KATËR DEKADA NË SHËRBIM TË ATDHEUT E TË PAQES

THOUGHT INFINITENESS: Rrëfehet gazetarja Vera Pelaj
Vera Pelaj

Intervistoi: Vera Pelaj

Keine Beschreibung verfügbar.

Behide Hasanaj, femër e guximshme, veprimtarinë e saj humanitare e ka filluar që nga viti 1980. Fillimisht ishte angazhuar në dy shoqatat bamirëse “Nëna Terezë” dhe “Kryqi i Kuq”, e më pas merret edhe me aktivitete të tjera humanitare, duke iu dalë në ndihmë shqiptarëve, sidomos atyre në Zvicër, që iknin nga regjimi serb. Aktivitetet e saj njihen edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku ajo dërgoi ndihma të shumta nga Zvicra, ndërsa edhe vet kishte vizituar popullsinë civile të strehuar nëpër malet e Kosovës, duke iu ofruar ndihma materiale. Në një intervistë ekskluzive për portalin “Ura e Bashkuar”, humanistja dhe aktivistja Behide Hasanaj, që vazhdimisht angazhohet paqe dhe humanizëm, tregon për aktivitetet e saj për katër dekada në shërbim të bashkëkombësve si dhe angazhimin e shtuar për paqe, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Aktualisht, zonja Hasanaj është kryetare e shoqatës humanitare “Pëllumbi i Paqes”, me seli në Zvicër.

– Po filloj me pyetjen: Cila jeni ju?

U linda më 20 prill 1958 në Pejë, Kosovë, nga çifti  babai, Mustafë Adem Hasanaj dhe nëna, Shkurte Hasanaj Begolli. Shkollën fillore e kreva në vendlindje në vitet 1964-1972. Pas shkollës fillore, në vitin 1975, nisa një kurs rrobaqepësie, dhe fitova profesionin e rrobaqepëses, duke e ushtruar këtë profesion për disa vite.

Në vitet ’80-të,  shkova në Sarajevë, ku nisa të punoj si rrobaqepëse në një jetimore dhe ku  mësova dhe gjuhën kroate. Në vitin 1983, emigrova në Zvicër, ku menjëherë nisa misionin vullnetar në shoqatat bamirëse “Nëna Terezë” dhe “Kryqi i Kuq”. Po atë vit, përfundova kursin e gjuhës gjermane për nivelet më të larta. Në këtë mënyrë, nisa veprimtarinë time humanitare, fillimisht si përkthyese e shoqatës, në komunat zvicerane. Falë kësaj arrita të aftësohem në përkthimin nga gjermanishtja në kroatisht dhe anasjelltas, si dhe nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas. Roli im si përkthyese në shoqatë, ka qenë thelbësor për refugjatët kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, të cilët u larguan me dhunë nga tokat e tyre. Gjithashtu, kontribuova në strehimin e shumë refugjatëve në të gjithë Zvicrën. Në vitin 1986, fillova punën në firmën “Neprentechnikerin Spezijalistin”, ku krahas rolit si mbikëqyrëse në shoqatë, iu riktheva sërish profesionit të parë si rrobaqepëse për qepjen e rrobave të policisë dhe ushtrisë për shtetin zviceran. Në vitin 1991, përfundova kursin për mirëmbajtjen e dhomave dhe punova si mbikëqyrëse e stafit të punëtorëve në kompaninë “Wetrok”. Nisa punën në hotelin e seminareve që mbaheshin nga shtetet evropiane. Në vitin 1992, përfundova një studim si ndihmëse për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe sëmundje mendore në Bernë dhe Thun, duke iu ardhur në ndihmë shumë njerëzve në nevojë. Në vitin 1997, nisa punën në mënyrë vullnetare në spitalin shtetëror si ndihmëse mjeku për njerëzit me nevoja të veçanta. Aktiviteti im në shoqatën bamirëse, dega “Nëna Terezë” në Thun, vijova për vite të tëra në mënyrë vullnetare, ku gjatë luftës në Kosovë, ndihmova mijëra refugjatë, të cilët merrnin rrugën e gjatë të emigrimit. Ndihmova e përkushtuar refugjatët për strehim dhe përmbushjen e nevojave e tyre urgjente, përgjatë qëndrimit në Zvicër. Puna dhe kontributi im i vrullshëm nisi në këtë periudhë. Krahas të ardhurave të mia vetjake, mora iniciativë dhe trokita në shumë dyer duke bërë apel, në çdo cep, të shtetit zviceran e në mbarë botën për të mbledhur fonde, për të ndihmuar njerëzit që ishin dëbuar nga Kosova. Për shtetndërtimin pas luftës, u bëra thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe shtetasve zviceranë si dhe shumë organizatave, institucioneve për ndihmë dhe kontribut për popullin e Kosovës. Kur lufta në Kosovë kishte shpërthyer, në vitin 1997-1998, mora guximin dhe me dashurinë ndaj atdheut, si koordinatore për gjuhë gjermane për Zvicër dhe Kosovë, bëra transportin dhe mbikëqyrjen e ndihmave për Kosovë të shoqatës “Nënë Terezë”dhe realizova  që të gjithë të ngriheshin në këmbë dhe të ndihmonin popullin e Kosovës. Takimet dhe vetëbesimi i saj patën sukses shumë të madh në mbledhjen e fondeve si para lufte, ashtu edhe pas luftës për Kosovë. Nuk ndalova, kurrsesi, veprimtarinë, vullnetin dhe ndihmën time. Si gjithmonë, bëra thirrje dhe apel për ndihmë dhe kontribute. Në vitin 2000, për shtetndërtimin nisa vizitat e njëpasnjëshme në Kosovë, për t’i dalë në ndihmë popullit, ku, për një kohë shumë të shkurtër, unë së bashku edhe me shumë humanistë zviceranë, arrita që të ndihmojë shumë qytete dhe fshatra, të cilat ishin të prekura nga lufta. Vullneti im për punë ishte shumë i madh. Në vitin 2002, themelova firmën “FPA-Planung GMBH”, me qëllim për të ndihmuar emigrantët kosovarë me sigurime financiare në Zvicër. Gjithashtu, u ofrova ndihmë familjarëve të viktimave të pasluftës për qëndrim dhe strehim në Zvicër. Kam kontribuar në ndërtimin e spitaleve në Kosovë dhe u kam ardhur në ndihmë njerëzve me aftësi të kufizuara dhe familjarëve të prekur nga lufta. Mora shumë mirënjohje e vlerësime nëpër vendet e ndryshme, si në atdhe, ashtu edhe jashtë tij, gjë që më rriti me të drejtë realisht figurën time, shumë të vlerësuar nga populli im. Gjatë kësaj kohe, kam vazhduar me humanizmin tim, duke udhëtuar shpesh në vendlindjen time për të ndihmuar njerëzit në nevojë. U erdha në ndihmë shumë femrave, të cilat kishin qenë viktima të dhunës gjatë luftës në Kosovë dhe që ishin në varfëri të skajshme, duke i ndihmuar me medikamente, ushqime, veshmbathje, etj.   Gjithashtu, u erdha në ndihmë edhe fëmijëve jetimë që jetonin në varfëri, pas plagëve të marra gjatë luftës në Kosovë. Në maj të vitit 2013, kërkova nga populli i Kosovës dhe populli zviceran, që të ndihmonin nënat dhe motrat, të cilat ishin viktima të dhunës gjatë luftës në Kosovë që, me ndihmën e tyre, të zbusnin dhimbjen e tyre, të ndihmonin fëmijët e dëshmorëve dhe familjet që jetonin në skamje. Si rezultat i këtij kontributi, besimi dhe shkathtësie, u vlerësova me mirënjohje dhe falënderime për punën time të zellshme dhe me përpikëri në shoqatë.  Gjithashtu, unë jam dhe themeluese e nëndegës “Nënë Tereza” në Zvicër. Në vitin 2013, pasurinë që kisha në Kosovë, shita dhe paratë ua dhurova fëmijëve jetimë dhe atyre në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ende vazhdoj, pa u ndalur, të kontribuoj dhe organizoj ndihma të njëpasnjëshme për të gjithë popujt. Jam ndër të parat që ndihmova popullatën shqiptare dhe kontribuova në mënyrë të palodhshme, fakt ky, i cili do të mbetet gjithmonë në zemrat dhe kujtimet e shumë njerëzve, të cilët më kanë takuar personalisht dhe patën mundësinë që të jenë pjesë e ndihmës së madhe. Unë kam mjaft dokumente me fakte, video të incizuara rreth luftës në Kosovë, shumë prej tyre presin botimin e radhës. Janë disa libra të përgatitur që tregojnë këtë veprimtari të madhe, ku shpaloset veprimtaria ime.

Po mbushet rreth një vit që kam themeluar Shoqatën Ndërkombëtare Humanitare “Pëllumbi i Paqes” me një program shumë të qartë.

– Ju keni kaluar një jetë sakrificash. Si e vlerësoni cilësimin “grua e hekurt”?

Unë, natyrisht, që kam një jetë plot sakrifica e plot veprimtari. Vështirësia, guximi, kapja e shpejtë e situatave, koncepti i humanizmit dhe bamirësisë, i cili e ka zanafillën qysh në fëmijërinë time, e edukuar me këtë filozofi nga prindërit e mi, më bëri që të krijoj një fizionomi timen. Veprimtaria ime shumë impulsive, me nivel shumë të lartë. Realizimet e mia më shndërruan, pas luftës së Kosovës në një grua të hekurt. Ky figurim është publikuar në shumë shkrime në Kosovë, Zvicër e të tjerë. I falënderoj të gjithë për këtë motivim të punës sime.

Duke u futur thellë në veprimtarinë time, në librat e mi dhe në shkrimet e të tjerëve për mua, dilet qartë në këtë përkufizim. Jam krenare për këtë.

– Behidja, ndërmjet veprimtarisë politike-shoqërore dhe angazhimeve familjare.

Më është dashur, gjithë jetën time, të angazhohem, krahas veprimtarisë sime, natyrisht edhe me familjen time, me djalin dhe vajzën time. Sa i përket jetës private, them që s’kam pasur kohë  për veten sikur krejt femrat e tjera. I bëra 63 vjet dhe ende nuk e kam bërë asnjë pushim, siç bëhet. Pushimi im ka qenë fëmijët, njerëzimi dhe çështja kombëtare. I kam ushtruar detyrat e mia si nënë dhe them se i kam kryer “shumë mirë” obligimet e mia familjare në një rol të dyfishtë,  edhe nënë edhe babë për fëmijët e mi. U përkujdesa, i rrita, i shkollova, i mësova dhe ata ecin në filozofinë time. Madje, kam pasur ndihmë shumë të madhe edhe prej tyre, duke më ndihmuar në të gjitha etapat e jetës. Krenohem për fëmijët e mi. Krenohem për veten time. Ata, asnjëherë nuk ma prishën rrugëtimin, por më besuan dhe, sot, jam faqebardhë para tyre. Unë kam folur gjatë në veprat e mia për këtë lidhje shumë të bukur me fëmijët e mi, të cilët u rritën e u shkolluan mes sakrificash të mëdha dhe ia dolëm. Jam e lumtur për ta dhe ata të lumtur për mua! Kjo më shtyn të shoh vetëm përpara.

– Më e vështirë lufta me armë, apo kjo e juaja për Kosovën?

Keine Beschreibung verfügbar.

Gjatë luftës në Kosovë, unë krijova realisht bindjen, se lufta me armë, natyrisht është shumë e vështirë, dhe kjo dihet, pasi njeriu në luftë, në përleshje të armatosur, humbet jetën nga përdorimi i armëve masive, të cilat kanë në objektiv njerëzit. Lufta ka pasoja të mëdha rrënimi  dhe eliminimi, por edhe përpjekja jonë për të eliminuar pasojat  e kësaj lufte konsiderohet luftë dhe përpjekje e madhe, të cilën e ndjejnë më shumë mbi mendje dhe mbi shpinë humanistët, bamirësit, të cilët angazhohen të eliminojnë me forma dhe metoda nga më të ndryshmet  pasojat e mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe psikologjike dhe morale,  dëshpërimin për humbjen e të afërmve dhe njerëzve të shumtë të humbur, të cilëve nuk u dihet dhe sot varri, shumë prej tyre,  kanë përfunduar dhe kanë lënë në dhimbje totale njerëzit dhe të afërmit e tyre.

Pra, për të shëruar sadopak pasojat, është shumë e vështirë. Njerëzit, pas katastrofës me vështirësi, e marrin veten shumë vështirë nga shoku psikologjik veprues, ose nuk e marrin dot veten.

Unë kam qenë në krye dhe realizuese me shumë organizma të operacioneve humanitare dhe bamirëse për të eliminuar pasojat e luftës në Kosovë dhe për të ndihmuar, sadopak, në  përmirësimin e gjendjes. Unë kam pasqyruar me dokumente reale këtë punë të madhe, e cila është e pallogaritshme, por tregon jo vetëm përpjekjet tona në përgjithësi, por edhe të miat në veçanti, për t’i ardhur në ndihmë popullit tim.

Krahas ndihmave me materiale të shumta, të cilat janë siguruar me një punë e veprimtari kolosale të pallogaritshme, ne kemi bërë një punë plot angazhim për të shpjeguar gjendjet e masakrës, kemi apeluar në organizma ndërkombëtare. Ka qenë një punë e madhe, mund të them heroike, që kontribuoi në eliminime të pasojave të rënda. Mund të them se kam magjistruar në traumatizmin e luftërave për njerëzimin e përvuajtur nëpër qiellin e hapur, pa shpresë për jetën dhe kjo gjë nuk më lë që ta ndërpres punën kur i kujtojë vuajtjet e dhimbshme, lotët e  fëmijëve, nënave, vëllezërve e motrave të cilët në borë, në shi e breshër, ishin pa bukë e ujë. Nënat shtatzëna të uritura e duke lindur rrugëve e maleve, serbët duka ua nxjerrë foshnjat nga barku pa shpirt e pa ndjenja, motra duke lindur, serbi duke ia prerë duart e këmbët foshnjës e duke i djegur para syve të nënave… Unë kam shumë përjetime. Është e pamundur t’i përshkruaj të gjitha, por dalëngadalë. Kam shumë problem, por më së shumti  kur po vjen pranvera që po fryn një erë po më pengon e më duket sikur atëherë në atë kohë kur ishim nëpër male, hasnim gjymtyrë të masakruara e të mbetur pa u varrosur. Era  njeriut shumë e rëndë, nuk ka gjë më të rëndë dhe më të dhimbshme. Më duket sikur e ndjej atë erë kur vjen pranvera. Ato skena e përjetime, nuk harrohen kurrë. Mos u përsëritshin asnjëherë.

Në këtë luftë, për eliminim të pasojave u shquan organizata, humanitarë, bamirës të shumtë, të cilët ishin kontribuues të mëdhenj.  

– Jeni ndodhur në skena tmerri.  Si i keni përballuar?

Në librat e mi të botuar dhe të paraqitur para publikut dhe lexuesve, jo vetëm shqiptarë, por edhe vendeve të tjerë “ Libri i Paqes” dhe “Një jetë veprimtari humanitare” unë kam shfaqur, përveç të tjerash dhe këto “skena” të tmerrit. Janë të shumta këto skena që për t’i përballuar duhej shumë guxim, madje dhe trimëri, duhet një përgatitje e lartë psikologjike, pasi ndesheshe me veprime çnjerëzore, kjo e theksuar në luftën e Kosovës, në gjenocidin e ndërmarrë nga shteti xhelat i Millosheviçit, i cili përdori metoda, forma nga më shtazaraket për të  zhdukur nga faqja e dheut Kosovën dhe popullin e saj, me qëllim  që kjo tokë të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë  dhe kosovarët të pakësoheshin në numër, të eliminohej identiteti i tyre. Skena të vrasjes më shtazarake, të përdhunimeve masive, të eliminimit njerëzor. Skena të tilla janë të shumta. Më është dashur  që me organizma ndërkombëtare të shoh me sy katastrofa të tilla, të prek nga afër  dhimbje të tilla  të përjetuara, pasi xhelatët serbë kanë shkaktuar drama dhe pasojat kanë qenë të mëdha në humbjet njerëzore. Kryesorja është se unë kam qenë në shumë vatra të tilla të nxehta, gjatë luftës së Kosovës dhe çdo gjë është e dokumentuar, e fotografuar direkt në ngjarje. Këtë e tregojnë dhe ilustrimet e paraqitura në librat  e mi, ku një vend të rëndësishëm e zë informacioni real i drejtpërdrejtë, direkt si i thonë fjalës nga beteja e luftës. Njerëz të sakatuar, grupe të vrarësh, gra të përdhunuara, njerëz të torturuar, varre masive, fshatra dhe qytete të rrënuara, shpërfytyrime njerëzore, bandideske,  e të tjera.

Ende është në kujtesën time kjo maskaradë serbe, e cila është e paraqitur jo vetëm me fotografi, por edhe me tregime të njerëzve, të cilët kanë parë me sytë e tyre këtë tragjedi tmerri .

Krahas konstatimit  edhe me ndërkombëtarët, unë personalisht e kam ngritur zërin dhe e kam publikuar këtë  diskriminim total.

– Në punën tuaj  bamirëse, ndihmuese, propagandistike etj. ka pasur edhe vështirësi të mëdha e pengesa nga shumë faktorë.  Këto e shtyjnë njeriun para tundimit: të vazhdoj, apo ta lë. Mund të thoni diçka për këtë?

 Unë mendoj që kurrsesi të mos ndërpritet puna, por duhet të punohet edhe më shumë. Assesi të mos dorëzohemi. Njerëzit egoistë pengojnë në veprimtari të mëdha, provokojnë që të lihet puna, por mua më kanë bërë më të fortë. Pse? Sepse bamirësia  lind bashkë me njeriun, nuk bëhet. Kam punuar me shpirt e me zemër, pa përfitime. Mund ta shikoni filmin dokumentar ku dëshmohet puna ime, e gjithashtu dhe në dy librat e mi si dhe në revistën “11 Maji”. E kam themeluar dhe shoqatën internacionale “ Pëllumbi i Paqes”, e cila e ka një histori të dhimbshme dhe të jashtëzakonshme.

E përsëris: Puna dhe veprimtaria e kësaj natyre është shumë e vështirë. Natyrisht, që më është dashur të kapërcej shumë barriera e shumë vështirësi, shumë pengesa, që rridhnin nga shumë faktorë. Unë i përballova të gjitha këto, vetëm me mendimin që të vazhdojë rrugëtimin tim të madh. Unë jam një grua e dashuruar gjithë jetën me humanizmin dhe bamirësinë.

– Si e ndjeni veten si shqiptare në mjedis ndërkombëtar?

