Shkolla shqipe në Zvicër gjatë këtij viti shkollor është shndërruar në një vatër të mësimit në gjuhën amtare. Dhjetëra e dhjetëra shkolla u hapën sivjet duke iu ofruar mundësinë fëmijëve shqiptarë që orët mësimore në gjuhën shqipe t`i kenë sa më afër, në shkollat ku mësojnë edhe në gjuhën e vendit.

Por, në këtë kohë pandemie kur po mundohemi t`i zbatojmë edhe rregullat e shërbimit publik, e vetmja mënyrë e komunikimit me nxënësit janë mësimet në distancë. Të përballur me një situatë të pazakontë, fillimi ishte shumë i vështirë por me kalimin e ditëve filluam t`i përshtatemi, kushteve, kohës dhe natyrisht kërkesave të reja për organizimin e këtij mësimi të veçantë.


Edhe në shtëpi, njësoj si në shkollë. Kur gjejmë kohën e duhur për orët mësimore në gjuhën e vendit, duhet të gjejmë kohë edhe për mësimet në gjuhën shqipe.
Këto fotografi të dhjetëra nxënësve të shkollave shqipe në Volketswil, Uster, Schwerzenbach, Fehraltorf, Spreitenbach të mësuesit Vaxhid Sejdiut flasin sa mijëra fjalë, flasin me gjuhën e zemrës për gjuhën e atdheut – për gjuhën shqipe. Ata e thonë hapur dhe pastër: “e vërtetë se shkolla na mungon por gjejmë kohë edhe Shqip të mësojmë”.
Në këtë përpjekje natyrisht se një ndihmesë të madhe e kanë dhënë edhe prindërit e shkollave shqipe, të cilët jo vetëm që kanë ndihmuar në këtë drejtim por kanë qenë edhe urë lidhëse në pranimin detyrave dhe dërgimin e tyre. Ky përkushtim ka një vlerë të veçantë sepse në këtë ngarkesë të shumëfishtë, ata kanë gjetur kohën e duhur që fëmijët e tyre të mos mbeten prapa edhe me mësimet në gjuhën amtare. T`i shfletojmë disa pamje të punës së palodhshme të nxënësve shqiptarë të Shkollave Shqipe në Zvicër, të cilët në këtë kohë pandemie shkruajnë dhe mësojnë shqipe.
Redaksia


