BALTA ME E ËMBËL SE MJALTA…

Prof. Dr. Adriana Fishta-Bejko

Mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve për të shkruar fjalët e shqipes”….

Shkruan: Prof. Dr. Adriana Fishta-Bejko- of Calgary- Kanada – Këto fjalë tribun tha mësuesi Petro Nini Luarasi dhe mbeti në historinë e mësimit shqip si një mësues i përjetshëm, mbeti mësuesi monument i Shkronjëpërhapjes së gjuhës shqipe. Mbeten këto fjalë si amanet i rilindësve për ruajtjen e kësaj gjuhe sa të lashtë aq edhe te vyer.

Asnjëherë nuk dihet si lind një histori. Epoka kur zhvillohet, vendi ku ndodh, personat që e krijojnë historinë mund të thonë diçka mbi arsyet dhe mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet dhe pa këto hulumtime, ҫdo histori mbetet në harresë.  Prapëseprapë, edhe ato dokumente të ruajtura nuk mund të na e thonë dot gjithçka. Megjithatë, qoftë për traditën e deritashme në veprimtarinë e shkollave shqipe në diasporë, qoftë për arsyen se ky studim i Dr. Vaxhid Sejdiut është jubilar, një studim i tillë shkencor dhe historik sjell ngjarjet më të zgjedhura nga gjithë veprimtaria tridhjetëvjeçare te shkollës shqipe në Kantonin e St. Gallenit në Zvicër.

Duke iu referuar përsëri rilindësve tanë, kujtojmë thënien e Zef Jubanit, “ Nuk ka mjet më të mirë të çmosh një popull, se sa të vëresh gjendjen e shkollave të tij. Në kohërat moderne gjendja e shkollave shqipe si në trojet e banuara nga shqiptarët ashtu edhe në diasporë lë shumë për të dëshiruar. Është pikërisht për këtë arsye pse ky punim shkencor i dr. Sejdiut merr jo vetëm vlera për të njohur hapat e zhvillimit të shkollës shqipe ne Kantonin e St. Gallenit në  Zvicër, por edhe për të hapur perspektiva të reja për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë në të ardhmen.

Për sa i përket ruajtjes së gjuhës amtare, ne përpiqemi të ndjekim shembullin e mrekullueshëm të vëllezërve tanë arbëreshë, të cilët e ruajnë gjuhën edhe 600 vjet pasi janë larguar nga Shqipëria. Në këtë drejtim ka disa arritje në shkollat e diasporës, por ka shumë punë për të bërë për unifikimin dhe vënien në baza shkencore dhe didaktike të mësimit plotësues në diasporë. I parë në këtë këndvështrim, ky libër merr vlera edhe më të gjëra.

Në radhë të parë, ne kurbetçinjtë duhet të kuptojmë se edukimi i fëmijëve tanë me krenarinë si shqiptarë fillon në familje dhe pastaj vazhdon tek pjesëmarrja në shkollat shqipe në diasporë. Secili individ bën zgjedhjen e tij për mënyrën se si i edukon fëmijët e tij dhe si e organizon jetën në familjen e tij, por kjo zgjedhje do të ketë një ndikim shumë serioz në krijimin e identitetit të brezit të ri në diasporë. Çdo lëvizje në një qytet apo shtet të ri shoqërohet me atë që në psikologji njihet si “krizë identiteti”. Ky koncept është identifikuar për herë të parë nga psikologu Erick Erickson (1969). Kjo është një periudhë që e kalon çdo emigrant dhe fëmijët e tij; kur ndjenja e pasigurisë në vetvete shkakton një krizë identiteti, ku individi ose vendos të ruajë me krenari identitetin e vendit amë dhe të mësojë karakteristikat e identitetit të vendin pritës; ose nga pasiguria që e shoqëron, kërkon të përqafojë me çdo kusht identitetin e vendit pritës duke neglizhuar identitetin e vërtetë të vendit amë. Ky qëndrim, mund të sjellë asimilimin në kulturën e vendit pritës dhe humbjen e gjuhës amtare. Kriza e identitetit mbetet një plagë e pazgjidhur në formimin e identitetit të atij individi që zgjedh asimilimin dhe jo integrimin në shoqërinë pritëse. Kjo do të thotë se, çdo emigrant e zgjedh vetë nëse do të njihet si një qytetar global që është krenar për trashëgiminë e tij të shkëlqyer shqiptare apo të kthehet në një endacak  qyqan, pa një identitet të vetin dhe me një identitet karikaturë të stisur të vendit pritës. Prandaj lind dhe domosdoshmëria e komuniteteve shqiptare kudo në botë që të ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës amtare. Kjo histori 30 vjeçare e përshkruar shumë hijshëm në studimin që do të lexoni, është një shembull i bukur i patriotizmit dhe punës fisnike të bërë nga mësuesit dhe patriotët shqiptar në Zvicër.

