Erozioni i paanshmërisë së BE-së

Nga Sylë UKSHINI

Sylë Ukshini

Miqtë e Kosovës i japin të drejtë ekzekutivit të vendit, por si për çdo vendim tjetër, kërkojnë prolongimin e vendimeve për dinarin serb dhe për strukturat paralele. Në anën tjetër, kundërshtarët e Kosovës kalkulojnë në gabimet e mundshme të Qeverisë së Kosovës. Por, po ashtu, situata duket edhe më komplekse për faktin se përkundër angazhimit të shtuar të diplomatëve perëndimorë në Prishtinë, nuk ka qartësi të plotë se si ata e kanë dizajnuar procesin politik në veri. Në vend të presionit të njëkohshëm, bashkësia ndërkombëtar ka nevojë për të dëgjuar rritjen e zhgënjimit te kosovarët në lidhje me presionin mbi formimin e Asociacionit dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë. Dy projektet njëetnike në Kosovë të sponsorizuara nga ndërkombëtarët që e kanë goditur fort Propozimin e Athisaarit vetëm për të akomoduar dhe qetësuar Serbinë.
Nëse Brukseli akoma ka qëndrim të vagullt për agresionin ushtarak serb në Banjskë, për çështjen e dinarit dhe vendimin e autoriteteve kosovare për mbylljen e zyrave të strukturave paralele serbe në Kosovë; qëndrimi është shumë i qartë: vendimet duhet të prolongohen, pasi Beogradi bën zhurmë viktimizuese! Ky zell i Brukselit është shoqëruar edhe me deklarata dhe komente të shumta të diplomatëve të shumtë në Prishtinë edhe përmes rrjeteve sociale. Ku qëndron motivi është vështirë të thuhet, por një gjë është e sigurt, kemi të bëjmë me një qëndrim me standarde të dyfishta, qoftë i motivuar nga ndryshimi i paradigmave të dialogut të Brukselit, rrethanave të reja gjeopolitike apo paragjykimeve kulturore dhe fetare.
Një qëndrim i tillë i BE-së duket i paimagjinueshëm në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Kërkesat e tilla, për ruajtjen e mbetjeve të regjimit të Milosheviqit, për rivendosjen e dinarit serb si valutë zyrtare, për ruajtjen e tabelave me targa të Serbisë, pasaporta serbe, letërnjoftime serbe etj., mos u befasoni kur këta të kërkojnë edhe më shumë… po të mos ishte rreziku i luftës.
Me këto qëndrime që cenojnë shtetësinë e Kosovës a mund BE-ja të jetë ndërmjetës i paanshëm. Ky qëndrim i BE-së është simfonia e fundit mortore e dialogut më absurd të iniciuar me një rezolutë të OKB-së të sponsorizuar nga BE-ja dhe Serbia në ashtator të vitit 2010. Pra, në momentin kur GJND-ja e vulosi ligjshmërinë juridike ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, BE-ja në vend se të kërkonte njohjen nga 5 shtetet anëtare, mori përsipër një dialog ku Kosovën e trajton si çështje trafiku e herë si çështje shëndetësore apo mjedisore.
BE-ja ka marrë një qëndrim të anshëm, ajo mbështet hapur strukturat paralele të Serbisë, të cilat janë mbetje të regjimit të Slobodan Milosheviqit!
Për më tepër, këto struktura mirëmbajnë funksionimin në praktikë të strategjisë së Milosheviqit për ruajtjen e komunikimit të drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës me Beogradin. Në të njëjtën kohë të minohet çdo lojalitet ndaj institucioneve të Kosovës dhe që serbët lokalë të instrumentalizohen kundër shqiptarëve. Ngjashëm si Milosheviqi, edhe bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm, tashmë të konvertuar si demokratë, vlerësojnë se “mbrojtja” e serbëve të Kosovës bëhet duke i konfrontuar me shqiptarët dhe institucionet e Kosovës.
