Pas një pune relativisht të gjatë hulumtuese dhe studimore pesë vjeçare mbi aktivitetet, rolin, rëndësinë, shkaqet e emigrimit dhe organizimin kulturor dhe atdhetar të mërgatës shqiptare në Gjermani, autori Argjend Hasani, në vazhdim nxori në dritë, botimin e dytë voluminoz, monografinë “MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI”, (Pjesa e Dytë), botues Lena Grafik në Prishtinë. Në këtë botim voluminoz, autori dhe publicisti Argjend Hasani, ka prezentuar punën dhe aktivitetet e mërgatës shqiptare në Gjermani në një interval kohor 50 vjeçar.
Libri përmbanë të dhëna interesante, duke filluar me fillet e para që quan në migrimin e bashkëatdhetarëve tanë jashtë atdheut, si dhe pasqyron aktivitetet kulturore, atdhetare, arsimore, artistike, letërsisë, filantropike, humanitare, afariste si dhe të integrimit të mërgatës shqiptare në Republikën Federale të Gjermanisë. Autori Argjend Hasani, gjatë grumbullimit të të dhënave për botim, ka bashkëpunuar me shumë personalitete të shquara atdhetare që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani, si veprimtarë, shkrimtarë, arsimtarë, krijues, artistë, afaristë etj, dhe me shkollat shqipe me mësim plotësues në gjuhën shqipe dhe shoqata të shumta kulturore që mbajnë gjallë frymën atdhetare e kulturore në mërgim (Nga Portali Informativ i Mërgatës Shqiptare në Gjermani)