Instrumentistët shqiptarë, më kanë mahnitur!

Anila Kadija

Shkruan: Anila Kadija – Giovanni Allevi, kompozitori dhe pianisti i talentuar i muzikës klasike bashkëkohore, ka lindur në Itali më 9 prill 1969. Ka mbaruar konservatorin për Kompozim dhe Piano, me rezultate të shkëlqyera, si dhe ka mbaruar universitetin në degën e Filozofisë, me rezultate të shkëlqyera, duke e mbrojtur diplomën me tezën “Boshllëku në fizikën bashkëkohore”.

Me muzikën për piano, të kompozuar nga ai, janë incizuar katër përmbledhje: “13 gishtërinjtë” (1997), “Kompozimi” (2003), “Asnjë koncept” (2005) dhe “Joy” (2006), që kanë korrur sukses të jashtëzakonshëm, me më shumë se 250.000 kopje të shitura. Koncertet e tij përreth botës, e kanë shtuar numrin e fansave të tij dhe e kanë bërë atë të emërtohet nga kritika artistike si zëdhënësi i së resë krijuese muzikore, italiane! Nuk isha takuar asnjëherë me të, kur dikush më dhuroi një ftesë për në koncertin që do të zhvillohej në qytetin e Barit, në Puglia, ku kisha shkuar me pushime. Jam adhuruese e muzikës së tij dhe, kurrë nuk e mendoja se do të më jepej mundësia ta intervistoja. Do të më kishte mjaftuar një autograf, në librin dedikuar jetës së tij artistike dhe, për këtë, i kërkova ndihmë menaxheres së tij, Nada Bernardos.- A mund t’ju kërkoj një nder? Jam fanse e Alevit dhe gazetare shqiptare në Itali… Një dedikim i tij në librin që kam me vete, do të më mjaftonte. Nuk pretendoj për intervistë, pasi duhet të kisha lënë takim më parë me ju…- Ju jeni gazetare shqiptare?! Giovanni ka dhënë një koncert shumë të bukur në Tiranë… Do të jetë entuziast t’ju takojë. Pas pesë minutash do të vij t’ju marr për bisedën me të. Është një kënaqësi të flasim me gazetarët e huaj. Si mund t’i lërë ai pas dore dëgjuesit dhe fansat kudo në botë?!Kur u gjenda përballë Giovanit, nuk po u besoja syve. Sa herë më kishte çlodhur me virtualitetin e tij artistik!- Eshtë nder për mua që një gazetë shqiptare do të më pyesë, sot, në prag të këtij koncerti që bëhet në qytetin e Barit, në kufirin e emigracionit të viteve ‘92. Kalojnë kohët dhe gjërat ndryshojnë… – e nisi bisedën ai…

Anila KADIJA: –Ndjehem me fat që një kompozitor dhe artist i madh si ju, po më dedikon kohën e tij. Kur ju ka hyrë në zemër muzika?

Giovanni Allevi: – Prindërit e mi janë artistë dhe në shtëpinë time ka mbizotëruar gjithmonë pianoja, si një instrument i shenjtë. Një herë, kur isha i vogël, fillova të godisja tastierën me grushta, siç mund të bëjë çdo fëmijë kur kërkon të luajë… Nuk e harroj efektin e fjalës së tim eti, i cili, me një ton autoritar, më tha: “Pianoja është diçka serioze”. Këto fjalë, më përcollën një sinjal…

Kështu nisi një rrugë, një pasion?

Fillova të mësoja vetë, pasi askush nuk më mësonte… Vjedhurazi, kur nuk kisha njeri në shtëpi, fillova të luaja gishtat në tastierë dhe kështu, zbulova akordet. Nuk më interesonte muzika, më dukej shumë e vështirë për mua. Duke shtypur një tast po dhe një tast jo, kuptoja pak nga pak sekretin e muzikës, sekretin e kombinimit të notave.

Ju kujtohet hera e parë kur keni luajtur në piano për të tjerët?

(Qesh) Posi jo?! Nuk do ta harroj kurrë! Në një koncert, në shkollën fillore, kisha një pjesë komike… Vështrimi im shkonte vazhdimisht në një qoshe të skenës e ndeshej pa pushim me një piano të vjetër. Dukej sikur po më bënte ftesë… kisha kohë që në shtëpi “luaja” me të dhe nuk e dinte asnjeri. Ajo më kishte trasformuar në një fëmijë shumë të mbyllur në vetvete. Nganjëherë, kur ishim duke ngrënë dhe në kuzhinë dëgjoja tingull gotash, ndërsa babai im thoshte: “Kjo është Si bemol!”, unë, në kokën time, mendoja: “Unë them se është La bemol!”. Kështu më ndodhi edhe në atë koncert. Pianoja e vjetër më thërriste me nota. Shkova drejt saj pa e kthyer kokën. U ula me pasigurinë e një fëmije, por në kokën time, notat ishin një himn… Zgjodha Shopenin, “Preludin” në La magiore. Që nga ajo kohë, muzika u fut në jetën time si një mike me të cilën bashkudhëtoj… ajo është shtriga kapriçioze!

