ATDHETARËT QË U SAKRIFIKUAN PËR LIRINË!

ATDHETARËT QË U SAKRIFIKUAN PËR LIRINË!

Shkruan:   Dr. Vaxhid Sejdiu

… duke e shfletuar monografinë në dorëshkrim, të Mustafë Krasniqit “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë”, kushtuar atdhetarit dhe heroit të kombit Xhavit Hazirit.

Sa herë që përkujtojmë heronjtë e kombit! Sa herë që përkujtojmë fjalët, veprën, aktivitetin, deri në sakrificën e tyre, thjesht veprojmë në shërbim të Lirisë. Liria nuk shëmbëllen pa kujtimet për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata, të cilët u bënë themel i Lirisë së Kosovës. Ata, kudo në Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare, e kanë vendin në “ballë të oxhakut”, aty pranë flamurit kombëtar, pranë flamurit kuq e zi, me të cilin luftuan dhe për të cilin dhanë edhe jetën. Sa më shumë t`i nderojmë ata, nderojmë edhe veten, flamurin, atdheun, si dhe të ardhmen e kemi më të ndritur. Sa më shumë t’i kujtojmë; dëshirat, qëllimet apo idealin e tyre, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare do të marrin më lirshëm frymë nën hijen e flamurit kombëtar. Sa më pak t`i përkujtojmë, frymëmarrja jonë kombëtare do të çrregullohet dhe veprimet tona nuk do të jenë në koordinim me idealet e tyre! Ky mos koordinim sjell pasoja të rënda, shumë të rënda për të ardhmen e popullit shqiptar, kudo qoftë ai.  Në këtë libër lexuesi ka mundësi të njihet me një mori faktesh dhe dëshmish të organizimit ilegal dhe të përpjekjeve gjithëkombëtare të viteve 80-të dhe 90-të, të shekullit të kaluar. Kohë jo shumë e largët, por periudhë shumë e rëndësishme jo vetëm për historinë e popullit shqiptar.  Ndryshimet politike që ndodhen në fund të shek. XX, në Kosovë, në trojet shqiptare dhe më gjerë në Gadishullin Ilirik, nuk do të kishin ndodhur kurrë pa sakrificën e atdhetarëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, që kishin të vetmin qëllim; çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë – Shqipërinë. Kjo filozofi politike, e cila ishte mbjellë në shpirtin e një numri jashtëzakonisht të madh të të rinjve shqiptarë ishte rezultat i një edukimi të lartë kombëtar, ishte rezultat i një reagimi mbarëkombëtar kundër politikave pushtuese të shteteve ballkanike mbi shqiptarët dhe, po me këtë frymëmarrje do të vazhdoj deri në ditët e formimit të UÇK- së dhe të ngritjes së flamurit kombëtar në  qendër të Prishtinës.

  Autori, Mustafë Krasniqi, duke qenë edhe bashkëveprimtar i heroit të kombit Xhavit Hazirit, sjell para lexuesit një pjesë të rëndësishme për aktivitetin dhe angazhimin e atdhetarëve të kohës, gjatë viteve, të cilët kishin qenë në bashkëpunim me Heroin. Kjo përpjekje padyshim nuk shteron burimin e madh të atdhetarizmit të atyre viteve, por hap një rrugë për studiuesit e ri, të cilët në rend të parë e kanë për obligim, që figurat e rëndësishme të rezistencës kombëtare t`i përshkruajnë me tërë origjinalitetin e tyre. Edhe kjo monografi mund të ketë lëshime drejtshkrimore apo gabime gjuhësore, por më e rëndësishmja është se shoqërohet me një përshkrim origjinal të ngjarjeve, të kohës, të përpjekjeve, të vuajtjeve dhe tmerrit që kanë përjetuar atdhetarët, dhe në këtë rast vetë Xhavit Haziri, familja dhe bashkëveprimtarët e tij.

Në monografi, autori mundohet që ngjarjet t`i paraqes me tërë thjeshtësinë duke mos u larguar aspak nga faktet, nga ngjarjet, nga përpjekjet e atyre ditëve, të cilat përpjekje tronditën shtete dhe qeveri. Si e tillë, kjo monografi begaton raftin e veprave për heronjtë e kombit. Si e tillë nderon bibliotekat shqiptare kudo që janë, sepse veprat e tilla edukojnë gjeneratat. Ashtu siç është i pavdekshëm ideali i tyre, ashtu edhe monografitë, vargjet, këngët për heronjtë janë të pavdekshme për historinë një populli.

