Hapet shkolla shqipe në Zyrih të Zvicrës

Enida Vërça

Në 23 gusht është hapur shkolla shqipe në Zyrih të Zvicrës. Mësuesi Vaxhid Sejdiu ndan për “Shekulli”-n emocionet e kësaj nisme. Kontributi i tij 20-vjeçar për të ruajtur dhe shpërndarë gjuhën shqipe në botë

Shkruan: Enida Vërça

“Po punojmë të hapim pika të tjera shkollore. Hapja e shkollës shqipe në Volketswil, të Cyrihut, në Zvicër është një ëndërr e bërë realitet tashmë”, kështu e nis rrëfimin për “Shekulli”-n Vaxhid Sejdiu, mësuesi i cili prej 20 vitesh jep kontributin e tij për përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në botë. Ai tregon se më 23gusht të muajit që lamë pas, është hapur shkolla e parë shqipe dhe interesi i fëmijëve shqiptarë te ndodhur si emigrantë aty është tejet i lartë. Në këtë intervistë mësuesi thotë se ka pasur një angazhim si nga ana e stafit akademik edhe këshillave prindërorë për të ndërmarrë një hap, i cili shënon një etapë të re për shqiptarët që jetojnë në Zvicër. “Angazhimi ynë është në vazhdimësi, por veçanërisht në 5-6 muajt e fundit janë intensifikuar përpjekjet në hapjen e pikave të reja shkollore, jemi munduar që t`i njoftojmë prindërit shqiptarë nëpërmjet mbledhjeve nëpër shkolla apo në takimet nëpër klube dhe shoqata shqiptare për rëndësinë e gjuhës shqipe. Një ndihmesë të veçantë në këtë drejtim e kanë dhënë dhe e japin Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë”, thotë ai. Po ashtu, një kontribut sipas tij kanë dhënë edhe drejtoritë e shkollave Zvicerane. “Vlen të përmenden edhe kolegët tanë zviceranë të cilët në bisedat me prindërit shqiptarë ju flasin edhe për rëndësinë e gjuhës amtare. Një fakt tjetër që duhet të përshkruhet me fjalët më mirënjohëse ndaj shkollave zvicerane, të cilat na ofrojnë kushte më të mira për mësimin e gjuhës amtare. Ato klasë, të cilat i shfrytëzojnë për mësim kolegët zviceranë, pas orës 15:30 janë në shërbim të mësimit në gjuhën shqipe apo të gjuhëve të tjera” deklaron ai.

Interesi

Në këtë intervistë, Sejdiu thotë se janë afro 1500 nxënës të të gjithë Zvicrën, të cilët ndjekin mësimet në shkollat shqipe. Po ashtu thotë se deri më tani mësimi i gjuhës shqipe është organizuar vetëm nga Lidhja e Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë ne Zvicër. Ai kërkon që të ketë një angazhim më të madh nga ana e institucioneve shtetërore shqiptare dhe ato kosovare. “Interesi i prindërve shqiptarë është më i madh por nevojite një angazhim më i madh i institucioneve tona arsimore (fjalën e kam të Shqipërisë dhe Kosovës) në sensibilizimin prindërve shqiptarë kur bëhet fjalë për gjuhën amtare”, nënvizon ai. Më tej shton “Në dekadën e fundit kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve, vetëm në 2-3 njësi administrimi të Zvicrës (në Kantonin e Cyrihut, në Kantonin e St. Gallenit, në Kantonin e Argaut) arriti të mbahet një numër i konsiderueshëm i fëmijëve shqiptarë të cilët me rregull i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe. Në 7-8 njësi administrimi (Kantone) kemi aty këtu ndonjë klasë, kurse në 14 njësi administrimi nuk kemi asnjë klasë në gjuhën shqipe. Dhe kjo është një brengë jashtëzakonisht e madhe, sepse i madh është numri i fëmijëve shqiptarë të cilët me gjuhën shqipe qëndrojnë shumë dobët në të folurit dhe të mos flasim për të shkruarit. Kohëve të fundit, kemi edhe një përpjekje të hapjes së pikave shkollore nga veprimtarët e arsimit, nga shoqatat shqiptare, të cilat gjithashtu ndihmojnë”.

