Fjala e mbajtur në Kuvendin e Mësuesve nga Mustafë Krasniqi

Shtypni mbi foto për ta përcjellë fjalimin M.K

Përshëndetje të pranishëm,

kolegë, mësues të dashur, e nderuara Zëvendësministre, MEPJ, Republika e Shqipërisë znj. Artemis Malo  e nderuara zëvendësministre, MPJ, Republika e Kosovës znj. Liza Gashi, i nderuari zëvendësministër, MASHTI, Republika e Kosovës z. Taulant Kelmendi  e nderuara zëvendësministre, MASR, Republika e Shqipërisë znj. Nina Guga, zëvendësministër, MASH, Republika e Maqedonisë së Veriut z. Agim Nuhiu, i nderuari Drejtor i Departamentit për Diasporë, MPJD, Republika e Kosovës z. Hamdi Reçica, ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Gjermani z. Faruk Ajeti dhe Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë znj. Gentiana Mburimi dhe  Konsull i Republikës së Kosovës z. Naser Bejtullahu!

Të nderuar të pranishëm në Kuvendin e Mësuesve të organizuar nga KKAD, KKD dhe QBD, i cili do të jetë i një rëndësie të madhe për mërgatën shqiptare, në ruajtjen e gjuhës amtare te fëmijët tanë mërgimtarë. Para jush po shpalos një historik të shkurtër të themelimit të KKAD-së.

Pas një angazhimi të përbashkët me institucionet tona, një grup mësuesish nga shtete e ndryshme, mori nismën e një rruge për unifikimin e diasporës shqiptare për shkollën shqipe. Duke paralajmëruar se po vije një rrezik i mundshëm i harrimit të gjuhës te fëmijët tanë, që si fakt brezi i dytë veçse ka filluar ta belbëzojë gjuhën, ka fëmijë që fare pak e kuptojnë, e sa për ta folur dhe shkruar fare mos të flasim.

Ky shqetësim i mësimdhënësve erdhi deri te bashkimi i tyre dhe themeluan  “Këshillin e Mësimit Shqip për Diasporën” më 4 Korrik 2020, ku ishin të pranishëm nga shumë shtete të ndryshme. Pas themelimit të këtij Këshilli, në takimin e radhës përpos anëtarëve ishin të pranishëm  ish – Ministrit i Diasporës së Republikës së Shqipërisë z. Pandeli Majko dhe zëvendësministri i diasporës, nga Republika e Kosovës Z. Bekim Brestovci. Pas një mori problemesh që i shfaqën anëtarët e Këshillit, doli propozimi nga z. Majko që Këshilli të ketë emërtim tjetër; KKAD, me arsyetimin se në Kosovë përdoret në vend të mësuesit ai i Arsimtarëve. Me këtë propozim u pajtua kryesia dhe anëtarët, të cilët miratuan një zëri emërtimin e ri KKAD, ku ishte i pranishëm edhe zv. ministri i MPJ i R.K. Në këtë takim u themeluan edhe tre sektorë: Sektori Pedagogjik, i Informimit dhe ai Organizativ.

Për themelimin e KKAD-së u informuan institucionet përkatëse, Ministritë e Arsimit, Ministritë e Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ambasadat dhe konsullatat e të dy shteteve, por edhe të gjitha mediet e shkruara dhe TV-të e ato elektronike.

Këshilli mori mbi vete përgjegjësinë, së bashku me institucionet tona përkatëse, për një mësimdhënie të unifikuar, e të koordinuar, si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e  mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.

Në programin e tij KKAD, nxori qëllimin që ka: Vizionin dhe Misionin

  1. Vizioni: Të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjeve didaktike për t’i siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore.
  2. Misioni: Ka për qëllim mbrojtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore.
  3. Si objektivë kryesore, ka një urë bashkëpunimi të qëndrueshme në mes të mësuesve të të gjitha shkollave dhe bashkëkombësve, që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare në diasporë. Këto, përpjekje, jo vetëm që do të kenë rëndësi në themelimin e bashkëpunimit institucional me njëra-tjetrën, por edhe me trojet shqiptare, si faktor i ndryshimit të metodave të mësimdhënies dhe teksteve shkollore.
  4. KKAD, ka për detyrë të bashkëpunojë ngushtë institucionalisht me institucionet tona: ministritë e arsimit, ato të diasporës dhe ato të punëve të jashtme, te të dyja shteteve shqiptare, ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të pasur sukses në mbrojtjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për shkollën shqipe në diasporë.

KKAD, për çdo veprim ka njoftuar organet përkatëse shtetërore, të dyja shteteve tona dhe është angazhuar që të jetë pjesë e atdheut, ku dhe kemi bërë kërkesë në dy institucionet tona, që të regjistrohemi në kuadër të tyre dhe të jemi pjesë e tyre, duke e ndier vetën pjesë e pandashme e atdheut.