Monografia Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë-Xhavit Haziri”

Modestia e autorit shihet qysh në hyrjen e monografisë ku thotë: “…mora përsipër të shkruaj për jetën dhe veprën e heroit të kombit, Xhavit Haziri, meqë gjithnjë e më shumë e ndjeja një detyrim për të vënë në pah jetën e veprën e shokut tonë të paharruar, për arsye se zëri i tij ishte dhe mbeti emblemë e përhershme e atdhedashurisë, lirisë dhe i bashkimit kombëtar”…  Në shtatë kapitujt e librit, si dhe siç e thotë edhe vetë, në mungesë të shumë  materialeve dhe dëshmive për aktivitetin e heroit arrin ta portretizojë idealin, qëllimin dhe sakrificën e atdhetarit për liri. Çuditërisht lexuesit i jepet të drejtë ta pyes autorin pse pikërisht shtatë kapituj? – Por gjatë leximit, lexuesi do të bindet se këta shtatë kapituj, janë shtatë dallgët e jetës së tij: lindja, rinia, edukimi – ideali i palëkundur, përpjekjet, vuajtjet, gatishmëria për sakrificë dhe lavdia. Por, po jeta dhe vepra e tij nuk shihen thjeshtë dy ngjyrëshe bardhë e zi, por ideali i tij personifikon idealin e gjeneratës së heronjve të kombit. Çdo gjë në funksion të lirisë, çdo gjë në funksion të çlirimit kombëtar, çdo gjë  në shërbim të atdheut. Ky ideal nuk rregullohet thjeshtë me fjalë, por kalitet në kohë, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me sfidat e kohës. Dhe i tillë ishte Heroi – Xhavit Haziri, dhe i tillë na prezantohet nga dora e autorit. Autori nuk synon se ka shkruar një monografi të përkryer por e thotë troç: “ së fundi shpresoj se kjo monografi do të mbetet duke shërbyer si material me vlerë të gjithë hulumtuesve e studiuesve të historisë.”[1]! Por në anën tjetër duke e njohur shumë mirë Heroin, si dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe më gjerë, duke qenë pjesë e aktiviteteve të njëpasnjëshme të këtyre viteve është i vetëdijshëm se po shkruan për “një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare” apo siç shkruan se: “Ai është njëri prej atyre atdhetarëve që janë më të kompletuarit, si për nga thesari i njohurive, po ashtu edhe nga veprimtaria. Është shembull për të gjithë ne, qoftë për qëndrimin në burg, qoftë për veprimtarinë drejt realizimit të aspiratës sonë për Shqipërinë e bashkuar.”

 Vizioni i heroit ishte i qartë, ashtu siç përshkruhet në libër “Para armikut nuk duhet të përkulemi kurrë, lufta çlirimtare duhet çuar përpara deri në realizimin e fundit dhe derisa të arrihet qëllimi i amanetit të parëve për Shqipërinë Etnike”.

 Duke e shfletuar librin në dorëshkrim vijmë në përfundim seangazhimi dhe aktiviteti i Xhavit Hazirit përcakton qartë qëndrimin e tij kombëtar, i cili përputhet qartë me idealin e rinisë shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Me këtë filozofi politike identifikohet gjenerata e tij, atdhetarët, të cilët përpjekjet e tyre u sintetizuan në emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Xhavit Haziri.

Aktiviteti kombëtar në shërbim të lirisë, arrestimi, burgu, proceset politike antishqiptare, vuajtjet, përpjekjet për të vepruar kundër pushtuesit janë në fakt pjesët e dramës së madhe shqiptare nëpër të cilat kaloi edhe vetë Heroi ashtu siç kaluan me qindra e mijëra shqiptarë. I dënuar me nëntë vite burg (ku më se gjysmën e tyre i kishte mbajtur në Burgun e Foçës) dhe posa del nga burgu me të gjitha forcat vazhdon aktivitetin e tij kombëtar dëshmon pathyeshmërinë e idealistëve shqiptarë, të cilët as kampet fashiste jugosllave dhe as burgjet e tmerrit të asaj kohe nuk i nënshtronin dot. Heroin, në vitet në vazhdim do ta shohim pothuajse në pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme të kohës, si ato në kushte veprimtarie ilegale edhe në ato aktivitete legale të kohës. Pjesëmarrës në Mbledhjen e Katërt të LPRK-së, më 26-27 korrik 1993, në Kodër të Trimave, në Prishtinë, i burgosur nga viti 1993-1997 dhe menjëherë pas lirimit nga burgu inkuadrohet në UÇK-ë, si dhe vepron në kuadër të KMLDNJ-së. Janë fakte që dëshmojnë për një shpirt atdhetari, i cili nuk njeh lodhjen, dëshpërimin, nënshtrimin, por me tërë forcën e tij fizike dhe mendore është në shërbim të çështjes shqiptare. Autori i monografisë, Mustafë Krasniqi, duke folur për heroin e kombit Xhavit Hazirin hedh dritë edhe mbi gjendjen politiko – shoqërore të shqiptarëve në këtë kohë. 

