Hapësira etnike kulturore shqiptare dhe Kisha Ortodokse Serbe III.

Prof. dr. Hysen Matoshi

Shkruan: Prof. dr. Hysen Matoshi

Shqiptarët – halë në sytë e një patriarku

Fushatat serbe për spastrimin e tokave shqiptare, përkatësisht nga elementi etnik autokton dhe trashëgimia e tij kulturore, si përpjekje përfundimtare për ta shlyer çdo gjurmë dëshmuese të zotëruesve të saj, gjithnjë niste me një propagandë që synonte demonizimin e plotë të popullatës vendëse. Në mënyrë që fushata të shënonte suksesin për ta mobilizuar shoqërinë serbe në marshin pushtues, ishte nevojshme që kjo të bëhej nga njerëz e institucione që gëzonin respektin e saj. Në këtë pikëpamje, Kisha Ortodokse Serbe luante një rol të pazëvendësueshëm. Ajo do t’i angazhonte potencialet e veta më të afta njerëzore për këtë qëllim. Shembulli që kemi sjellë në vijim e dëshmon më së miri këtë intencë. Fjala është për patriarkun Pavli, i cili për më se dy dekada qëndroi në krye të kishës serbe. Mirëpo, para se të bëhej patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, ku do ta zëvendësonte Germanin, sikundër dihet, Pavli kishte shërbyer për tre dhjetëvjetësha në Prizren si peshkop. Nga raportet e tij të shumta, të cilat ia dërgonte Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, në gazetën Večernje novosti24 të Beogradit u hartua një fejton prej 11 vazhdimesh.  Edhe pse një bari shpirtëror ka për detyrë t’i mbjellë e t’i kultivojë me kujdes atëror në mesin e besimtarëve dhe në ambientin ku vepron dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën ndërmjet pjesëtarëve të fesë së vet, por edhe në raport me ata me të cilët në këtë pikëpamje dallojnë, partiaku i ardhshëm serb, nën veladonin e shenjtërisë, të përkushtimit e të përvuajtjes, do të vishte rrobat e politikës hegjemoniste serbe, duke u marrë më parë me çështje politike dhe më rrallë me ato fetare. Çështjet politike në Kosovë do ta preokuponin Pavlin që në fillim të misionit të tij. Madje, nga gjuha me të cilën raporton, dëshmohet qartë se ai nuk kënaqet vetëm me konstatimin e thjeshtë të gjendjes, duke shfaqur një rreptësi qëndrimi, madje edhe një qortim për strukturat e kohës, të cilat, kinse, atëbotë i paskan sjellë në pozitë pavolitshme serbët në Kosovë: “Meqenëse nga Serbia e Vjetër u krijua Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë, serbët, përnjëherë, madje në vendin e tyre, u shndërruan në pakicë, pikërisht sikurse në kohën e Turqisë. Që në raportet e mia të para, të cilat ia kam dërguar Sinodit të Shenjtë, kam tërhequr vërejtjen se, megjithëse serbët janë pushtet, në të vërtetë, Kosovën e zotërojnë shqiptarët.”25 Qartazi në këto fjalë nuk e gjejmë peshkopin, preokupimi themelor i të cilit është përkujdesja fetare. Statusi i Kosovës, pavarësisht se është fjala për një nivel shumë të ulët të autonomisë (sikundër ishte ajo e viteve 50 e 60), është një çështje thjesht politike, e cila, sikurse shihet, e preokupon tërë vëmendjen e Peshkopit të atëhershëm të Prizrenit. Konstatimi vijues, që edhe e shpreh shqetësimin e tij të madh, është tepër kundërthënës. Në të vërtetë, ai përfundon se, megjithëse serbët janë në pushtet, Kosovën e zotërojnë shqiptarët. Pra, shqiptarët nuk ua cenojnë pushtetin serbëve, ata përbëjnë problem vetëm me faktin se ekzistojnë, se janë të pranishëm në numër aq të madh sa serbët ndihen pakicë. Ndaj nuk është e rastit që gjithë angazhimi i Serbisë është i përqendruar në pakësimin e numrit të shqiptarëve, duke përfshirë si veprime kryesore pamundësimin e jetës, vrasjet dhe veçmas dëbimin e tyre nga trojet stërgjyshore. Në këtë pikëpamje Serbia kishte modelin e “suksesshëm” të zbatuar ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, trojet e të cilëve i kishin pastruar, qoftë nga elementi etnik, qoftë nga dëshmitë kulturore.