Pra, strukturat paralele të shtetit serb, për të cilat paska vajtuar zëdhënësi i BE-së, janë instrument për pengimin e integrimit të serbëve kosovarë dhe barrierë kryesore e bashkëpunimit të serbëve lokalë me institucionet shtetërore të Kosovës.
Në këtë kontekst duhet parë edhe funksionimin e strukturave paralele dhe terroriste serbe në Kosovës, si dhe aksionin e tyre terrorist në Banjskë në shtatorin e kaluar. Dhe këtë linjë politike dhe këtë formë të organizimit paralel duhet kërkuar tek regjimi i Milosheviqit i cili i instrumentalizoi serbët e Kosovës si “kolonë e pestë” kundër shqiptarëve. Ish-anëtarja e Ekipit Kërkimor për Çështje të Udhëheqjes në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), Nevenka Tromp, duke u mbështetur në procesverbalet e dëshmive në procesin kundër Milosheviqit lidhur me akuzën për krime kundër njerëzimit në Kosovë, konfirmon se popullata serbe dhe ajo malazeze në Kosovë ishin armatosur qysh në vitin 1997. Ky fakt s’e konfirmon se ndërmarrja kriminale e Beogradit në Kosovë kishte për synim që në fushatën e spastrimit etnik në Kosovë të përfshinte edhe popullatën civile vendore serbe dhe malazeze.
Sipas Tromp-it, dëshmia në TPNJ e gjeneralit serb në pension Bozhidar Deliq, i cili ishte paraqitur si dëshmitar në emër të Milosheviqit, dhe pretendimet e tij në temën e tij të doktoratës, të shkruar më 1997, konfirmonin se Beogradi qysh në vitin 1997 u kishte dhënë serbëve dhe malazezve të Kosovës “armë të lehta këmbësorie”.
Pavarësisht këtyre fakteve, Perëndimi vazhdon përpjekjet për fshehjen e krimeve serbe në Kosovë dhe ndjek caqet për krijimin e një lloj simetrie artificiale në mes krimit shtetëror serb në Kosovë dhe krimeve të mundshme eventuale të shqiptarëve. Vetë mënyra e krijimit të Gjykatës Speciale, e motivuar nga një raport dubioz i ish-senatorit zviceran Dick Marty, shpërfaq synimin për simetri të krimit, ose, nëse nuk është kjo, atëherë kemi të bëjmë me një mendjelehtësi të Perëndimin si në rastin e mosleximit të saktë të politikës së Putinit. Prandaj, nëse sot ka një mosbesim total ndaj deklaratave të Perëndimit lidhur me çështjen e Asociacionit, faji nuk është vetëm i kosovarëve, por edhe i vetë Perëndimit, i cili besimin e kosovarëve e ka konsumuar në mënyrë më brutale. Ka kohë që në qarqet e djathta ekstreme në Evropë ka zënë vend racizmi antishqiptar, në libra, filma dhe narracione urbane.
Edhe sikur të kishte diçka të vërtetë në akuzat e Dick Martyt, nuk kishte arsye të binim në panik. Natyrisht, siç pohon edhe Kadare, mënyra se si u bë publike raporti i Dick Martyt kishte ngjyra raciste dhe u ngjante rrëfenjave me vampirë e me vrasje rituale, tepër të përshtatshme për psikozë raciste, siç kishin bërë racistët gjermanë kundër hebrenjve. Është disi e habitshme, më 2023, përkimi i akuzës së njëjtë ruse për trafikim organesh nga Ukraina. Por, Ukraina, e cila ka përvojë më të gjatë kundër shpifjeve të tilla, diti të mbrohej. Kosova dhe Shqipëria qëndruan duarkryq dhe të hutuara. Shqiptarët u kapën në befasi. Por, në fund erdhi Gjykata Speciale, e cila, pos që devijoi nga ajo për çfarë ishte formuar, minoi besimin që kishin shqiptarët te ndërkombëtarët. Sot, nga të gjithë pa përjashtim, madje edhe nga ata që e votuan, pranohet se Kosova u mashtrua, ndërsa besueshmëria te ndërkombëtare ra përtokë.
