Gabimi i Jerinës

Nikolle Leka

Gabimi i Jerinës

Nga Nikolle Leka

Një sy i lig i pa matanë,
Jerina e bukur u kaloi pranë.
Se zoti vetë deshi t’i masë
në duel trimat për një vashë.
Hynë burrat në mes, e dot s’i ndanë,
rrufetë prej qiellit nuk i vranë.
Vrasjen e nxit Jerina e shkretë,
zgjodhi për qejf të zemrës së vet.

Dy herë fitoi Lekë Zaharia,
në duel luftë dhe dashurie.
Lekë Dukagjini qëkur kish lerë,
nuk ishte mësuar me humb dy herë.
Me zor tërhiqet e i fsheh dy plagë,
njëra i dhemb, tjetra i rrjedh gjak.

Jerinë u fute në rrugë pa krye,
luanët me plagë, nuk dinë me u thye.
Sikur ta bëje ti zemrën gur,
të thoje asnjërin s’e marr për burrë!
Pse s’i plagose me një shigjetë,
që të qetësohej Arbëria e shkretë!
Më mirë betim për të mbet virgjinë,
se nuk e gëzove Lekë Zaharinë!

Fotografia e Nikolle Loka