Pavli, në kontekst të urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve, në mënyrë të veçantë, e ka zët gjuhën shqipe, të cilën ai me përçmim e quan si šiptarski jezik. Përdorimi i kufizuar i shqipes në administratë dhe në dokumentet zyrtare të kohës, përveçse e pengon atë, nga ajo që shkruan, kuptojmë se madje e fyente rëndë. Pra, përdorimi i shqipes, i gjuhës së popullit dominues në Kosovë, për Pavlin është jo më pak se cenim i të drejtave të serbëve. “Duke bërë fjalë për atë se si në Kosovë dhe Metohi shkelen të drejtat njerëzore, se si serbët, në shtetin e tyre, ishin shndërruar në pakicë kombëtare, Pavli këtë e argumenton me shembullin e tij: – Letërnjoftimi të cilin e kam edhe tani, sepse edhe më tutje jam pensionist i Kosovës, më është lëshuar më 1979 në Prizren. Në të gjithçka është e shënuar fillimisht në shqip (na šiptarskom, sikurse shprehet ai, vër. H. Matoshi), pastaj në serbisht. Madje edhe në kopertinat e dokumentit identifikues së pari është vënë emërtimi shqip për letërnjoftimin, me shkronja të mëdha, kurse nën të gjendet ai në serbisht. Kështu – në kohën e RSFJ-së, e cila konsiderohet si përparimtare – të dhënat kryesore personale peshkopit të njërës ndër dioqezat më të vjetra serbe i shkruhen së pari në gjuhë të huaj”. 26 Sipas kësaj logjike, të drejtat gjuhësore të dy milionë qytetarëve duhet të shkelen në mënyrë që të mos ndihet i fyer a i cenuar peshkopi serb. Po të zbatohej “logjika” e këtillë “pavliane” në Stamboll, ku ndodhte selia e Kishës Ortodokse, nuk do të duhej të përdorej si gjuhë zyrtare turqishtja, por ndonjëra nga gjuhët që do të preferonte kisha. Pse, në të vërtetë, e kërkon këtë Pavli, pse synon ta kufizojë përdorimin e shqipes në Kosovë? Natyrisht kjo është pjesë e programit për tkurrjen e dhunshme e të vazhdueshme të hapësirës etnike e kulturore shqiptare. Kjo gjë mund të arrihej nëpërmjet cenimit të të drejtave elementare kombëtare dhe të demonizimit etnik të shqiptarëve.

Është tepër e qartë se peshkopit serb, Pavlit, ia zinte frymën çdo gjë që ishte shqiptare, edhe pse një pjesë të madhe të jetës e kishte kaluar në një ambient krejtësisht shqiptar, edhe pse kisha e tij për shekuj kishte vepruar e pacenuar, e pse të mos thuhet edhe e mbrojtur, në këtë kontekst kulturor e etnik ku kanë dominuar gjithnjë shqiptarët. Madje, edhe vlerat kombëtare shqiptare të njohura gjithandej në botë, sikundër është Skënderbeu dhe lufta e tij kundër pushtuesve osmanë, ishin bërë halë në sy për peshkopin e Rashës e të Prizrenit. Në një raport për Sinodin ai do të shkruante i alarmuar: “Para do kohësh në Llabjanin e Kosovës, fshat serb, është festuar jubileu i Skënderbeut”27. Shenjat shqiptare në Kosovë nuk do të duhej të shfaqeshin në asnjë mënyrë, ato duheshin margjinalizuar, qoftë edhe kur janë të tilla që i pranon bora mbarë.