Jashtëzakonisht mirë e ndjej veten. Si shqiptare më  kanë respektuar shumë sepse ata edhe më vlerësojnë për atë që jam dhe atë çka dua për të drejtat njerëzore dhe ndihmën ndaj popullit tim të përvuajtur dhe të shtypur e pa drejtësi njerëzore.  Jam munduar që t’ua shpjegojë në mënyrën time të sinqertë dhe të thjeshtë. Sot thonë se me thjeshtësinë e zonjës Behide dhe karakterin e fort, moralin e saj, kemi arritur ta njohim krizën ballkanike të asaj kohe. Që në vitet 1987, 1988, 1989, 1990 dhe 1991, kishte shumë shqiptarë që vinin azil, duke kërkuar strehim ilegalisht dhe normal punëtorë krahu  që detyroheshin ta lëshojnë Kosovën nga regjimi serb. Në atë kohë përktheja me Wallter Hallzenberger, e  bashkë me të, iu kemi ndihmuar shumë shqiptarëve për leje qëndrim në Zvicër. Zviceranët kanë arritur të na kuptojnë se kush jemi ne shqiptarët, e të cilët sot janë shumë mirë të integruar. Duhet t’i tregojmë botës e kush jemi në shqiptarët sepse nuk bën ndryshe.

Si rrjedhojë e intesifikimit të njohjes sime, publikimit të veprimtarisë, po vlerësohem kudo. Mund të përmend vlerësime jo vetëm nga Zvicra, Shqipëria, por edhe nga vende të tilla të mëdha si Brazili, e të tjerë. Mendoj se, kohët e fundit, po hidhen hapa të fortë për vlerësimin e punës sime dhe në Kosovë, ku media e shkruar dhe vizive po bën një punë të madhe në këtë drejtim.

– Si u brumos shpirti juaj që spikati si personalitet i fuqishëm?

E shpreha dhe më lart edukimin dhe filozofinë time të humanizmit dhe bamirësisë dhe rritjen time në këtë spektër. E kam shkruar qartë prejardhjen time, edukimin tim, rritjen time në veprimtari, si dhe krijimin e kontakteve me organizmat ndërkombëtare. Mund të them se pa qenë njeriu kombëtar i  mirëfilltë, nuk mundet dot ta zbulojë këtë.  Pra, karakteristikat e mia, edukimi im, filozofia ime, krijimi i një besimi të madh te zviceranët dhe te organizmat, më bëri   një personalitet të tillë të njohur.

– Disa fjalë për Zvicrën e popullin e saj kundrejt tërë veprimtarisë suaj.

Për Zvicrën kam shkruar shumë, pasi në Zvicër kam ushtruar veprimtarinë time humanitare dhe bamirëse. Organizmat zvicerane bamirëse, njerëzit e thjeshtë zviceranë, më kanë dhënë një ndihmë të madhe. Unë  krijova besimin dhe ata më përkrahën, pasi jam një njeri, një grua me plot besim, karakter dhe personalitet. E formova këtë personalitet me një punë dhe veprimtari të madhe. Zvicra është atdheu im i dytë. Unë, në gjithë veprimtarinë time, e kam falënderuar Zvicrën, shtetin, zviceranët dhe këto i kam shprehur edhe në librat e mi, të cilët  do të jenë shtatë, por edhe tre albume  me ilustrime të hollësishme  si dhe në filmin e veprimtarisë sime, ku Zvicra zë vend të parë. Po kështu, revista “11 Maji” e përshkruan më së miri dashurinë, simpatinë dhe adhurimin tim për Zvicrën dhe zviceranët. 

– Deri tash kaq. Çka më tej?

E kisha lutur popullin e mbarë njerëzimin  që nga përvoja e tyre në luftëra deri tani, përjetimet e tyre t’i hedhin në letër, pa marrë parasysh se nga vijnë, t’ua lënë brezave të ardhshëm historinë, vuajtjet dhe përjetimet e tyre.  Sa më larg egoizmit dhe racizmit. Të kenë dashuri dhe harmoni familjare, ta ndihmojnë njëri-tjetrin, ta lexojnë historinë se nga vijnë e mos ta harrojnë vendlindjen. 

Unë kam një objektiv: “ Deri sa të kem jetë  do të vazhdoj misionin tim të madh të humanizmit  dhe bamirësisë njerëzore”.

Vetë krijimi i Shoqatës Humanitare Ndërkombëtare “ Pëllumbi i Paqes” e tregon këtë…

Ju falënderoj pa masë, që më dhatë mundësinë  të shpreh mendimet e mia në këtë intervistë!