Gjuha jonë e ëmbël shqipe, është gjuha që na ndez krenarinë të gjithëve, por sidomos më shumë ne mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë. Ky studim sjell për të gjithë këtë mesazh: për t’a bërë më të sigurt të nesërmen e gjuhës sonë amtare duhet të njohim të shkuarën dhe punën e bërë nga paraardhësit tanë. Autori shpjegon qartë se gjuha amtare është identiteti më i spikatur i një  kombi dhe të mësuarit e gjuhës amtare nuk është vetëm një proces arsimimi, por është edhe më shumë, është vlerë e kulturës dhe e traditës kombëtare. Populli ynë thotë: “Gjuha ruhet aty ku shkruhet!” Pikërisht për këtë dua të falënderoj punën e  Dr. Vaxhid Sejdiut, i cili reflekton me përvojën e tij, opinionin e gjerë shqiptar, duke i dhënë edhe më shumë përparësi, mësimit shqip në diasporë. Gjithashtu përshëndes me nderim të gjithë individët e përmendur në këtë vëllim që të bashkuar kanë luftuar për krijimin e rrjetit të shkollave shqipe,  aty ku ka zemrën gjithë shqiptaria, pranë VATRES tonë bujare. Ju nderoj pa kufi për veprimtaritë kombëtare që zhvilloni, ju patriotë që i shtoni nderin kombit, ju të cilët shpërndani fjalën shqipe, aty ku ka bukurinë fjala shqipe. Ajo ecën me rrezet diell që shpërndan çdo shkollë që u mëson shqip brezave të rinj, e na përcjell shqip zërin e vëllezërve shqiptarë në Atdhe dhe në mbarë mërgatën e diasporës shqiptare.

Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit, sot një nga shkollat më të suksesshme në diasporë, prej vitesh ka shkruar një histori suksesi në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe identiteti  shqiptar në diasporë. Kjo shkollë e nis rrugëtimin e saj që me ardhjen e “dallgës” së re të shqiptarëve në Zvicër, të cilët mërguan për të shmangur persekutimet e serbëve ndaj shqiptarëve, në vitet ’60 të shekullit XX-të. Kjo histori e përpjekjeve të shumë patriotëve për ruajtjen e gjuhës vjen me një realizëm dhe krenari nga ana e autorit ndaj këtij “klorofili”, që krijoi mërgata në kuptimin linguistik dhe social të fjalës, por edhe me atë të “rebelimit” gjuhësor dhe tematik ndaj mohimit të të drejtës për përdorimin e gjuhës Amë në shtetet e ish-Jugosllavisë. 

Sikurse dihet, çlirimi dhe pavarësia e një kombi vjen nga risitë kryesore që vijnë prej  gjuhës. Në përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe të atyre viteve, shkolla shqipe erdhi si çlirues i fjalës dhe ruajtjes se vlerave më të bukura kombëtare. Brenda qartësisë që nuk e braktisi kurrë, shkolla arriti ta çojë fjalën shqipe në çdo vatër mërgimtare, duke prodhuar një liri që të ndjehej në çdo zemër shqiptare. Mësimi i shqipes mbetej si ajër i pastër vjeshte që është edhe stina e ajrit të larë nga pluhurat dhe harresa apo çdo tendencë që kërkon të mbjellë me dashakeqje ndonjë pseudo-intelektual apo historian i paguar.

Duke e parë nga përvoja e sotme, vëmë re se kjo shkollë shqipe po rrit frutat e punës së palodhur tridhjetëvjeçare. E themi këtë se shkolla shqipe në Kantonin St. Gallen në gjithë veprimtarinë e saj do të ketë vendin e vet mbizotërues në punën e gjerë patriotike si vazhdë e përkushtimit të mërgatës shqiptare ndër shekuj. Kështu, respekti ndaj një tradite shqiptare u gërshetua me risitë e jetës në kantonin zviceran, duke u dhënë kristalizim të dy prirjeve  rinovuese të jetës së fëmijëve në diasporë, atyre të gjuhës së ëmbël shqipe dhe atyre të krenarisë kombëtare.