Vëmendjen e Pavlit, në mënyrë të veçantë, do ta preokupojnë zhvillimet kryesore politike të kohës për të cilat ia i jep vlerësimet e tij. Po kështu e gjejmë të bëjë vlerësime politike për demonstratat e vitit 1981, për karakterin, për organizatorët dhe për qëllimet e tyre. Në vend se ta dënonte dhunën e ushtruar shtetërore masivisht mbi të rinjtë, studentët shqiptarë, por edhe mbi popullatën shqiptare gjithandej në Jugosllavi, ai do t’i akuzonte edhe autoritetet federative, veprimi i të cilave, sipas tij, u kishte hapur rrugë zhvillimeve në Kosovë më 1981: “Kryengritja nuk u bë për shkak se shqiptarët ishin të trajtuar padrejtësisht (Përkundrazi, Pavli gjithnjë shprehej se shqiptarët kanë më shumë të drejta se sa i meritojnë, vër. H. Matoshi), por për shkakun se nuk u plotësuan të gjitha kërkesat e tyre (Pa dyshim, këtu e ka fjalën për avancimin e statusit të Kosovës në bazë të Kushtetutës së vitit 1974, vër. H. Matoshi). Ata nuk e kanë merituar autonominë28, ajo u është dhuruar, megjithëse Shqipëria e madhe (Velika Šipnija) e kishte humbur luftën. Atyre u shkoi për shtati edhe politika e Jugosllavisë federative dhe për këtë ishin të vetëdijshëm ata që i organizuan trazirat dhe pakënaqësitë e shqiptarëve të Kosmetit. Kryengritja u bë me qëllim që, nëpërmjet bukës së autonomisë, të kërkohej pogaçja e republikës”29. Duke i lexuar këto konstatime krejtësisht politike e të njëanshme të Pavlit dhe duke i krahasuar me qëndrimet e Lidhjes Komuniste mund të përfundojmë se ato janë plotësisht identike dhe koherente në pikëpamje të vlerësimit të së keqes që i vinte Serbisë dhe interesave të saj nga shqiptarët, paçka se peshkopi serb në raste të caktuara bën përpjekje të pasuksesshme që të vërë një vijë përkufizimi ndërmjet kishës serbe dhe Lidhjes së Komunistëve.

Jemi mësuar që, kudo në botën e civilizuar, të shohim udhëheqës fetarë të cilët e ngrenë zërin kundër dhunës, të cilët e kundërshtojnë shtypjen e njeriut nga njeriu, e kombit nga një komb më i fuqishëm, por është anakronike që, në fund të shek. XX, një udhëheqës shpirtëror ankohet zëshëm se si një komb nuk po dhunohet e nuk po shtypet në përmasën që, sipas tij, e meriton.

Përfundimisht hipokrizia e Pavlit mund të qartësohet edhe nëpërmjet një shembulli të thjeshtë, të nxjerrë nga krahasimi i pikëpamjeve të tij. Pjesën më të madhe të raporteve Pavli ia kushton të ashtuquajturit rrezikim të trashëgimisë ortodokse serbe, përkatësisht të pronës së kishave e të manastireve serbe. Ankesat janë të llojllojshme. Ai vajton për faktin se si barinjtë shqiptarë i kullosin kafshët në pronat e manastireve, se si shqiptarët presin dru në malin e kishës, se si fëmijët shqiptarë i fyejnë e i tallin priftërinjtë e murgeshat serbe e për ankesa të tjera për të cilat gjithnjë i fajëson shqiptarët, por, njëkohësisht ankohet për faktin se një serb 17-vjeçar ishte dënuar me një vit burg “vetëm” për shkak se ishte kapur duke e rrënuar xhaminë në fshatin Banjskë30. Pra, afërsisht për të njëjtat veprime ndaj objekteve të kultit, Pavli ka qëndrim të ndryshëm: ankohet pse nuk dënohen shqiptarët dhe ankohet pse dënohen serbët. Parimi moral i tij është se bën faj vetëm ai që e cenon kishën ortodokse, ndërsa është e kundërta e kësaj nëse dikush e cenon xhaminë. Kjo është aq lehtë e hetueshme edhe në raportet e tjera të peshkopit serb. Urrejtja për përkatësinë etnike, fetare e përgjithësisht kulturore të tjetrit, si përcaktuese e çdo përfundimi që nxjerr, e diskrediton rëndë këtë “bari”. Ankohet për mosdhënien e lejeve për ndërtimin e ndonjë kishe ortodokse në lokalitete të caktuara, por nuk pushon së vajtuari, madje edhe më zëshëm, për faktin se po ngrihej ndonjë xhami apo kishë katolike diku në Kosovë. Ankohet se si serbët po e braktisin Kosovën, ndërkohë që shqiptarët po shtohen në dëm të serbëve, se si organet e pushtetit në Kosovë shpërfillin madje edhe vendimet e Federatës, se si po ngrihen shkolla në gjuhën shqipe etj.