Nëse në vitin 2013 akoma kishte kondicion politik për të shkuar më tej me kompromise në dialogun e Brukselit, devijimi i BE-së nga një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe bashkë me të edhe fillimi i proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë, në të cilat askund nuk bëhet fjalë për “gjetjet” e Dick Martyt, e kanë vrarë për vdekje entuziazmin për çfarëdo mundësie për themelimin e Asociacionit dhe kompromise të tjera në Bruksel. Derisa Serbia është e interesuar të bisedojë pa limit, shoqëria kosovare e ndien një lloj lodhjeje nga dialogu i tejzgjatur dhe herë-herë i pakuptimtë, që në disa raste është shndërruar në një lloj kazantriqe, ku mund të përpunohen çështje nga më të ndryshme, të trafikut, ambientit, të infrastrukturës e të tjera. Ndërkohë, që strukturat paralele të financuara nga Beogradin e bëjnë ligjin në enklavat e banuara me serbë.
Për më tepër, funksionimi i strukturave paralele të Serbisë brenda Kosovës është po ashtu në kundërshtim me detyrimet e marrëveshjeve të Brukselit të ndërmjetësuara nga BE-ja. Madje, 11 vjet më parë BE-ja kishte premtuar se shtatori i vitit 2013 duhej të shënonte fundin e funksionimit të strukturave paralele serbe në Kosovë. Kështu thuhej edhe në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Marrëveshja e Brukselit thotë se anëtarët e strukturave paralele të sigurisë në veri duhet të integrohen në institucionet e barasvlershme të Kosovë. Është, po ashtu, fakt i njohur se strukturat paralele serbe, të financuara drejtpërdrejt nga Beogradi, kanë qenë burim tensioni në Kosovë dhe organizatore të ngritjes së barrikadave në veri të Kosovës. Prandaj pala kosovare vazhdimisht kishte mbrojtur pozicionin se formimi i Asociacionit të komunave serbe do të mund të diskutohet vetëm pas shuarjes së strukturave paralele.
Pra, Serbia ka dështuar të përmbushë detyrimet e Brukselit për shuarjen e strukturave të saj në Kosovë. Ajo ende vazhdon që t’i financojë dhe përkrahë strukturat paralele, në vend se të respektojë Marrëveshjen e Brukselit. Siç është raportuar, Serbia vazhdon që të ndajë rreth 500 milionë euro në vit për strukturat e saj paralele në Kosovë.
Në vend se BE-ja t’i bëjë presion Serbisë që ajo ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj dhe gjithashtu t’i shuajë të gjitha strukturat paralele, për të treguar qëndrueshmëri në angazhimin e saj për dialogun e Brukselit dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç parashihet në Kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE, ajo shpreh kundërshti ndaj veprimeve të ligjshme të autoriteteve të Kosovës.
Beogradi si duket e ka kuptuar pozitën e vështirë të Kosovës, prandaj përmes vetëviktimizimit është hedhur në aksion për të provokuar ndonjë reagim të vrullshëm të Kosovës. Shqiptarët duhet të operojnë me kujdes të madh dhe ta kenë parasysh këtë moment vendimtar në të cilin ndodhet Kosova.
Në momentin kur po ballafaqohemi me nacionalizmin agresiv serb dhe përpjekjet ndërkombëtare për të krijuar një simetri të krimeve të njohura në Kosovë së fundshekullin e kaluar. Veprimet e Kosovës duhet të jenë më mirë të paketuara diplomatikisht dhe medialisht.