Tekstet

Sa i përket teksteve, si sigurohen ato dhe kurrikulat që ndiqen, mësuesi thotë se punohet me tekste shkollore të botuara në Prishtinë dhe Tiranë. Viteve të fundit kemi tekste apo thënë shkurt fletore pune të cilat janë përgatitur nga një projekt i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Zyrihut. Tekstet na vijnë nga Ministria e Diasporës së Kosovës dhe pastaj i marrim nga Ambasadat e R. së Kosovës, kurse tekstet tjera të botuara në Tiranë, i marrim nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë”, sqaron Sejdiu. Ndërkohë, regjistrimet e fëmijëve fillojnë nga klasa e parë deri në të IX. “Për të funksionuar sa më mirë një pikë shkollore nevojite edhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve, aty diku 25-35 me qëllim që pastaj ndarja në grupe të jetë më e lehtë dhe cilësia e mësimit të jetë më në nivel”, deklaron ai. ” Fëmijët tani i presin shkronjat e shqipes, mësimet në lëmin e letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare. Sa shumë keni për të mësuar sepse gjuha shqipe krahasohet me valët e detit. Ashtu si valët e detit që nuk përfundojnë edhe mësimet në gjuhën shqipe nuk përfundojnë kurrë. Prandaj, ata të gjithë duhet të përgatiteni që të “notojnë” sa më mirë në valët e saj, sepse nuk ka më keq se kur një fëmijë nuk e njeh gjuhën e nënës – gjuhën amtare”, nënvizon ai.

Kontributet

Mbi kontributin e shtetit shqiptarë për hapjen e kësaj shkolle, ai thotë se ambasada shqiptare dhe ajo e Republikës së Kosovës, janë angazhuar thuajse në të gjitha takimet e organizuara nga shkollat shqipe nëpër njësit administrative. “Kemi pasur përkrahje të vazhdueshme si në hapjen e shkollës më 23 gusht edhe në hapjen e pikës shkollore me 31 në Opfikon të Kantonit të Zyrihut, ku prezenca e ambasadorit shqiptar z. Ilir Gjoni, u përcoll me mjaft interes nga prindërit shqiptarë”, përfundoi ai.

“Mes sfidave dhe sakrificave për të shpërndarë gjuhën shqipe”

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, mësuesi i gjuhës shqipe në Zvicër, Vaxhid Sejdiu tregon se ka punuar sistematikisht për të mësuar sa më shumë fëmijë. Ai thotë se fillimet nuk kanë qenë të lehta, por duket se fundet janë përmbyllur gjithmonë me lumturi. “Jam tepër mirënjohës ndaj prindërve shqiptarë të cilët në punën time në hapjen e klasave dhe në organizimin e tyre më kanë përkrahur vazhdimisht. Jam tepër i lumtur sepse puna me nxënës me jep forcë, me jep çaste të lumtura. Fakt është se për një mësues nuk ka mirënjohje më të lartë, se sa i kur i sheh se si nxënësit e tij mundohen nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, ta mësojnë sa më mirë gjuhën e nënës. Dhe një gjë të tillë unë e përjetoj ndër vite. Ashtu sikurse viteve të kaluara ashtu edhe sivjet kam një numër të madh të nxënësve të cilët me përkushtim mundohen ta mësojnë gjuhën e nënës. Punoj nga e hëna deri të shtunën, janë gjithsej 175 nxënës të ndarë në dymbëdhjetë klasa, në shkollat shqipe në Flums, Mels, Neuenhof, Spreitenbach, Affoltern am Albis, Uster dhe Volketswil. Për lexuesit e gazetës suaj vlen të shënohet se nxënësit në shkollë shqipe kanë nga dy orë mësimore në javë dhe natyrisht aktivitet e lira të cilat i organizojmë jashtë orarit shkollor”, deklaron ai. Një shqetësim i madh për të janë fëmijët e emigrantëve të cilët për arsye të ndryshme nuk ndjekin kurse e gjuhës shqipe. “Ajo që më brengos shumë dhe më shqetëson për të ardhmen e gjeneratës së dytë, të fëmijëve mërgimtarë, janë fëmijët, të cilët pa fajin e tyre nuk i ndjekin asnjëherë mësimet në shkollën shqipe, dhe ata mbesin analfabet në gjuhën e nënës. A ka defekt më të madh se fëmijët, për të cilët prindërit mundohen t`iu sigurojnë banesa apo shtëpi në mërgim apo në vendlindje, mundohen t`ua bëjnë dasmat më të bukura, t`iu blejnë gjërat më të shtrenjta, telefona mobil, biçikleta, makina dhe në fund i lënë pa gjuhën e nënës. Shembull që të prek deri në shpirt dhe të lë pa tekst. Pastaj ka raste kur fëmijët që nuk mësojnë shqip, kur shkojnë në vendlindje gjatë pushimeve nuk mund të merren vesh me anëtarët e familjes dhe as me bashkëmoshatarët. Shihni ata që nuk e njohin gjuhën kur fillojnë të flasin, së pari i përziejnë fjalët nja 2-3 fjalë shqipe dhe nja 2-3 fjalë gjermanisht apo frëngjisht apo italisht, varësisht nga vendi ku jetojnë, pastaj skuqen, ngushtohen si të ishin të pa gojë. Është shumë e rëndë dhe tepër emocionale”, përfundoi Sejdiu (Marr nga Portali Shekulli).