Shtriga kapriçioze?

Po, kështu e quaj muzikën time sepse është e papritur, troket kudo në shpirtin tim, edhe kur ndodhem në një supermarket ku po bëj pazarin. Ajo nuk pranon rival; kur e ndjen që unë po i dedikohem diçkaje tjetër, vjen dhe më tërheq me notat e saj, kërkon vëmendje nga unë. Kjo ka ndodhur edhe kur fillova të merresha me librin tim që ka dalë kohët e fundit: “La musica in testa” (“Muzika në kokë”). Ishte gjithmonë e pranishme, kudo. Mua më duhet të kem gjithmonë një fletë pentagrami në xhep, për ta shkruar sa herë që ajo troket. Muzika ime nuk respekton minutat, ajo ka kohën e saj të papërcaktuar, nuk do t’i bëhet sfond asgjëje, nuk do padronë; është ajo dhe askush tjetër!

Të ka zhgënjyer ndonjëherë?

Jo, asnjëherë… as kur kam provuar sfidën e skenës për herë të parë, në Napoli, më 9 Prill 1991. Atë ditë mbushja 22 vjeç dhe ai ishte koncerti im i parë. Në sallën Scalati të Napolit, afishet publikonin: “Mbrëmje xhaz me Giovanni Allevi”. Në sallë kishte vetëm pesë persona dhe unë i rashë pianos vetëm për ata, atë mbrëmje. Mund ta merrni me mend turpin që kam provuar, por e kisha shumë për zemër atë koncert, kështu që fillova me Bahun, “Sarabanda”, “Kapriço”… Atë të pestë ishin pak, por duartrokitjet, shumë, të shoqëruara me një buzëqeshje që nuk donte t’u ikte nga fytyra. Mbas pesëmbëdhjetë vjetësh, mbas suksesit në Kinë dhe në Amerikë, u riktheva në Napoli në të njëjtën skenë, por me një ndryshim; kësaj radhe njerëzit shtyheshin me shpresën se do të gjenin një vend në radhën e parë… Atje i kam gjetur përsëri ata të pestë, publikun tim të mrekullueshëm të atij koncerti të parë!

Ju keni bërë të pamundurën për të takuar Mjeshtrin Muti, më 8 dhjetor 2000…

Do ta quaja si një mision të pamundur të Xhejms Bondit! Në jetën time nuk kisha qenë kurrë kamarier, por nuk kisha shans tjetër për të bërë që mjeshtër Muti, dirigjenti i madh i “Skalës” së Milanos, të njihte pak muzikën time. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Dukej tamam sikur të isha në skenën e një filmi, me ndihmën e mikeshës sime, znj. L., e cila më futi si kamarier në restorantin ku ai do të vinte për darkë. Kam kaluar gjithë kohën me tensionin e një adoleshenti që nuk di as të ecë, le pastaj të shërbejë, megjithatë, kur beson në misionin tënd, ia arrin gjithmonë qëllimit. Në fund të darkës, kur ai po ikte, munda ta ndaloja e të prezantohesha. I thashë se isha një pianist e kompozitor i ri dhe se kisha pranuar të shërbeja në atë restorant si kamarier, vetëm për ta takuar e për t’i dhënë CD-në e muzikës time. Ai u mahnit dhe e vlerësoi pa masë gjestin tim. Sopranoja që ishte në krah të tij dhe që e njihte muzikën time, më përshëndeti dhe më tha një frazë që nuk do ta harroj kurrë: “You vvill be famous!” (angl. Ju do të bëheni i famshëm!).

Ju keni shumë eksperienca në fushën e muzikës. Cila prej tyre ka qenë më e vështira?

Puna me të rinjtë, në shkolla. Më kishin caktuar njëherë mësues në dispozicion, në një shkollë tetëvjeçare. Nuk kisha autoritet dhe të rinjtë bënin një rrëmujë të madhe në orën time. Isha i dëshpëruar, nuk mund t’i ndihmoja ata të më kuptonin, kështu që vendosa që në orën e muzikës, kushdo prej tyre të sillte një Cd me muzikën që i pëlqente. Unë ëndërroj për një shoqëri ku të gjithë të rinjve u jepet mundësia për t’iu afruar një instrumenti muzikor. Jeta e tyre afër muzikës do të ndryshojë shumë e ndoshta do të kenë më shumë respekt për kulturën, për ekzistencën tonë, pa mendimin e kotë për të jetuar ëndrrat e të tjerëve.

Amerika qe për ju kurorëzimi i një karriere brilante. E patët të lehtë të arrinit deri atje?