Të paktën një gjë është e mirë, më në fund, ranë maskat, pasi BE-ja edhe zyrtarisht e bëri të qartë se ka qenë në dijeni dhe ka toleruar në vazhdimësi që paratë e saj të destinuara për Beogradin të shkojnë më pas edhe për strukturat paralele serbe, të cilat si dje edhe sot minojnë funksionalitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Zëdhënësi i BE-së sot doli krejt hapur dhe pa turp në mbrojtje të strukturave ilegale të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Beogradi vazhdon aksionin agresiv për pengimin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kuptim, strukturat paralele serbe janë në funksion të doktrinës serbomadhe (bota serbe), e cila nuk është dënuar asnjëherë dhe vazhdojnë të funksionojnë sipas strategjisë së vjetër serbe të vetviktimizimit!
Por është tepër e çuditshme, derisa ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë dhe BE-ja tregohen të kujdesshëm për të reaguar për çdo rast qoftë edhe krejt minor, homologët e tyre heshtin dhe vetëm heshtin kur popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës reduktohet për çdo ditë si rrjedhojë e çaktivizimit të adresave të shqiptarëve (spastrimit të heshtur).
Kjo politikë serbe është pjesë e strategjisë së Serbisë, të cilën disa organizata për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar “spastrim etnik administrativ”.
Sipas një raporti të hartuar nga një studiuese shqiptare në Gjermani (F.F) 6000 shqiptarëve u janë çaktivizuar adresat e tyre në rajonin e Luginës, duke i bërë ata pa shtetësi dhe të paaftë për të blerë ose shitur prona, për të pasur akses në arsim ose kujdes shëndetësor, për të votuar ose për të ushtruar të drejta të tjera themelore. Pse ky qëndrim me standarde të dyfishta? A është kjo pafuqi e BE-së apo ajo qëllimisht po shndërrohet në një protektor të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat për 25 vjet me radhë kanë qenë burim i trazirave dhe tensioneve në Kosovë.
Dhe askush më shumë se këto struktura, të nxitura dhe të financuara nga Serbia dhe Rusia, nuk e kanë luftuar suksesin e Perëndimit në Kosovë. Prandaj pala kosovare duhet që në shpejtësinë e duhur të paketojë politikisht dhe medialisht veprimet e saj në mënyrë që të shmangen veprimet që do të nxisnin tensione në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë. Gjithashtu, ekzekutivi i vendit duhet të operojë me kujdes të madh pasi çdo përshkallëzim i situatës në Kosovë do të ishte një dhuratë politike për Beogradin.
Andaj, situata momentale në vend duke shumë e koklavitur, çdo gjë duket sikur po lëviz nëpër tehe të shpatës. Miqtë e Kosovës i japin të drejtë ekzekutivit të vendit, por, si për çdo vendim tjetër, kërkojnë prolongimin e vendimeve për dinarin serb dhe për strukturat paralele. Në anën tjetër, kundërshtarët e Kosovës kalkulojnë në gabimet e mundshme të Qeverisë së Kosovës. Por, po ashtu situata duket edhe më komplekse për faktin se përkundër angazhimit të shtuar të diplomatëve perëndimorë në Prishtinë, nuk ka qartësi të plotë si ata e kanë dizajnuar procesin politik në veri. Në vend të presionit të njëkohshëm, bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për të dëgjuar rritjen e zhgënjimit te kosovarët në lidhje me presionin mbi formimin e Asociacionit dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë. Dy projektet njëetnike në Kosovë të sponsorizuara nga ndërkombëtarët e kanë goditur fort Propozimin e Athisaarit vetëm për të akomoduar dhe qetësuar Serbinë. Me apo pa të drejtë është krijuan bindja se në dialogun e Brukselit kompromise janë kërkuar vetëm nga Kosova, e cila edhe ashtu, siç kishte thënë Albert Rohan, bashkëhartues i Planit të Ahtisaarit, të gjitha kompromiset i kishte bërë në vitin 2007, kur ajo pranoi Planin Ahtisaari, i cili nuk mund të jetë çdoherë pikënisje për kompromise të tjera e të reja.
Ndërsa Perëndimi në përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit duhet ta kuptojë më në fund se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk mund të arrihet vetëm me simbolika, por as me qasjen se gjithçka duhet prolonguar në Kosovë për aq koha sa nuk pajtohet Beogradi.