Lexuesi njihet me vendlindjen e tij, fshatin Dërvar të Vushtrrisë, zhvillimet historike gjatë shek. XX, në këtë anë dhe në mbarë trojet shqiptare, për Komunën e Kastriotit, fëmijërinë, rininë dhe angazhimin e tij patriotik në organizatat e kohës, me familjen e tij, jetën e një familje patriotike shqiptare nën thundrën e hekurt të pushtuesit etj. Ky mision patriotik i atdhetarit të papërkulur do të kurorëzohet edhe në pagëzimin e fëmijëve të tij, dy djemve: Çlirimin, dhe Shqiprimin. Monografia do të shoqërohet edhe me përshkrimin e fakteve dhe ngjarjeve të shumta të kohës, ku Heroi veproi së bashku me shokët e idealit në aktivitetin kombëtar: në shkrimin e parullave dhe afisheve, shpërndarjen tyre, botimin e fletushkës, mobilizimin e të rinjve dhe veprimtarëve në radhët e Organizatës, pjesëmarrjen në demonstratat kundër pushtetit jugosllav, angazhimin e tij në bashkimin dhe unifikimin e organizatave ilegale dhe deri te angazhimin i tij në kuadër të UÇK-së.                                               

Në kapitullin e tretë lexuesit nëpërmjet fakteve të arrestimit dhe të burgut të Xhavit Hazirit, të rinjtë do të njihen, kurse të vjetrit do të rikujtojnë kohën e tmerrit të një sistemi policor dhe ushtarak serbosllav, bastisjet e njëpasnjëshme nëpër lagjet shqiptare, maltretimin e të rinjve, arrestimet e shumta, dënimet drakonike në proceset e montuara politike, dhunën dhe terrorin shtetëror të përditshëm, shpërndarjen e trakteve, organizimin e demonstratave, jetën në ilegalitet, qëndrimin burrëror në burg etj. Të gjitha këto përbëjnë pamjet e shumta të një jete nën sistemin policor jugosllav. Po ashtu librin e begatojnë edhe dëshmitë e shumta të anëtarëve të familjes, të bashkëveprimtarëve, materialet arkivore, dëshmitë nga aktgjykimi dhe materiale të tjera.

 Xhaviti, përveç aktivitetit kombëtar në kuadër të Organizatës, dallohej edhe me krijimet e tij, me poezitë dhe veçanërisht me punimet artistike, të punuara me dorë dhe të gdhendura me mjeshtri. Në punimet e tij lexohet qartë dashuria e tij për atdheun dhe familjen.

As burgosja, dënimi dhe qëndrimi në burg për të dytën herë (1993-1997) nuk arriti ta thyej idealin e tij kombëtar. Këtë e dëshmon angazhimi i tij patriotik, i cili menjëherë pas daljes nga burgu më 1997 vepronte paralelisht edhe në kuadër të KMDLNJ-së edhe në kuadër të UÇK-së. Ai ishte pjesë e trurit kombëtar, që luftonte me gjithë fuqinë që kishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit kombëtar. Dhe si i tillë policia sekrete serbe e rrëmben më 17 shtator 1998 duke mos dhënë sot e kësaj dite asnjë shpjegim. Fatit të tij si dhe i shumë shqiptarëve ka mbetur në duart e përgjakura të policisë serbe. Veprimtar i devotshëm, i  papërkulur, aktiv deri në momentin e fundit, vizionar dhe tepër organizativ janë disa nga elementet të cilat e personifikojnë atdhetarin e shtigjeve të lirisë – heroin e kombit Xhavit Hazirin.