TË GJITHË PËR SHKOLLËN SHQIPE NË REPUBLIKËN E BAVARISË

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Me këtë përkushtim e ndërgjegjësim i ruajmë fëmijët nga asimilimi dhe, e nderojmë atdheut, sepse dhimbshëm historia na tregon se me dhjetëra miliona shqiptarë kanë harruar të bukurën gjuhë-shqipen, rrugëve të botës dhe shumë nga ta kanë ikur nga kjo botë me mallin e fjalës shqipe!

Ta duam dhe respektojmë këtë gjuhë hyjnore-gjuhën shqipe!

Të dashur nxënës,

mësimdhënës, këshilla të prindërve dhe prindër, që jetoni dhe veproni në Republikën e Bavarisë, ju dëshirojmë një vit të mbarë shkollor 2021/22, në mësimin plotësues në gjuhën shqipe!

Bashkëkombës, kudo që jeni, biznese e shoqata, të gjithë së bashku në interes të shkollës shqipe, në ruajtjen e gjuhës amtare dhe të kulturës, të kësaj vlerë sublime, e cila na identifikon qenien tonë kombëtare. Ne, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH), të cilët kemi marrë mbi supe një mision të shenjtë, ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë shqiptarë, për këtë kërkojmë që së bashku të angazhohemi në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe në Republikën e Bavarisë. Kjo rritje e numrit të nxënësve dhe hapja e klasave të reja, jo vetëm që na nderon si komunitet shqiptar, por mbi të gjitha i ruajmë fëmijët nga asimilimi, humbja e vlerave kombëtare e ato kulturore.

Jemi angazhuar dhe angazhohemi , ne, si kryesi e LAPSH-it,  që çdo fëmijë shqiptar të jetë i pranishëm në shkollën shqipe, por fatkeqësisht numri i atyre fëmijëve që duhet ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe është tepër i vogël!  Pra, për këtë na duhet një angazhim i madh i bashkëkombësve, prindërve, shoqatave dhe bizneseve për të pasur sukses në rritjen e numrit të nxënësve, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet tona, konkretisht me konsullatat që veprojnë në Mynih.

 Prandaj, nëse e duam dhe e respektojmë gjuhën e atdheut – gjuhën shqipe, së bashku të përkushtohemi në ruajtjen e saj, te fëmijët tanë. E sotmja nuk na falet, nëse ne e injorojmë me apo pa qëllim të bukurën gjuhë, gjuhën shqipe!

Mësimi në Bavari, tashmë është në vijën institucionale, të përkrahur nga shtetet e atdheut tonë, përfaqësive diplomatike të konsullatave tona shqiptare në Mynih, po ashtu përkrahje kemi edhe nga Ministri pa portofol –për Diasporën të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ajo që na inkurajon fuqishëm është futja e gjuhës shqipe në listën e gjuhëve të huaja, në republikën e Bavarisë, nga Ministria e kulturës Bavareze (Bayerisches Kultusministerium), me insistimin dhe punën e palodhshme të LAPSh-it, nën përkrahjen e Konsullatave në Mynih.

Me këtë përkushtim e ndërgjegjësim i ruajmë fëmijët nga asimilimi dhe, e nderojmë atdheut, sepse dhimbshëm historia na tregon se me dhjetëra miliona shqiptarë kanë harruar të bukurën gjuhë-shqipen, rrugëve të botës dhe shumë nga ta kanë ikur nga kjo botë me mallin e fjalës shqipe!

Andaj, të nderuar bashkëkombës përgjegjësia mbetet mbi ne, shoqata, biznese dhe për të gjithë ata prindër që kanë fëmijët për t’i dërguar në shkollën shqipe. Pra, për hir të atdheut, gjuhës së bukur të bashkohemi dhe të mos hezitojmë, t’i dërgoni fëmijët në shkollën shqipe, sepse përpos që është në interesin e fëmijëve tonë, ruajtja e gjuhës nënë, është edhe në interes të atdheut!

Të Bashkuar bëjmë fuqinë!

(Në këtë link gjeni edhe formularin, për plotësim: file:///C:/Users/arjet/OneDrive/Desktop/tre.pdf)