Në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës u zhvilluan sot punimet e ditës së dytë të Seminarit të XVI mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. Seminari, i cili ka mbledhur mësues, specialistë, kërkues shkencorë, akademikë dhe studiues, me qëllim që përmes ideve, mendimeve, strategjive dhe metodave të ndryshme, të kontribuohet për mësimdhënie cilësore të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Seanca plenare e ditës së dytë u moderua nga z. Besnik Rama, përfaqësues i MAS të Republikës së Shqipërisë dhe znj. Feime Llapashtica, përfaqësuese e MASHTI-it të Republikës së Kosovës.
Dr. Murteza Osaudaj në fjalën e tij në nisje të seancës plenare vuri theksin mbi kulturën e leximit, si një faktor i rëndësishëm në ngritjen akademike dhe në ruajtjen e identitetit të nxënësve shqiptarë në diasporë.
Mr. Nuhi Gashi në fjalën e tij foli për mësuesin e shkollës shqipe në diasporë ndërmjet kornizave kurrikulare të arsimit parauniversitar në atdhe (Shqipëri e Kosovë) dhe kurrikulës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Dr. Besnik Rama dhe Msc. Ergisa Bebja në fjalën e tyre gjatë seancës plenare u ndalën tek karakteristikat e mësimdhënies së suksesshme në shkollat shqipe në diasporë.
Seanca plenare u mbyll nga mësuesja e gjuhës shqipe në Greqi, Aurela Konduri dhe prof. As. Dr. Rozana Rushiti, të cilat folën për dygjuhësinë e padukshme, trajtimin dhe zbatimin e saj në sistemin bashkëkohor arsimor.
Punimet e ditës së dytë vijuan me organizimin e grupeve në pesë punëtori, ku u trajtuan dhe diskutuan këto tema:
– Mënyra e organizimit të një pike shkollore, moderuar nga dr. Vaxhid Sejdiu, mësues në Zvicër.
– Interaktiviteti përmes lojërave gjuhësore, modelimi i një ore mësimi mbështetur në kompetenca të nxëni, moderuar nga dr. Albana Tahiri.
– Kombinimi i roleve mësues-nxënës për mbarëvajtjen e të mësuarit me efektivitet të gjuhës shqipe, moderuar nga Lindita Budini, mësuese e gjuhës shqipe në Greqi.
– Përgatitja dhe udhëheqja e mësimit plotësues në gjuhën shqipe me nxënës me nivele të ndryshme gjuhësore, moderuar nga mr. Nexhat Maloku, mësues i gjuhës shqipe në Zvicër .
– Prindi, kyçi i suksesit tonë, moderuar nga Anila Berberi, mësuese e gjuhës shqipe në Itali.
Dita e dytë e Seminarit u mbyll me disa reflektime mbi punën e secilës punëtori (Nga QBD-ja).