Cikël poetik nga poeti Nikollë Loka

Dieses Bild hat ein leeres Alt-Attribut. Der Dateiname ist 48413032_481254298946338_7540498374475120640_n.jpg
Nikollë Loka

Nikollë Loka ka lindur në Sang të Fanit në Mirditë me 25 mars 1960. Prej shumë vitesh  shkruan poezi, autor i gjashtë librave poetikë: “Njerëz që plaken udhëkryqeve”, botimet “Mirdita”1998; “Koha e shkelur” botimet “Mirdita” 1999; “Larg Atdheut” botimet “Mirdita” 2001; “Nje hark Ylberi”, botimet “Emal” 2013; “Koha tjetër”, botimet “Geer” 2015, si dhe vëllimin poetik “Natën kapërceje pa leje”, botimet “Gazulli” 2017, fitues i çmimit “Din Mehmeti” për librin më të mirë në poezi në mitingun XXXIV poetik, të organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë.

Pjesëmarrës me 15 poezi në librin poetik “Gherbino”, bashkë me pesë poetë italianë,  botuar nga shtëpia botuese “Aletti Editore”, Romë 2014. Gjithashtu ka botuar në italisht librin “Un arco dell”arcobaleno”, botimet “Emal”, Tiranë 20017.

Ka shkruar shumë parathënie, redaktor dhe reçensues për disa libra poetikë.

Ka marr pjesë dhe është përzgjedhur për botim në konkurset ndërkombëtare “Il Federiciano 2013”; “Il Federiciano 2014”; “Il Federiciano 2015” dhe “Il Federiaciano 2017”, “Il Federiaciano 2018”, “Salvadore Qusimodo” 2018, botime të shtëpisë botuese “Aletti Editore” në Romë.

Pjesëmarrës në shumë antologji poetikë në italisht, një antologji poetike italisht- rumanisht dhe një tjetër shqip-suedisht, përzgjedhur nga juri profesionale. Ka fituar çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të poezisë “Terra Lontana”, 2016 në Itali në vitin 2016 dhe është fitues i “Dëshmisë së meritës” në këtë konkurs për vitin 2017, vlerësuar nga një juri e drejtuar prej poetit të madh italian Dante Maffia, kandidat për çmimin “Nobel”; fitues i “Dëshmisë së meritës” në konkursin kombëtar “Patricia Graciani” 2017,  në Gioia dei Marsi në Itali;  Çmim special në  “Premiul literar internațional Corona 2018, Trebisacce-Itali.

Poezitë e tij janë përzgjedhura nga juri profesionale si fituese dhe janë publikuar jashtë vendit në antologji të ndryshme poetike në italisht, anglisht, frëngjisht, rumanisht dhe suedisht. Pjesëmarrës në antologjinë poetike “Poetry from Balkans”, botues “Inner Child Press”, New Jersey, USA; pjesëmarrës në antologjinë shumëgjuhëshe “Amarati Poetic Prism 2018” në Vijaywada, Anthra Pradesh Indi.

Fitues në çmimesh letrare në disa festivale poetike mbarëkombëtare; përfaqësues i Shqipërisë në festivalin poetik Ndërkombëtar Rahovec 2017.

Antar i Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar Poetik “Veliero” 2017, që u mbajt në Cirò Marine të Kalabrisë në Itali, në vitin 2017.  

Antar nderi i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Mirdita”, si dhe antar i disa shoqatave dhe klubeve të krijuesve shqiptarë.

Poezi nga Poeti Nikollë Lokaj

TA ÇOVA NJË HARK YLBERI

Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë hëne.
Shtatë ngjyrat
i trazova
në shtatë telajo vjeshte,
dhe e mbajta shiun pezull
duke e shtyrë drejt teje,
e shiu u bë fllad,
parfum
i ëndërrës sime.

Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë dielli.
Shtatë ngjyrat i trazova
në shtatë telajo dimri,
dhe e mbajta borën pezull,
pa të rënë te balli,
dhe e pashë
shikimin tënd
të rënë
në pellgje shiu.

Ta çova
një hark ylberi,
me gjysmën time.
Me një magnet të nxehtë
po ta tërheq hijen.
Ti humb në errësirën
e kësaj nate,
ku shpresa rrëzohet,
në një humnerë po digjet.


TEK ËNDRRA JOTE

Deri tek ëndrra jote,
ngjitem
me fluturimin e zogut
në shtatë bjeshkë hirëplote.
Çlodhem
në shtatë lëndina shprese,
dhe vij
te hija jote
e të ulem mbi vetull,
pa të prekur,
qerpikhënë e bjeshkës.
Ndalem
ta prek ëndrrën,
dhe pi etje me ëndje.
Ndiej
se më tradhton loti,
kur ma përcjell
fryma jote
akullin që shpirti
ka brenda.

PËRTEJ KOHËS …

Përtej kësaj kohe
që rrjedh e fshihet,
përtej të sotmes
… që bëhet e djeshme,
përtej të nesërmes
që plaket para syve,
përtej kësaj ore
që lëshon
pjalm ndjenjash,
përtej këtij minuti
që luan
valse ëndrrash,
përtej sekondave
të kaltra të zemrave,
përtej kësaj tërheqje,
që zbret
në arterie e shkrihet,
është koha
që ndal në pikën zero.
Një ëndërr
që na përsëritet
ditë pas dite.

TË FOLA ME GJUHËN E ZEMRËS

Të fola

me gjuhën e zemrës,
e sy ndër sy

luajtëm me vetëtimat,
derisa prej qiellit tënd

zbriti një re
dhe ma fshiu mendimin.
Të fola

me gjuhën e diellit
në një mëngjes të ëmbël.
Mëngjesi u shkri
në ditën që s’erdhi.
U gjeta

në muzg
me shpinë nga dielli që shuhej,
mbi një urë që në det shtrihej.
Me ujë të kripur
na u lagën premtimet,
teksa terri në një arkë me dry,
na i futi zemrat.

Të fola
me gjuhën e luleve në syth,
para çeljes së gjetheve.
Pranvera m’u shfaq në ty,
e në sytë e tu
mbolla trëndafila të çelur.
Një mëngjes të ri
e lashë pranë zemrës,
një mëngjes të ndarë më dysh.

PËRMBYTUR NGA NJË NDJENJË

Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!

Je ti një horizont,
që lëviz
në pak hapësirë.
Një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë.
Në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s’mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.