
Hapet edhe një shkollë shqipe.
Shkollat shqipe po hapen njëra pas tjetrës. Pas hapjes së Shkollës shqipe në Cham, të të njëjtin Kanton, tani radha ishte në Baar. Prindërit shqiptarë e duan dhe e ruajnë gjuhën amtare. Ata i udhëzojnë fëmijët e tyre që ta mësojnë sa më mirë gjuhën e të parëve, apo siç i themi ndryshe, gjuhën e nënës. A ka gëzim më të madh se të shohësh buzëqeshjen e këtyre fëmijëve, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut, dëshirojnë të mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Shkolla Shqipe në Zvicër vazhdon me hapjen e pikave të reja shkollore. Ky është lajm, që sjell vazhdimësinë e lajmeve për të ardhmen e shkollës shqipe. Një përpjekje e vazhdueshme e mësuesve të Shkollës Shqipe në Zvicër dhe prindërve të cilët u bënë një mbështetje e fortë e këtyre përpjekjeve këmbëngulëse, për ta bërë shkollën shqipe sa më të afërt për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër solli rezultate të dukshme, rezultate me të cilat duhet të krenohemi të gjithë.
Edhe ky vit shkollor 2021/22, po vazhdon të sjell buzëqeshje të ngrohta në orët mësimore të shkollës shqipe. Këtë të premte me 23 tetor 2021, u hap pika shkollore në, Baar, të Kantonit Zug, në Zvicër, në të cilën punon mësuesja Minire Azemi.

Që nga dita e parë, ata kishin edhe librat të cilat iu kishin ardhur nga Qendra e Botimeve për Diasporën, nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë.
Po ashtu vlen të përmendet se në javën e ardhshme kësaj pike shkollore do t`i bashkëngjiten edhe disa nxënës të tjerë, të cilët do t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.
Shkolla shqipe në Zvicër ashtu siç kishin paralajmëruar mësuesit dhe veprimtarët e saj po vazhdon me një përkushtim të veçantë me hapjen e shkollave shqipe, me moton “aty ku janë fëmijët shqiptarë, jemi edhe ne”.
Shkolla shqipe në Zvicër Sektori për informim