7 Marsi, një festë që na bashkon në shërbim të mësimit shqip
Nga Isuf Ismail
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, organizoi një takim festiv me mësuesit dhe veprimtarët e vatrës arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër.
Që në fillim do ta themi me kënaqësi, se Ambasada e Republikës së Shqipërisë është organizatore e shkëlqyer dhe mbështetëse e fuqishme e vatrës sonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër. Pikërisht ambasadori i nderuar Ilir Gjoni ka shfaqur gatishmërinë për të na përkrahur e mbështetur pa hezitim në punët dhe veprimtaritë arsimore e kulturore që bëhen nëpërmjet vatrës sonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër. Ai me një përkushtim e zell, jo vetëm na ka mirëpritur shumë herë në godinën e Ambasadës, por edhe ka marrë pjesë në aktivitet e veprimtaritë arsimore e kulturore dhe ka organizuar mirëfilli lidhjet, punën me institucionet arsimore e kulturore në Shqipëri e në Zvicër. Në rrethana të tilla me një përkushtim të madh ne mësimdhënësit shqiptarë të lidhur me Ambasadën e Shqipërisë, por edhe me atë të Kosovës, me koordinatorin dhe veprimtarin e shquar profesor dr. Vaxhid Sejdiu, kemi arritur rezultate e suksese të mëdha, janë hapur shumë klasa e shumë dyer shkollash në Zvicër. Pa punën e veprimtarinë, pa përkushtimin e madh të ambasadorit Ilir Gjoni dhe të profesor Vaxhidit nuk do të kishim këto rezultate e këto suksese të mirëfillta.
Në fjalën e tij, në një rast, më kujtohet, ambasadori i nderuar Ilir Gjoni ka theksuar:
─ Puna dhe veprimtaria më patriotike në mërgatë, është hapja e shkollave shqipe e mbarëvajtja e tyre.
Një përkushtim e një seriozitet në punët e veprimtaritë e shumta arsimore e kulturore ka shfaqur edhe këshilltari i Ambasadës së Republikës të Shqipërisë Valon Gashi, i cili merr pjesë në aktivitete shumta që i bënë vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe”. Gatishmëria e përkushtimi i tij për të na ndihmuar e përkrahur është shëmbëlltyrë e mirëfilltë.
Takimi u mbajt në Bibliotekën “Pestalozzi” ( Pestaloci) në Cyrih.
Mësimdhënësit: Ardjan Shaqiri, Nora Macula,Teuta Idrizi Myrtaj Isuf Ismaili dhe Lumnije Klinaku- Neziri me koordinatorin e “Shkollës Shqipe” në Zvicër Vaxhid Sejdiun dhe këshilltarin e Ambasadës së Republikës të Shqipërisë z. Valon Gashin.
Në takim morën pjesë mësimdhënës të përkushtuar e veprimtarë të mirë, nxënës e dashamirë të punës e veprimtarisë sonë.
Fillimisht fjalën e mori Vaxhid Sejdiu, i cili pasi uroi dhe pasi foli për rëndësinë e festës, për Ditën e Mësuesit, foli edhe sukseset shkollës sonë, duke shprehur mirënjohjen e thellë për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berne si dhe atë të Kosovës. Më pas ai e prezantoi edhe drejtoreshën e bibliotekës “ Pestalozzi” Suela Jorgaqi, për mundësinë që na dha që të mblidheshim në një nga sallat e bibliotekës, si dhe për përkrahjen që ajo na ka dhënë në vazhdimësi.
Më pas fjalën e mori këshilltari ambasadës shqiptare Valon Gashi i cili tha ndër të tjera se Ambasada e Shqipërisë në Berne publikisht i ka uruar mësimdhënësit shqiptarë për këtë festë dhe se edhe unë shfrytëzoj rastin t’ ju uroj nga afër.
“Ne menduam të shënojmë këtë festë në mënyrë modeste. Për këtë festë kemi përgatitur pesë certifikata mirënjohje. Kjo nuk është asgjë në krahasim me punën dhe angazhimin që e keni treguar, të cilat i admirojmë. Kjo punë dhe ky angazhim duket kudo, prandaj ka marrë jehonë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e kudo.”
Drejtoresha e bibliotekës Suela Jorgaqi, uroi po ashtu dhe i ftoi shqiptarët që sa më shumë të shkojnë bibliotekë, meqë ka edhe një numër të konsiderueshëm librash në gjuhën shqipe.
Më pas fjalën e morën edhe mësimdhënësit e veprimtarët të tjerë, të cilët uruan. Disa nxënës kënduan e recituan.
Në fund u ndanë edhe mirënjohjet.
Në bisedat e lira shoqërore e përkujtuam me nderime të thella Shkollën e Parë Shqipe të Korçës, ditën e 7 marsit të vitit 1887, kur u çel ajo shkollë, mësimdhënësit e patriotët e denjë Naim e Sami Frashëri, Pandeli Sotiri, Petro Nino Luarasi etj.