A ishte e mundur që një njeri të jetojë për 30 vjet me shqiptarët, të shihej e të takohej me ta përditë në rrugë, ta vëzhgonte nga afër jetën e tyre, me tërë metat dhe të mirat që kanë, dhe të mos mund ta veçonte as edhe një vlerë të tyre njerëzore, të mos e thoshte as edhe një gjë për ta në kontekst pozitiv? Kjo për mua është e pabesueshme. E besueshme është se Pavli qëllimisht e ka paraqitur për vite një pamje të këtillë të shqiptarëve, me qëllim që ta krijojë një qëndrim të përgjithshëm antishqiptar të shoqërisë serbe, duke e mobilizuar atë drejt një përplasjeje përfundimtare etnike. Ka dy dëshmi të fuqishme se ai, në pjesën më të madhe, ia doli ta manipulonte opinionin serb në këtë drejtim. Së pari, si shpërblim për punën e suksesshme në Kosovë, më 1986 e zuri vendin e patriarkut serb, ndërsa fakti se të gjithë mekanizmat politikë e ushtarakë më 1998-199931 u vunë në shërbim të çrrënjosjes së “të keqes”, të cilën e kishte identifikuar Pavli vite më parë, është dëshmia më bindëse për krijimin e suksesshëm e sistematik të frymës antishqiptare në mesin e shoqërisë serbe. Ndërkaq, qëllimi përfundimtar i tërë kësaj fushate të egër e të pamëshirshme u bë i qartë, nëpërmjet realizimit praktik, në pranverën e vitit 1999: Kosova pa shqiptarë dhe pa shenja të kulturës së tyre. Gjithsesi, nuk duhet shpërfillur faktin se dëbimi masiv i shqiptarëve dhe rrënimi i pjesës dërrmuese të objekteve të tyre kulturore e fetare, i bërë më 1999, si projeksion kishte filluar shumë më herët, madje në kokat e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.

Përfundimi

Se cilat ishin përmasat e vërteta të zgjerimit të Serbisë në dëm të hapësirës etnike e kulturore shqiptare mbase më së miri mund të na dëshmojnë vetë pohimet e elitës udhëheqëse serbe. Kështu, princi Milan Obrenoviq, i entuziazmuar nga arritjet marramendëse pushtuese pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, nuk ngurronte të pohonte me krenari: “Arritëm që me shpatë dhe zjarr ta shndërrojmë rajonin e Toplicës prej një toke thjesht të banuar me popullsi shqiptare në një tokë të pastër serbe”32. Pra, shpata zuri çdo frymë të gjallë shqiptare, ndërsa zjarri dogji çdo shenjë kulturore të popullsisë deri atëherë autoktone në këtë treva tona me vijimësi të padiskutueshme etnike. Përveç mbështetjes që e kishin nga disa fuqi ushtarako-politike të kohës, hordhitë serbe, në ndërmarrjet e këtilla barbare, u frymëzuan gjithanshëm nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, nëpërmjet organeve të saj të informacionit, por edhe të shtypit tjetër që ishte vënë në mbështetje të projekteve serbomëdha, thërriste për vazhdimin e luftërave çlirimtare, gjithnjë përderisa shqiponja e bardhë nuk do të valonte në tri dete, përderisa tokë serbe nuk do të konsiderohej gjithë hapësira ndërmjet Budapestit dhe Selanikut dhe nga Deti i Zi e deri te deti Adriatik33. Për ta rritur sa më shumë frymën mobilizuese luftarake e hakmarrëse, qoftë nëpërmjet medieve të saj, qoftë nëpërmjet përfaqësuesve më të lartë të saj që mbanin fjalime e mesha nxitëse e pushtuese gjithandej, e madje edhe në vetë frontet e luftimeve, Kisha Ortodokse Serbe e paraqiste popullatën vendëse shqiptare si të egër, të pacivilizuar, të padenjë, pushtuese, vrastare. Në një klimë të tillë vërtet nuk kishte vend për mëshirë, vdekja mbizotëronte kudo që kalonte kjo ushtri “çlirimtare” e frymëzuar nga kisha serbe, ndërsa lidhur me këtë gjithanshëm dëshmojnë edhe një numër i konsiderueshëm burimesh të shkruara serbe.34 Madje, edhe sot mund të themi se përfaqësuesit e Kishës Serbe35 – megjithëse në toka qind për qind shqiptare e kanë vazhduar punën e tyre të pacenuar për shekuj me radhë – nuk kanë ndryshuar asgjë në diskursin e tyre. Dashuria hyjnore, të cilën realisht do të duhej ta propagandonte kjo kishë, është dorëzuar para urrejtjes më të ulët njerëzore, para ambicieve politike për ta sunduar e për ta përvetësuar një pjesë tërë të botës, qoftë edhe me çmimin e gjenocidit. Kështu, në vend se të provojë të bëhet krijuese e paqes ndërmjet njerëzve e popujve të origjinave e të bindjeve të ndryshme, të cilët fati i ka gjykuar të jetojnë pranë njëri-tjetrit, Kisha Ortodokse Serbe edhe sot mbetet palë konfliktuale dhe dirigjuese e mjaft luftërave në Ballkan, duke mbjellë urrejtje për gjithçka që nuk është serbe. Fakti se, edhe pas përfundimit të konflikteve të armatosura në Ballkan dhe imponimit të paqes nga forcat e NATO-s, Kisha Ortodokse Serbe shquhet për frymën mospajtuese që shfaq ndaj realitetit historik, qoftë duke e kundërshtuar vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, qoftë duke e kundërshtuar të drejtën e maqedonasve dhe të malazezve për ta pasur kishën e tyre kombëtare ortodokse, është dëshmi e mjaftueshme se edhe për një kohë nuk mund të pritet reformimi aq i domosdoshëm i shoqërisë serbe. Pa dyshim se, duke i mbjellë në vijimësi fatkeqësinë, urrejtjen, luftën e tmerrin, kjo kishë nuk mund të presë që ta bëjë fatlum as popullin në emrin dhe në interesat e të cilit thirret.

