FARKA – FSHATI I POÇERISË QË PO KTHEHET NË NJË DESTINACION TURISTIK

Nga Berat Luzha

Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCII)

Rreth 7 km nga Tirana, në periferi të saj dhe buzë Unazës së Madhe të Tiranës ndodhet fshati Farkë. Në fakt, në juglindje të kryeqytetit ndodhen dy Farka; Farka e Madhe dhe Farka e Vogël. Si tërësi, Farka është e njohur për Liqenin (rezervuarin) e Farkës dhe për fushën e regjimentit të helikopterëve. Pos tjerash, bashkë me liqenin, Farka është një pikë e njohur turistike, një zonë e gjelbëruar, një destinim pushues për banorët e kryeqytetit. Emrin e ka marrë nga fjala “farkë”, si fshat i farkëtarëve.

Në Farkë ndodhet Parku i Liqenit të Farkës dhe, në kuadër të tij është ndërtuar një shëtitore, e cila mbushet çdo mbrëmje me pushues të shumtë, veçanërisht me pushues njëditorë familjarë, të ardhur nga kryeqyteti. Ky park dalëngadalë po kthehet në një pikë shumë të parapëlqyer për kryeqytetasit, një zgjidhje ideale për piknik në fundjavë. Gjithashtu, rreth liqenit bëhen gjiro me ecje këmbë apo me biçikleta. Ka mundësi edhe për lundrim me barka, për not dhe për peshkim, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve fizike, sportive e artistike. Aty ndodhet amfiteatri, këndi i lojërave, moli për barka dhe mjete tjera lundruese, pista të vrapimit dhe korsi të biçikletave.

Në zemër të fshatit ndodhet liqeni i bukur, me ujë të kthjelltë e të pastër, që mbanë emrin Liqeni i Farkës. Ky liqen, që mbushet me ujë nga përroi i Farkës e që rrjedhë nga mali i Dajtit, është shumë i përshtatshëm për piknik, ku mund të kalohen disa orë të qeta në ajër të pastër e larg zhurmës së qytetit. Liqeni, me sipërfaqe prej 75 hektarësh, është ndërtuar në vitin 1980 për ujitjen e tokës së bukës dhe të vreshtave në disa fshatra të Tiranës e Durrësit, por herë pas here, kur kishte thatësirë, e furnizonte me ujë edhe liqenin artificial të Tiranës. Sot liqeni, pos për bujqësi, përdoret edhe për furnizim të Farkës dhe të fshatrave përreth me ujë të pijes.

Liqenin e Farkës dhe zonën rreth tij Bashkia e Tiranës e ka kthyer në një zonë turistike për pushues nga Tirana dhe turistë të huaj. Tashmë, ky liqen dhe zona rreth tij është hapësira e dytë më e vizituar e Tiranës, pas Parkut të madh të Tiranës.

Në Farkë nuk ka bare e restorante, sikur në pikat tjera turistike. Buzë liqenit ka vetëm një kafene. Qëllimi është që përmes tyre të mos shkatërrohet zona e liqenit. Pushuesit nga Tirana e marrin me vete ushqimin dhe drekën e shtrojnë në bar. Mijëra vetë vijnë nga Tirana me makina, me biçikleta ose këmbë për ta kaluar një ditë apo edhe një mbrëmje të mrekullueshme në Parkun e Farkës.

Në qendër të fshatit ndodhen disa poçeri, ku prodhohen vorba, tava dheu, shtamba etj. Poçeria është një art i vjetër tradicional që zhvillohet edhe sot nga disa familje të Farkës. Gjithashtu, në fshat mund të vizitohen edhe vreshtat dhe kantinat e verës. Në kantina, pas shëtitjes nëpër vreshta, vizitorët ndalen për drekë me prodhime fshati dhe për shijimin e verës së shtëpisë. Aty ndodhet edhe një pistë e regjimentit të helikopterëve.

Duke qenë afër Tiranës, Farka është ndër fshatrat më të kërkuar për të jetuar. Në një anë të liqenit dhe në brendinë e parkut janë ndërtuar pallate e shtëpiza të shumta. Kështu, edhe parku i bukur i Farkës po mbushet me kuarte vilash, duke e shkatërruar gjelbërimin dhe duke e kthyer parkun në një vendbanim pa plan e pa kritere mjedisore.

Që nga viti 1958 Farka është e njohur për kultivimin e vreshtarisë dhe të pemëtarisë. Në këtë fshat dhe pranë Unazës së Madhe të Tiranës është ndërtuar tregu i ri agroushqimor “Agropark Tirana”, ku tregtohen me shumicë dhe pakicë prodhimet bujqësore të zonës. Bujqit i shesin prodhimet e veta pa paguar taksa, ndërsa blerësit i blejnë ato me çmime më të lira. Prodhimet e tregtuara në këtë treg bashkëkohor kontrollohen dhe certifikohen sipas standardeve evropiane.

Farka është një vend kodrinor fantastik afër kryeqytetit, me gjelbërim e freski mahnitëse, me qetësi e bukuri të rrallë, e përshtatshme për të pushuar e për t’u relaksuar në të. Më mirë se në Farkë nuk gjendet vend tjetër për turizëm ditor, për pushim e argëtim.