AtiKomedi e kaltër

Emin Z. Emini

Shkruan: Emin Z. Emin

antiKomedi e kaltër

Prolog
(Binte shi)
më pyeti një grua e panjohur
dhe një e njohur

(Nxehte dielli)
dhe një diellkë buzëtamblatore
dhe një tjetër që ia mbaj mend ombrellën

(Nën hijen e shtatores)
dhe një tjetër që as e kujtoj

dhe t’mos bëhem arrogant sa ta harroj
atë turkeshen e edirnesë
që perandoreshë të pushtonte
me sytë e zez’
me pikën e zezë në mollëzen e djathtë

(Ekspoze)
për moirën time një mijë pyetje

nga ato të atillat
me sqep qukapikthi me aromë jasemini

(Thurje)
i flet i frikësohesh e fajëson
ia puth hapat e kthimit
ia kreh flokët me gishta
ia vë dorën në prehrin e dorës sate

(Ovulacion)
e shan me fjalët më të pista
e dashuron marrëzisht e vdes mizorisht

(Klimaks)
cila satanë na qenka ajo
që në vend të diellit një top bore ka
e ti i falesh

(Peripeti)
dhe një milion të tjera pyetje me delikatesë
është e bukur shëmtiraçka
thinjoshja në është e re
çfarë brendi brekësh vesh
ku i rregullon thonjtë që aq shumë i dhimbsen sa nuk t’i ngulë dot në fyt

(Pathos)
me ç’dipotri të pangjyrë botën sheh
në shpirtin e saj prej kazme ç’fsheh

(Kori i grave)
në rron
në është varrharruar

(Narratori, nga stoli i të akuzuarit për dashurinë e mëkatshme, si një kafshë e egër nxjerr mjaltë nga goja e gjoksit lëshon rrufe)

është dhe është
edhe e vdekur mbi re
edhe e gjallë nën dhé

(Sërish kori i grave)
ti e vret dhe e ngjallë
me frymë me varg

(Ritual)
lum si ajo e lumnuara
e ringjallë dhe e rivret
o zot
oh medet

(Shthurje)
të bekuarat
të trembura flutura në shi
ikën kah retë

(Epilog)
të gjitha gratë
cila më shumë cila më pak
moira janë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *