EMRAT QË NDËRROJNË GJINI NË GJUHËN SHQIPE DHE PROBLEMI YNË ME TA

Nga Sevi Lami Agolli

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe duke studiuar

Në gjuhën shqipe, emri është një pjesë ligjërate, që emërton frymorë dhe sende. Ai ka kategorinë gramatikore të gjinisë, të numrit, të rasës dhe të shquarsisë e pashquarsisë.

Sot do të ndalemi te njëra nga këto kategori të emrit, ku gjatë punës sime vërej që bëhen shumë gabime, pothuajse nga të gjithë shqipfolësit.

Do të ndalemi te kategoria e gjinisë e, më konkretisht, te disa emra që ndërrojnë gjini e që ndryshe quhen emra të dygjinishëm ose ambigjenë!

Dimë se emri në gjuhën shqipe ka tri gjini:

mashkullore, emrat që në të shquar dalin me -i dhe -u (libri, mali, miku, bujku etj.)

femërore, emrat që dalin me -a ose -ja (mësuesja, lulja, fusha, ora etj.)

asnjanëse, ku futen një numër i vogël emrash, që kanë nyjën të përpara dhe mbarojnë me -(ë)t ose -it (të qenët, të ftohtit, të folurit etj.)

Këtu duhet të shtojmë edhe një pikë të katërt për emrat e dygjinishëm. Ka shumë shqipfolës që as nuk e dinë se çfarë janë këta emra, ndaj bëhen shumë gabime me përdorimin e tyre! Gabojnë jo vetëm ata që kanë një kulturë mesatare gjuhësore, por edhe vetë shqipfolës që kanë studiuar për vite e vite të tëra në universitete shqiptare apo edhe nëpër botë, ku edhe kanë bërë gjuhë shqipe. Shumë herë gjatë punës sime has përshtatje të gabuara të këtyre emrave me përcaktorët e tyre, sepse nuk bëhet lidhja e duhur mes tyre. Shumë miq apo kolegë vazhdojnë të më pyesin shpesh: objektiva të qartë apo të qarta; personazhe artistike apo artistikë; interesa kombëtare apo kombëtarë; zëra të ëmbël apo të ëmbla, lekë të reja apo lekë të rinj?

Nisur edhe nga gabimet e shumta me këta emra, nisa ta studioj më shumë këtë dukuri gjuhësore, për të kuptuar se përse ne bënim aq shumë gabime me këta emra.

Por çfarë janë emrat e dygjinishëm ose ndryshe ambigjenë?

Emrat e dygjinishëm ose ambigjenë janë një kategori emrash mashkullorë, të cilët në numrin shumës kthehen në femërorë. Ky ndërrim gjinie gjen shprehje te mbiemrat dhe fjalët e tjera përcaktuese të tyre (shih këtu: Morfologjia e gjuhës shqipe, faqe 92, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2002).

Të tillë janë disa emra mashkullorë, që e formojnë shumësin me prapashtesat trajtëformuese -e dhe -ra. Emrat e kësaj klase në njëjës dalin mashkullorë, por kur kalojnë në numrin shumës femërorizohen. Emrat që hyjnë në klasën e ambigjenëve kryesisht emërtojnë jofrymorë, sende a nocione abstrakte. Kështu kemi:

  • Male të larta
  • Ujëra të thella
  • Fshatra të vogla
  • Tri qytete
  • Vajra industriale
  • Këto vende etj.

Dygjinishmëria e emrit nuk është karakteristikë veç e gjuhës shqipe. Ajo haset në shumë gjuhë të familjes indoeuropiane. Kjo është një dukuri e vjetër, e cila pas shumë diskutimesh në rrethet shkencore, u pranua si normativë në gjuhën standarde. Si e tillë, ajo duhet të përdoret drejt dhe saktë, sa kohë është normativë! Mirëpo kjo dukuri edhe sot e kësaj dite sjell debate mes studiuesve të fushës, ku disa prej tyre e pranojnë dhe disa e kundërshtojnë, për shkak të problemeve që sjell përshtatja e përcaktorëve me këta emra. Pra, ajo që e bën të vështirë këtë dukuri, gjë që çon në moskuptimin dhe përdorimin gabim të saj, është përshtatja e përcaktorëve mbiemra dhe përemra me emrat. Ne e dimë se mbiemri dhe përcaktorët përshtaten në numër, gjini dhe rasë me emrin që përcaktojnë. Në rastin e këtyre emrave pikërisht këtu gabohet. Ne bëjmë gabime në lidhjen e fjalës së përcaktuar me përcaktuesin, që përshtaten gabimisht në gjini.

Nga hulumtimet që bëra, dola në përfundimin se përshtatja gabim në gjini e përcaktorëve me këta emra ndodh për dy arsye:

1) Ngatërrimi i prapashtesave trajtëformuese të këtyre emrave. Janë ambigjenë (të dygjinishëm) vetëm ata emra mashkullorë që në shumës dalin me -e dhe -ra. (mal-e të larta, ujë-ra të kaltra, personalitet-e të shquara, tri qytete etj.) Pra, mbani mend veç me këto dy prapashtesa trajtëformuese. Përcaktorët përshtaten në gjininë femërore kur ata janë në numrin shumës, kurse në numrin njëjës ose kur nënkuptohet se janë në njëjës, ata dalin në gjininë mashkullore. P.sh.: Dy personazhet artistike ishin ulur pranë njëri-tjetrit. Pra, përcaktori i shprehur me mbiemrin “artistike” del në femërore, sepse emri “personazhet” është në shumës (i dygjinishëm), kurse përemri i pacaktuar “njëri-tjetrin” e nënkupton këtë emër në njëjës.

KUJDES! Kur ju duhet të bëni analizë morfologjie të këtyre emrave, kujtoni se për të dalluar gjininë e një emri, e çojmë atë në numrin njëjës, rasa emërore, trajta e shquar. Kështu për emrat ambigjenë fëmijëve do t’ju mësojmë se në njëjës janë në gjininë mashkullore.

2) Shumë emra mashkullorë e formojnë shumësin me prapashtesën trajtëformuese -a, si: objektiva, libra, interesa, telefona, gërsheta, zëra etj. Këta emra mashkullorë nuk janë ambigjenë. Ata ngatërrohen me emrat e gjinisë femërore, për shkak të prapashtesës trajtëformuese -a. Këta emra janë në gjininë mashkullore si në njëjës, ashtu dhe në shumës. Si të tillë, edhe përcaktorët do t’i marrin gjithmonë në gjininë mashkullore. Pra, nuk janë emra femërorë, as ambigjenë, por emra në gjininë mashkullore.

Kini parasysh këto dy pika që përmenden më sipër dhe ju do t’i shkruani gjithnjë saktë përcaktorët e emrave të dygjinishëm. Edhe nëse hasni vështirësi, mjafton të keni dëshirën për ta mësuar saktë një rregull të gjuhës shqipe dhe burimet që do t’ju ndihmojnë janë të shumta (Marrë nga Gazeta Dielli).