E pata shumë të vështirë, por mua më kishte frymëzuar jeta e Maria Callas. Ajo, për t’u bërë e njohur në botë, kishte ëndërr një koncert në Nju Jork, koncert të cilin e realizoi dhe ai i hapi dyert e karrierës. Edhe unë mendova të bëja të njëjtën gjë. Kontratën e parë e shkrova te “Village” e “Blue Note”, një atmosferë e stilit të viteve shtatëdhjetë, ku ka interpretuar Miles Davis, Ela Fitcxherald, Duka Elington. Në atë skenë ka kaluar e gjithë historia e xhazit. Nuk ka qenë e lehtë… më kujtohet që flisja edhe me pianon. “Mos u shqetëso, më thoshte, se ankthi që po ndjen tani, në pritjet e gjata, nuk është asgjë para gëzimit të koncertit që do të bëjmë të dy”. Kur shikon botën nëpërmjet syve të muzikës e të ëndrrës, mund të flasësh me sendet pa asnjë problem. Atë 6 mars 2005, kam falënderuar qiellin për sfidën… Jeta ime nisi të merrte formën e plotë; muzika kishte buzëqeshur.

Nuk ke frikë kur je në skenë?

Unë kam dhënë koncerte kudo në Itali, Kinë, Japoni, Amerikë, Europë, Rusi, Kanada… Kam interpretuar përballë një publiku të pafund në shfaqje të drejtpërdrejta televizive e radiofonike dhe të gjithë të rinjtë më kanë bërë të njëjtën pyetje: “Po ti, nuk ke frikë kur ekzekuton në piano?”. Shumë njerëz i kanë lënë studimet për shkak të kësaj frike. Atëhere unë nuk e kuptoja përse duhet të ndjesh frikë, por tani e di! Nuk ka lidhje fare kapaciteti, impenjimi që i kemi dedikuar instrumentit; kjo frikë vjen nga gjykimi i të tjerëve. Kur studiohet një instrument, kalon vite e vite duke iu nënshtruar çdo ditë një gjykimi: Atij të mesuesve tanë, atij të prindërve, të prindërve të shokëve tanë e në fund, gjykimit tonë, që është më i keq dhe më i pashpirt se i kujtdo tjetër. Publiku duh
et ta kuptojë se çdo artist ka të drejtën e një duartrokitjeje!

Po me fansat, si komunikoni?– Lexoj të gjitha e-mailet që më dërgojnë personalisht. Ata janë me të vërtetë një burim gëzimi. Është jeta që të hap krahët dhe të përqafon kudo sepse ata janë frymë, gjak, lëvizje, vrapim, emocion. Një vajzë me emrin Axurra, më shkruante përpara disa kohësh: “I dashur Giovanni, nuk mund të bëj pa muzikën tuaj… Ju na lejoni të shkëputemi nga realiteti, të hyjmë në një përmasë hynore, që transformon në liri mendimet dhe frikën, bëni që të na vijë dëshira të jemi edhe më të mirë…”. Pa këto emocione, muzika mbetet letër. Vetëm kështu unë çdo herë që lexoj letrat dhe e-mailet e fansave të mi, kuptoj që shtriga kapricioze, injoruese dhe e pavarur, për të jetuar, ka nevojën e një zemre të motivuar që të di ta mbledhë, ta pranojë, ta ekzekutojë. Çdo individ është i vetëm, i papërsëritshëm dhe i jeton notat e mia në mënyrë personale, por çdokush ndihmon në realizimin e një vepre arti dhe, për këtë motiv, meriton të gjithë mirënjohjen time. Në fund të çdo koncerti, jam unë që dëshiroj firmën, autografin e dëgjuesve!

Pyetjet e mia janë të pafundme, por koha nuk na e lejon të vazhdojmë gjatë, ndaj kam për zemër që pyetjen e fundit t’jua bëj për muzikën dhe instrumentistët shqiptarë…

Jam ndjerë shumë optimist në koncertin që kam dhënë në Tiranë. Nuk pata shumë kohë të shikoja vendin, pashë shumë pak Tiranën. Atje njerëzit janë të jashtëzakonshëm, kanë një ngrohtësi që e shprehin edhe me instrumente. Më ka bërë përshtypje një gjë që dua ta nënvizoj. Ju keni në muzikën tuaj nuanca ballkanase, orientale, që e bëjnë muzikën të komplikuar e të veçantë… si është edhe imja. Orkestra e Tiranës ka shfaqur një talent të veçantë në përballimin e ritmikës së parregullt të kulturës muzikore ballkanase dhe që orkestrat perëndimore e përballojnë me vështirësi. Kam parë një respekt të madh në drejtim të kulturës dhe këtë, shqiptarët e paraqesin me një mikpritje të jashtëzakonshme. Kam mbetur shumë i kënaqur me nivelin dhe aftësinë e instrumentistëve shqiptarë. Ju përgëzoj për këtë!

Atëhere, do të kemi rastin t’ju shohim sërish në skenën e Tiranës?

Atje kam mësuar një fjalë në shqip që nuk e harroj, sepse ka një kuptim universal në të gjitha gjuhët e botës: “shpresoj”! Sa ka shpresë, ka jetë dhe optimizëm. Faleminderit! (Me lejen e autores botohet kjo intervistë)