Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) III

Nga Ahmet Qeriqi

Hakmarrja e motrës

Kënga e Halilit dhe Musës ka edhe katarzën shpirtërore, pikërisht atë katarzën Aristoteliane, e cila te ne quhet hakmarrja e motrës për vëllanë. Në tragjeditë antike, është e njohur tragjedia Antigona e Sofokliut, e cila varros vëllanë, Polinokin, kundërshtar të mbretit, i cili kishte urdhëruar që trupi i tij të lihet mbi dhe pa u varrosur për shkak se kishte luftuar në radhët armike të mbretit. Meqë kishte thyer urdhrin ajo vritet, ndërsa te varri i saj vetëvritet edhe i dashuri i Antigonës, djali i mbretit Kreon, që kishte dhënë urdhrin e mbytjes së Antigonës. Tragjedia arrin kulmin kur nga dhembja për djalin, vret veten edhe mbretëresha Eurudiqi.

Hajria e traditës dokesore shqiptare, ka diçka të ngjashme me Antigonën e Sofokliut. Ajo vret burrin, i cili verbërisht, apo për shkaqe përfitimi kishte kryer detyrën ndaj pashait duke vrarë, miqtë dy vëllezërit e bashkëshortes. Hajria po ashtu është e përkushtuar për vëllezërit. Ajo shkon më larg se Antigona. Ajo vret burrin por edhe djalin e vet, birin e burrit tradhtar, edhe pse ishte e vetëdijshme se do të mbytej nga Pashai.

U zgjerova në këtë temë për të sjellë disa elemente interesante nga Kronikat e Stambollit të vitit 1730, në të cilat është bazuar seria filmike e Turqisë, transmetuar ne TRT1: “Bir zamanlar osmaly kijam” seri me 20 episode ku trajtohet koha e Sulltan Ahmedit dhe Halil Patronës, si dhe seria tjetër, “Osmanly darin devlet” me 12 episode ku trajtohet pjesa e dytë e po të njëjtës seri filmike dhe ku figura e Halil Patronës paraqitet si një monstrum i veçantë, i papërsëritshëm në 700 vitet e Perandorisë Osmane. (Të dy seritë filmike mund të shikohen përmes Joutube në internet). Kliko: “Bir zamanlar osmanly kiyam dhe “Osmanly darin devlet.

Në serialin “Bir zamanlar Osmanli Kiyam”, vëllai i Halil Patronës, Gjergjezi, apo Gjergji i Zi, paraqitet si vrasës me pagesë. Duke vepruar sipas porosisë së kreut të shërbimit sekret iranian, i cili vepronte dhe kryente diversione në pallatin perandorak, ai vret gruan me barrë të Murat Solakbashit, të besuarit të Sulltane Hatixhesë, motra e Sulltan Ahmetit, e njohur për qëndrimin e saj kundër vëllait epshtar, përtac dhe adhuruar i sëmurë i tulipanëve. Ndërkohë, vëllai i Halil Patronës kapet dhe varet në litar, me një ferman special të Damad Ibrahimit. Ai urdhëron që kufoma e tij të qëndrojë e varur një javë në qendër të një sheshi të Stambollit.

Halil Patrona, paraqitet edhe si vrasës i fëmijës shtatë-vjeçar të Ispiri Zades, meqë ai fillimisht e kishte rekrutuar në kryengritje kundër Perandorisë e pastaj e kishte denoncuar vetë, meqë nuk e kishte përballuar dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Të dy këto motive, nuk kanë asnjë element të përbashkët me Historinë e kohës së Sulltan Ahmedit, ndërsa në të dyja serialet, Halil Arnauti dhe tërë arnautët e asaj kohe paraqiten si përbindësh, si monstrumët e filmave horror.

Kam prirje të besoj se këngën e Halil Patronës, e kanë sjellë nga Stambolli dervishët shqiptarë, gjithnjë bektashi, të cilët u këndonin bëmave dhe trimërive të heronjve të kohës. Është i njohur fakti se dervishët gjatë fushatave luftarake të Perandorisë, këndonin këngë me qëllim për ta mbajtur moralin e ushtarëve. Shumë nga këngët e periudhës së sundimit turk në Kosovë i kanë sjellë këngëtarët dervishë, të cilat janë kënduar edhe nga rapsodët shqiptarë. Duke kaluar nga brezi në brez, në rrethana të ndryshme historike, këto këngë kanë pësuar edhe ndërrime e modifikime të shumta. Modifikimet e tilla i hasim në variantet e shumta të këngëve për një ngjarje të caktuar. Dervishët bektashi me origjinë shqiptare i kanë sjellë në Arnautistan edhe këngët për Osman Pashën, Për luftërat shqiptare-malazeze, për Zenel Gjolekën, për luftërat e Maliq Pashës dhe të shumë pashallarëve të tjerë.

Mendoj se edhe këngën e Halit dhe Musës (Halil Patronës dhe Musli Beshit) e kanë kënduar në tokat shqiptare pikërisht dervishët shqiptarë, bektashinj, ashtu sikur ishin edhe Halil Partona e Musli Beshi, Basha.

Gjatë viteve kjo këngë mori karakter rajonal, duke u kufizuar vetëm në dënimin moral të tradhtisë, ashtu sikur dënohej në traditën dokesore shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit

Kënga e Musës dhe Halilit, në variante edhe kënga e Hajrie Garrisë është shënuar në Visaret e Kombit, në Shkodër në vitin 1937.

Fryni era u çil taraba
ou Halil se Avdi aga,
Me treqind sejmenë përmbrapa,
Të gjithë n’ apanga pa çorapa.
300 vet treqind dai,
Te Halili ia kanë msye
E zeza nane na i paska ndie,
I ndien motra e zeza nanë,
– Çou Halil o gjumi o randë,
-Ku i ki arme e jataganë-
-Mi ka fshehun miku mbramë,
-S e ka mendjen me na dhane,
-E ka mendjen me na zanë.
-Bejta syla, qen, çka t baba
-Tu dhimt buka qi ta ngrana
-S’ mu dhimt buka as rakija,
-Plot dukat mu ka mbushe shpija,
-Nuk po dhimbet miqësia,
-Miqasine do ta lame,
-Motren tane nuk e domë.
Bejta Syla qen qafiri.
Bani gost e qoj na thirr
Qoj për muzhde te Veziri,
Tu zu Musa tu ka zanë Halili

-Mori moter e zeza moter,
-Kurr mos t lefte nji djalë në votër!
-Na tradhtove na shtine n Shkoder,
-Mos m’ lefte djalë, vlla, mos m lefte çike
-Ket punë motra s’e ka ditë,
Shkoj nji muaj e shkuen do ditë,
Preu të shoqin me dy bijtë.
-Kur ja vuna thikën burrit
-Si me i nxjerrë vllaznitë prej burgut,
-Kur ja vuna thikën djalit
-Si me i nxjerrë dy sytë e ballit.

Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall pashën e Moresë, edhe ky me origjinë shqiptare. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i vriste të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët bektashi që kishin shpëtuar pas shuarjes së kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.

Këngëtari popullor shqiptar, historinë e para 280 viteve e këndon edhe sot, por me ndryshime të mëdha.

Kënga është rikrijuar në situata dhe rrethana të reja, të përshtatura për kohën, ashtu sikur kënga “Maliq Pasha në kali t bardhë”, të cilën disa këngëtarë të bashkim vëllazërimit e kishin kënduar në stilin, “Marshall Tita n kali t bardhë” , apo Oj dragane iza Brega. “Trazhi majka svoga” e të tjera. Këngëtari popullor nuk ka qenë kurdoherë konsekuent në misionin e tij, sikur është krijuar dhe deri dikur edhe ekziston një bindje romantike e shumë hulumtuesve të folklorit. Ai shpeshherë iu ka përshtatur rrethanave dhe ka kënduar sipas kërkesave të publikut.

Në Kosovë dhe kudo në trojet e veriut të Shqipërisë Janë të shumta dhe mjaft të përhapura variantet e këngëve për Mustën e Halilin, Hajrie Garrinë, apo Halilin e Musën.

Në të shumtën e varianteve, Halili dhe Musa paraqiten si dy trima të Gallapit apo të Llapit, të cilët i pret në besë miku i tyre në Shkodër. Prerja në besë, mbase ishte bërë për motiv hakmarrje, sikur evidentohet në këtë variant të kënduar në Drenicë. Në fillim të këngës, Veziri i Shkodës, kërkon nga Bejta Syla që t i denoncojë dhe t i zë miqtë e tij, të cilët si duket paraprakisht i kishin vrarë dikë të afërm.

Në Shkodër te zezë u ba beteri,
Na u kanë rrokë bejlertë ndër veti,
Briti e foli, Rrustë Rexhepi.
Vezir Pashë t’ka hup’ gajreti
Bejta Syla t’ ka ba për veti.
Vezir pasha, ne kambë na u çue,
Bejta Sylës fjalë i ka çue,
-Miqtë e ty në Shkodër i ke prue
-Zemren teme, ma kanë shkrumue
-Pre m’i kanë, djalë e grue!
Bejta Syla, çka ka punue
-Vezir pashë, pse s’ me ke kallzue
-Se lidhë në Shkodër, t’ i kishna prue
-Si ke dashtë ti kisha punue.