Kërkesa drejtuar dy shteteve, u pa nga anëtarët e Këshillit si e vetmja shpresë, që të jemi të unifikuar dhe për këtë Republika e Shqipërisë e mori me përgjegjësi dhe me një Vendim të Këshillit të Ministrave – VKM miratoi kërkesën tonë në Dhjetor 2020, që me vendimin nr. 469, datë 26.7.2018, në pajtim me pikën 13/5 të vendimit të VKM-së, ku thotë:  “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë”.

Këtë miratim presim edhe nga Republika e Kosovës, e cila në çdo takim, konsultime ka qenë e pranishme, ku pjesëmarrja e institucioneve, përpos që na kanë nderu na kanë dhënë shpresë dhe fuqi për një organizim më të bashkuar dhe të fuqishëm, në mbrojtjen e gjuhës amtare në mërgatë.

Të nderuar pjesëmarrës, qëllimi i KKAD-së është që në rrugëtimin tonë të përbashkët t’i bashkojmë forcat në unifikimin e shkollave shqipe si dhe në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në shkallë kombëtare me qëllim që ta ndryshojmë gjendjen e vijimit simbolik të mësimit plotësues në gjuhën amtare me  moton: “Të gjithë për shkollën shqipe”. Po ashtu falënderojmë kontributin e mësimdhënësve, prindërve, e shoqatave, të cilët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, por ky hap nuk mjafton, për të shpëtuar dhjetëra mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët përballen me “valët e asimilimit të përditshëm”. 

  KKAD-ja me punën e saj katërvjeçare, ka treguar një gatishmëri të vazhdueshme, për një bashkëpunim të ndërsjellë, me shoqatat, mësimdhënësit si dhe me institucionet tona Shqipëri-Kosovë, tashmë do të kërkojmë edhe nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së veriut që të na njohë, me të vetmin qëllim që format  e bashkëpunimit dhe të veprimit të ndryshojnë në mërgatën shqiptare.

  KKAD-ja i është qasur këtij problemi të ndjeshëm dhe në vazhdimësi kërkon t’i qasemi bashkërisht unifikimit të faktorit shqiptar për një organizim sa më funksional të  mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, Sepse duke i bashkuar forcat mund të ofrojmë këshilla, sugjerime dhe vërejtje, jo vetëm profesionale por edhe shkencore institucioneve tona përkatëse. Bashkërisht më shpejt do të realizojmë unifikimin e shkollave shqipe, kudo që janë në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar.

  Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë në çdo takim me mësimdhënës, shoqata e institucione, ka shpalosur vizionin dhe misionin e tij për një bashkëpunim dhe bashkim, me ata që e shohin si primare shkollën shqipe.

Për fund uroj që ky takim të nxjerrë konkluzione dhe vendime të përbashkëta, me qëllim që ta kemi një diasporë të unifikua për shkollën shqipe, sepse faktorë që janë të zëshëm më shumë se shkolla shqipe janë:

  1. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhamia
  2. Në mësimin plotësues të gjuhës Greke
  3. Heshtja, duke aluduar në atë se jetojmë jashtë shtetit dhe gjuha amtare nuk ju duhet dhe
  4. Humbja pas lekut, duke e harruar  se fëmija i tij nuk e flet gjuhën mëmë/

Për të gjitha këto na duhet një vizion i qartë i përbashkët shtet- mërgatë, për ta sensibilizuar gjuhën shqipe, apo më mirë për të thënë për t’i shpëtuar fëmijët nga asimilimi. Duke e inkurajuar mësuesin, sepse roli i mësuesve në diasporë merr një kuptim e rëndësi te veçantë thelbësore në ditët e sotme. Ata janë ura lidhëse me gjuhën e kulturën e origjinës, janë figura fisnike e atdhetarit. Ata inkurajojnë nxënësit për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe në mënyrë aktive dhe krijuese, duke përdorur letërsinë dhe kulturën tonë për ta bërë më të kuptueshme trashëgiminë  dhe vlerat tona kombëtare. Për këtë së bashku të gjejmë një model për t’i nxitur prindërit për t’i dërguar fëmijët në mësimin plotësues.

Nëse ne sot nuk e bëjmë, do të përsëritet e kaluara e hidhur, të harrohet gjuha, identiteti dhe të shkrihet gjaku i arbrit!

 Të nderuar të pranishëm marsi për ne shqiptarët ka lënë gjurmë të thella të historisë, andaj kam nderin, që kolegeve t’ua uroj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën e Gruas edhe t’i përkujtoj datat historike: 2 mars 1444 – Kuvendin e Lezhës dhe 5,6,7 Marsin Epopenë e UÇK-së.

Ju faleminderit për vëmendje!

Mustafë Krasniqi, Bavari-Gjermani

.