Prishtinë, tetor 2009

 Referencat:

1 Cituar sipas librit Muslimani Balkana: “Istočno pitanje” u XX. vijeku, priredio Fikret Karčić, Tuzëll, 2001, f. 21.

2 Duke u bazuar mbi një mori burimesh që vijnë nga anë e nga autorë të ndryshëm, prof. dr. Muhamet Mala, në doktoraturën e tij Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII vë në pah falsitetin e së ashtuquajturës shpërngulje masive serbe nga Kosova. Sipas argumentimeve të shumanshme të Malës, Arsenije Çarnojeviqi nuk ishte vënë në ballë të ndonjë turme të madhe serbësh, por ai u tërhoq me suitën e tij prej disa priftërinjsh dhe në krye të një karvani prej dhjetë kuajsh, të ngarkuar me pasuri të ndryshme. Madje, edhe plaçkitja e tij në rrugë e sipër nga rasianët (serbët) është një dëshmi se ai i printe një grupi të vogël priftërinjsh.

3 Vesnik Srpske Crkve, korrik-gusht 1913, fq. 481.

4 Në ndërveprimin antishqiptar të Kishës Ortodokse Serbe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, autori i librit Djajtë nuk flenë, Kolë Berisha, me të drejtë, përfshin edhe “kontributin” Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, e cila, sidomos në vitet e suprimimit të autonomisë së Kosovës, u tregua shumë aktive.

5 Dr. Sabit Uka, Xhamitë, mesxhidet dhe teqetë në Sanxhakun e Nishit deri më 1878, në Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium ndërkombëtar), Prishtinë, 1995, f. 147-151.

6 Dr. Rexhep Boja, Gjenocidi, kulturocidi dhe urbicidi serb në Kosovë, në Monografinë tregjuhëshe Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt ’98 – qershor 99); Serbian barbarities against islamic monuments in Kosova (February ’98 – June ’99);, ShB “Dituria Islame”, Prishtinë, 2000, f. 5.

7 Hrišćanin, janar 1913, fq. 12.

8 Vesnik Srpske Crkve, mars-prill 1913, fq. 255.

9 Glasnik Pravoslavne Crkve u Kraljevini Srbiji, 1 dhjetor 1912, f. 368.

10 Vesnik Srpske Crkve, tetor-nëntor-dhjetor 1912, fq. 982.

11 Večernje novosti, 22 tetor 1912.

12 Vesnik Srpske Crkve, tetor-nëntor-dhjetor 1912, fq. 1014.

13 Vesnik Srpske Crkve, janar-shkurt 1913, fq.75.

14 Hrišćanin, qershor 1913, fq. 12.

15 Večernje novosti, 8 tetor 1912.

16 Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (Dokumente), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1996,  f. 285.