Bejta Syla n’ shpi ka shkue
-Eja ketu e jemja grue
-Gjithçka t veti, ki mem kallzue
-Ku i ki vllaznit, ku janë tue rrnune
-Fort për ta, jam përmallue
-Fort për ta, malli më ka marrë
Kqyr e shoqja, çka i ka thanë
-N ma dhash besën me ma dhanë,
-Ti vllazninë qi s’ m i trashton
-Gruja jote po t’ kallon.
Ja dha besën, Bejta n dine e imane
-Ty vllaznine, s’ kam me ti zanë,
Mire ja nisi, shoqja po me i kallzon
-Aj Halili ne Mramuer jeton
-Musa i vogë asht rrogëtar,
-N Bajçinë të vogël po i ruan gjanë,
-Pa plis n krye pa opanga n kambe.

Bejta Syla çka po ban,
Merr një leter e po e shkruen
Se n’ Mramur Halilit ja çon.
Kqyr ne leter shka i ka thanë:
-E ke motren ne dyshek
-Malli juaj s’ pe len me vdeke
Letra djalit na i ka shkue
Merr Halili ka nise me kendue
Lot për faqe i kan’ shkue
Lot per faqe po i shkojnë
Jalla bajke na u çojka n kambe,
Fill te Musa ai po m shkon.
Musa i vogel po i kish lshue gjanë
Ja kisht dhanë shpinën një qarri
E po i rajke ai kavallit,
-Bre kavall kavall pa tela
-A thue din ajo motër mjera,
-Që po i ruaj 100 dhi e edha,
Me Halilin janë takue,
Të dy vllaznit kanë bisedue,
-Çou bre vlla, Halili i ka thanë,
-Motra leter na ka çue
-Motra e smutë ka qillue,
-Motra smute ka ra ne dyshek.
-Pa mallë tonin nuk po vdes.
Musa i vogël shka ka thanë,
-Ngo bre vlla i paska thanë,
Me m ngue mue na nuk shkojmë,
Motra smute nuk ka qillue
Po don miku me na tradhtu.
Motra e smutë o Musë ka qillue
Me ba motra, ajo me vdekë
Sahat dekes shpirti s m’del.

Se dy djemtë kanë fillue,
Se n tasjan kur kokan shkue,
Musa veten e kish vajtue,
Musa veten po vajton
-Oj Kosove ai paska thanë,
-Moj Kosovë, oj Kosovë shkreta
-Me kto kambë une ma nuk t’ shkela
-Kam i lan’ ne Shkodër krye e eshtna,
-Ka me na pre, ai Vezir Zeza.

Po shkojnë djemtë sikur fryn era,
I kanë shkue mikut te dera.
Një za t’ vogël ia kanë lshue,
Motra e vet i ka hetue
Turr po bajka te dyert me shkue,
Bejta syla iu kish ngërmue
-Ku po don ti mori grue?
-Zani i bacit mu dok mue!
Ktheu n shpi ti moj grue
Shpejt diçka me na gatue
Darkë të mirë me na gatue,
Do shokë të moçm m’ kanë ardhë mue
Bejta Syla bajke darkën,
Me la n gjak Halil at Halil agën
Bejta Syla qen qafiri,
Bani gostinë e miqtë na i thirri,
Çoj për muzhde te Veziri,
-Ardhë na kanë Musa e Halili,
-Na dash po i presim, n dash po i lidhi.

Fryni era u çil taraba,
Shpejt ja mrrini Vezir Pasha,
Me treqind sejmene përmbrapa,
-Hej, ku je ti o Halil aga?
-Hajde hajde Vezir Pasha!
-Hajde shlirë, jena n’ qorapa.

Musa i vogël foli një fjalë
-Ku na mbeten armët mramë?
-Na i ka fsheh haxhuzka plakë,
Po therret Halili, ori plakë!
-Dheu brenda ty mos të lashtë!
-Fort t u dhimt’ ty ajo darkë,
-Që na fshehe armët mbramë.
-Jo, mor bir i tha hallokja
-U ka marr ne qafe e zeza, motra,
E herret Hali e jemja motër,
-Ty mos të lefte nji djalë n’ votër
-Mos m lefte vlla, as djalë as çike
-Kto punë motra s’ i ka ditë,
-Hajt Halil, o vlla i motrës
-Ti pret motra qentë e Shkodrës.
-Tre qen te Shkodër na i ka thanë.
-I mjeri unë, Musa po ban
-I mjeri unë per nji jatagan
-Paç me lanë n Shkodër një nam
-O mjeri per një pale pishtole,
-Paç me i lanë dy teste vorre.