Kjo përmbledhje e veprimtarisë Shkollës Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, si vatër e bashkimit kombëtar, për herë të parë  na sjell në mënyrë kronologjike dhe hap pas hapi lindjen dhe rritjen e kësaj shkolle si dhe kontributin e shumë atdhetarëve në mbarëvajtjen dhe rritjen e saj. Ndryshe nga ç ‘ndodh rëndom, nga ajo që shumë studiues kërkojnë të shkruajnë histori vetëm të mbështetur në kujtime “anakdonale” të dëshmitarëve, Dr. Sejdiu ilustron çdo rresht dhe fakt me foto dhe dokumente autentike të veprimtarisë së kësaj shkolle shqipe. Ai do të përshkruaj me përpikëri çdo veprimtari dhe zhvillim të punës didaktike dhe patriotike në tridhjetë vite. Ky studim shkencor i ngjan një tabloje në miniaturë, ku përvijohet shëmbëlltyra e saktë e tërësisë së një veprimtarie të bukur për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit.

Historikisht, mërgata shqiptare ka bërë shumë përpjekje për ruajtjen e gjuhës dhe  identitetit kudo në botë duke i rezistuar asimilimit në kulturat pritëse.  Siç thekson autori, “një  gjë e tillë nuk mund të thuhet për shqiptarët e Egjiptit, Australisë, Sirisë, Libanit, Bullgarisë, Arbëreshët e Zarës dhe të Dalmacisë, Sllovenisë dhe shumë e shume vende të tjera, të cilat janë gurë i rëndë në jetën shqiptare. Në veçanti vlen të studiohet asimilimi i dhunshëm i qindra e mijëra familjeve shqiptare nën Serbi, siç është rasti i shqiptarëve të Pazarit të Ri (Novi Pazarit), Nishit, Toplicës, Vranjës dhe më gjerë, në Mal të Zi, apo në Maqedoninë e Veriut (siç është rasti i shqiptarëve ortodoksë), Prejlepit, Velesit, Manastirit, Ohrit apo i arvanitasve në Greqi etj.” Është pikërisht kjo situatë që e bën edhe më jetike hapjen e shkollave shqipe në diasporë.

Mërgimtari e lë vendin e tij duke mbajtur kokën mbrapa dhe me dhimbje për vendlindjen. Një gjë të tillë e thekson edhe Konica, kur thotë: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg,  për të kuptuar se ç ‘forcë e ç’ bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!” (Faik Konica, Vepra 1, f. 103.) Apo Filip Shiroka me fjalët e tij monumentale, “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”. Këto mesazhe janë të pranishme në çdo faqe të këtij studimi shumë të vlefshëm.

Një botim i tillë dinjitoz i bën nder jo vetëm autorit, por duhet konsideruar si një pasuri e vyer kombëtare si një model i bukur i rezistencës ndaj asimilimit dhe ruajtjes se identitetit shqiptar në këto kohë kur klikat pan-sllave po kërkojnë me çdo mënyrë të përçudnojnë figurën e shqiptarit në botë. I parë në këtë këndvështrim, ky botim i Dr. Vaxhid Sejdiut është një vlerë e shtuar në regjistrimin dhe njohjen e fakteve dhe historisë së mërgatës shqiptare në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Më se një shekull që shqiptarët jetojnë të ndarë e të vrarë në trojet e stërgjyshërve të tyre. Prandaj, është koha të përmirësohen gabimet e 1913-tës, të cilat krijuan situatë tragjike ku qindra mijëra familje u dëbuan nga toka mëmë. Por, ky rehabilitim ndaj padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar duhet të fillojë në çdo familje të mërgimtarëve ku do të flitet shqip dhe fëmijët do të marrin pjesë në shkollat shqipe, siç është shembulli i bukur i historisë 30-vjeҫare të shkollës shqipe në Kantonin e St. Gallenit në Zvicër. Ruajtja e gjuhës është detyrë e shenjtë për çdo shqiptar dhe së bashku mundemi ta ruajmë ashtu si e trashëguam nga të parët tanë. Ja amaneti që na vjen nga rilindësit tanë:

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare…….


Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore…..

Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia! ( Gjrgj Fishta)