17 Po aty, f. 205.

18 Po aty, f. 123.

19 Lidhur me konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në ortodoksë shih punimin e dr. Adem   Zejnullahut konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve në fenë ortodokse sipas këngëve  popullore.

20 Vesnik Srpske Crkve, mars-prill 1913, fq. 270.

21 Lidhur me trajtimin dhe vrasjen e Atë Luigj Palajt nga autoritetet pushtuese malazeze, shih librin Në udhëkryqet e historisë shqiptare të dr. Lush Culajt, botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2009. Autori vë në dukje se si Luigj Palajn pushtuesit malazez, në rrugëtimin nga Gjakova për në Pejë, gjatë të cilit edhe e vrasin, fratin katolik e kishin lidhur me të njëjtat pranga me një të burgosur tjetër, i cili ishte shqiptar mysliman.

22 Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike 2, Tiranë, 2001, f. 263.

23 Sabri Bajgora, Aktet dhe veprimet shkatërrimtare të pushtetit serb mbi monumentet fetare islame në Kosovë gjatë viteve ’90, në Gjenocidi i pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ’90 (materialet e sesionit shkencor, mbajtur më 29 qershor 2000), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2001, f. 139-170.

24 Kosmet očima patrijarha, fejton në gazetën Večernje novosti, Beograd.

25 Po aty.

26 Po aty.

27 Po aty. Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se Llabjani nuk është një fshat serb në pikëpamje etnike. Në fakt fjala është për një fshat etnikisht të përzier, ku edhe sot jetojnë shqiptarë dhe serbë.

28 Koncepti racist i Pavlit dhe i pjesës dërrmuese të inteligjencies serbe kundruall muslimanëve të Ballkanit, veçmas koncepti i orientalistëve serbë, sipas të cilit të drejtat kombëtare i meritojnë vetëm disa popuj të caktuar, është trajtuar gjithanshëm në librin e Norman Cigarit, botim dygjuhësh i ShB “Logos A”, Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj muslimanëve në Ballkan / The role of Serbian orientalist in justification of genocide against of the Balkans, 2003, f. 106.

29 Kosmet očima patrijarha, fejton në gazetën Večernje novosti, Beograd.

30 Po aty.

31 Me gjithë veprimin e gjithanshëm të strukturave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe, edhe në luftën e fundit të Kosovës spikat roli i Kishës Ortodokse Serbe, e cila nuk kurseu mundin dhe objektet e saj, duke i vënë në shërbim të soldateskës serbe. Për më tepër shih: Mr. Qemajl Morina, Roli i kishës serbe për ngjarjet në Kosovë, “Dituria Islame”, nr. 111 – 112, viti 1999, f. 4-7.

32 Cituar sipas veprës Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913 të prof. dr. Xheladin Shalës, botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2006, f. 9.

33 Glasnik Pravoslavne Crkve u Kraljevini Srbiji, korrik 1912.

34 Lidhur me masakrat më të tmerrshme serbe mbi popullsinë shqiptare dëshmi rrëqethëse ofron gazeta me orientim social-demokrat “Radničke novine” dhe njëri ndër përfaqësuesit e socialdemokracisë serbe, Dimitrije Tucoviq.

35 Për ta ilustruar qëndrimin e sotëm të Kishës Ortodokse Serbe do të sjellim vetëm disa nga pikëpamjet të patriarkut Pavle, i cili vdiq para pak kohësh. Në të vërtetë, ai para se të zgjidhej në krye të kishës serbe (1986), kishte shërbyer si peshkop i Prizrenit dhe Rashës për një kohë të gjatë. Në fejtonin që e botoi gazeta “Večernje novosti” e Beogradit, me titull “Kosmet očima patrijarha” (Kosova në sytë e patriarkut), Pavli do ta shprehte mosdurimin e urrejtjen e hapur ndaj çdo gjëje shqiptare. Në këto shënime nuk mund të gjendet as edhe një cilësi dalluese për të mirë e popullit në mesin e të cilit jetoi për një kohë shumë të gjatë. Përkundrazi, këto raporte të tij janë të mbushura me ankesa nga më absurdet për popullatës shqiptare. Asnjë thirrje për vëllazërim ndërmjet popujve të ndryshëm, për tolerancë, për mirëkuptim ndaj veçorisë së tjetrit (Prof. dr. Hysen Matoshi, është  këshilltar shkencor – profesor ordinar). (Nga RKL)