Atëherë djemtë po i qesin prej sobe
Halil aga trim belaja,
-Sot bashkohen krejt dynjaja,
-Ishalla luten për ne, ulemaja.
Shehrit të Shkodrës po shkojnë tue knue,
Xhalatxhija po shkon tue ngue,
Kush janë këta, qi po vinë tuj kendue?
Kush janë keta që nuk po me tuten mue?
Xhelatxhija prehka shpatën,
Musa i vogël ja zgjati qafën,
-Më prej mue mos ma prej bacën
-Mos ma prej Bacin ma parë
-E kam pasë unë vlla e babë.
Unë me pa shpirti tuj i dalë,
Jam i ri mendt kan me m’ lane.

Te dy djemtë na i kanë pre
Xhelatxhja po ban be
-Unë ksi trima kurrë s’ kam pre,

Nanës t’ zezë lajm i ka shke,
Fill te djemtë ajo ka shkue,
Kryet e musës në prehen e ka vnue.
Ja nis nana po e vajton
O musa o jemi djalë
Kish mbvtetë veç pak gjallë
Veç hallallin me ua marrë
Ke hjekë keq bir deshe e dathe,
Kur don Zoti mallim me ia hjekë
Me izë të Zotir në prehen po flet
Nana ime mos ki dert
Kurrgje s ish kane kjo dynja e shkretë
Tri ditë ymër për gazep
Tri ditë yem mori nanë

Bija e Kastrati u qojka n kambë
Ne shpi t vet drejt po shkon
Eja shoqe na i ka thanë
Eja eja ti moj grue
Bejta syla po e therret oj grue
Eja diçka me t kallzue
Te dy vllaznit t i kena shkurtue.
Ani, ani Bejtë i ka thanë
A di çfarë bese me ka dhanë,
Une per ta gajle nuk e kam
Me pasë dashtë unë nanë e babë
Kisha ndejtë te baba në shpi
S kishna ardhe ne Shkoder me t marrun ty.

Te dy djemtë medet i ka marrë
Po shkon udhës me ta po llaf po ba
Djalit t’ madh çka i paska thanë,
A dashte babë bir a po do nanë
Unë e due nanë at të mirin babë
Po rrin baba me pashallarë
Po shkruhet libra por kdnohet n kangë
E pi duhanin në qelibar.

Djalit të vogël shka i ka thanë
-A deshte babë bir a do naë
-Nuk e du babën, tha, mori nanë
Se pa dajë baba, ne na ka lanë
Jemi mbetë n Shkodër pa askend.

Motra Halilit, Hajria shka po ban
Me dy djem te shpija po shkon
Darkë të mirë ajo po gatuen
Aksham Zoti kur pe e ban,
Per me fjetë në soba po shkojnë
Bija Kastrati me pa shka po ban,
Ajo në oborr, fill paska dalë
Një sopatë e ajo n dorë e ka marrë.
Drejt te burrë në sobë po shkon
Sakicë në krye Bejtës po i mshon,
E mbyti burrin e po i shkon vjehrës
-Ah bre vjehërr kaurresha plakë
-Bash si nanën tu t kam dashtë
-I ra sakicë deri në dërrasë.

Motra e Halilit ne oborr koka dalë
Me pre djalin po i vjen shum’ randë
Per pa e pre, hiq nuk po ban
Po i ngjet Bejtes, ai rezil na ban
Deri në Kosovë marre ai na çon
Shkoj me thikë po e helmon

Ajo e shkreta çka paska thanë:
-Kur i rashë sakicë burrit
-Si me u çue vllaznit prej burgu
-Kur i rashë sakicë vjehrrës
-Si me i ra Musa derës,
-Kur i rashë me thikë djalit
-Si me i nxjerrë sytë e ballit,
Na dash’ të jetë marre e n dash’ njerëzi
Tre unë i mbyta për të mij vllazni,
Keshtu me ba, nuk jam kanen razi,
Burri i keq ne ket rrugë m ka shti,
Tash kam mbetë qyqe pa vllazni,
Tash kam mbetë me Aline vogël,
Si vejushë me cubat n Shkoder.

Literatura:

Josef Von Hamer “Istorija Turskog Osmanskog Carstva, I. II. III”. Zagreb, 1978.
Visaret e kombit, Shkodër 1937.
Sami Frashëri, Fjalori enciklopedik, (Kamus-al alam), Shkup 2004.
Jokai Mor, “A feher rusza”, Budapest 1853.
Jokai Mor, “Trëndafili i bardhë”, përkthim, Prishtinë 2013.
Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985.
Enciklopedia turke-Halil Arnaut, Aranut Halil, Patrona Halil…
Enciklopedia angleze, Patrona Halil.
Seria filmike turke TRT 1, “Bir zamanlar osmanly kiyam” 20 episode.
10.Seria filmike turke TRT 1, “Osmanly darin devlet” 12 episode.

11.Kënga e Musës dhe Halilit, rapsodët shqiptarë.

12.Kënga e Halilit dhe Musës së Vogël