithashtu është edhe kritik letrar, veprën e të cilit po e përurojmë sot, veprën: “Dheas të fjalës”, ku shkëlqejnë analizat e dhe krahasimet letrare për disa shkrimtarë të njohur të letërsisë sonë, ku ai me aftësi të mëdha merret me kritikën e shëndoshë letrare etj. Sandri është një njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe e dialekteve të saj. Ai në veprat e tij, në fjalën e tij shërbehet me saktësinë e terminologjisë dhe me bukurinë e shqipes sonë.
Poezia e tij është poezi e mirëfilltë artistike, poezi e tokës, por nuk është poezi e vrullshme e zjarrtë, siç është poezia e babait të tij, as nuk është si ajo e Dritëroit, por e ka frymën atyre poezive, poezia tij, pra është përqendruar te ato fjet e atdheut, te ato fijet e shpirtit shqiptar, natyrshëm me motive dhe vlerat tjera të shumta.
Këtu dua të theksoj disa vargje nga poezia e Sandrit , të cilat kanë jo vetëm anën e bukur artistike, por edhe gërshetimin ideor e përmbajtën e shëndoshë të së vërtetës, të fijeve shpirtërore me prindërit.
“Një herë im at, m’ u drejtua si gjykatës,
mua birit të tij të rritur,
Harroi i miri, se në konfliktin e tij me nënën,
djali gjithherë,
e anon drejtësinë nga dobësi e zemrës.”
(Poezia “Një herë im At më deshi gjykatës”)
Ja edhe vargjet e një poezie tjetër:
“Me teka poeti, luajti në jetën time im At,
Me gjithë variantet e fjalës ma krehu shpirtin.”
(Poezia “Ati qesh me ditën e baballarëve”)
Meqë e përmenda vrullin e zjarrin poetik dua t’i theksoj edhe vargjet poetike të shkrimtarit, folkloristit, artistit të madh Leftr Çipa, sepse më kanë bërë përshtypje të mëdha, janë vargjet poetike që u bënë këngë.
Njëzetetetëmijë yje
(Nga poeti piluriot Letfter Çipa)
Maja gërxhe dhe lugina,
Mbushur janë me lapidarë.
Atje prehen bij dhe bija,
Që jetojnë e janë të gjallë.
Nga kjo baltë e kësaj toke,
Merr një grusht dhe shtrydhe fort,
Pika gjaku do kullojë,
Luftën e madhe tregon.
Kemi derdhur gjak me okë,
Prandaj lulëzon kjo tokë!
Lefter Çipa
Janë këto vargje që na e evokojnë gjithë historinë e popullit shqiptar, trojet e tij, gjakun e bijve e bijave të tij që derdhën për lirinë, për Shqipërinë, për çdo pëllëmbë shqiptare, të cilat pra janë mbrojtur me gjakun e dëshmorëve e heronjve shqiptarë. Lefter Çipa ka gjetur figura të shkëlqyera letrare.
Këtu kur është fjala te gërshetimi i anës artistike me përmbajtjen atdhedashëse, por të dhembshme gjer në shpirt, po i theksoj edhe disa vargje poetike të potit të madh, shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli:
Për Kosovën
“S’ e ngre nga Kosova dot kokën,
Nga dhembja koka rëndon.
I rëndë loti shtyp tokën,
Nga loti toka rënkon. “
Këto janë vargje që e karakterizojnë atë shpirtin e shqiptarit në shekuj. Unë do të doja të thosha se Aleksandri ka marrë shumë, ka mësuar shumë nga këta poetë e nga poetë të tjerë, nga kënga e bregut të Vlorës, nga kënga piluriote, nga kënga labe, nga krijimtaria e pasur shqiptare. Piluri është një fshat i bukur, i cili ka nxjerrë poetë e njerëz të mrekullueshëm siç është Aleksandri, por edhe xhaxhai tij Kristo Çipa i cili është organizuar mirë në festivalet e këngës bregdetare, polifonike labe, pra edhe ai shkruan shumë bukur.
Djemtë e Aleksandrit kanë përparuar shumë në diplomaci etj. Kështu familja e gjerë e madhe Lefter Çipës ka dhënë shumë, ka krijuar shumë.
Kur jemi te gjuha e te atdheu, ne duhet ta theksojmë se atdheu dhe gjuha janë të përbashkëta, janë tonat, janë gjaku ynë – i të gjithë shqiptarëve dhe njëmend të gjithë ata që duan me zemër atdheun e duan atë të tërë e të bashkuar. “Nuk ka zemra gur kufiri” janë vargjet e një kënge popullore shqiptare.
Aleksandri tha:
Po, ashtu është, ─ edhe poeti i madh Petrit Ruka e ka një varg shumë të rëndësishëm dhe thekson: “Atdheu fillon te zemra”
E morën fjalën edhe mysafirë të tjerë në atë ditë të bukur kulturore.