KËRKIMI DHE ANGAZHIMI I POETËVE TË MËRGATËS

Mustafë Krasniqi

Fejtoni. Nr. I

Shkruan: Mustafë Krasniqi

   Kjo temë shtrohet në një fushë të gjerë të krijimtarisë artistike, si për nga aspekti i ndërtimit, figurës, simbolit, krahasimit, po ashtu edhe për nga mënyra e shtjellimit, apo të përkushtimit, qoftë në roman, prozë, tregim, poezi etj.

   Kur flasim për kërkimin dhe angazhimin, kemi të bëjmë me dy nocione të krijimtarisë artistike, sidomos atëherë kur poeti i qaset me një përkushtim veprës krijuese. E përmes saj synon ta tregojë, botën e brendshme të tij,  sidomos tek poetët e mërgatës, më e ndjeshme është motivi i atdhedashurisë, malli për familjen, qiellin, malin, lumin dhe gjuhën.

  Me angazhim kuptojmë, se sa me dashuri dhe seriozitet poeti i përkushtohet  së bukurës, figurës, simbolit dhe përmes saj synon të dalë në skenë e thjeshta, e bukura dhe cilësorja. Ndaj, shpesh hasim te poeti mërgimtar, kur me mall përshkruan dhimbjen shpirtërore, prandaj ky ndërtim bëhet vetëm në sajë të një angazhimi serioz.

Ndërkaq, kur flasim për kërkimin, nuk mund të heqim dorë nga nocioni  tjetër: angazhimi, sepse përmes tij reflektohet kërkimi dhe të dyja bashkë na dalin të kompletuara para lexuesit si një  art i së bukurës, si p.sh. këtë e gjejmë te libri i autorit Hasan Qyqalla “Dua të vdes shqip”. Duke i vështruar dhe rilexuar poezitë e  Hasan Qyqallës, vë në pah se autori është nga ata poetë, që premton dhe krijon me përkushtim të madh. Në veçanti, në vargun e tij, mbizotëron arsyeja, teknika e të shkruarit, rima, metafora dhe, mbi të gjitha tema me të cilën i është qasur seriozisht së bukurës, vlerës artistike; meqë edhe vetë poeti e do vlerën, prandaj për këtë lexuesi spontanisht mund të krijojë bindjen për një poezi të vlerave artistike.

Pothuajse në thellimin e poezisë së tij , poetin sikur e shohim edhe në qiell, pas bilbilave, siç thotë edhe vetë:

“Zog bilbil i këngës së re,

 Fluturimthi  në qiell këndon”.


Me këtë angazhim të frytshëm e të sinqertë i qasen, shumë poetë të mërgatës, të kënduarit poetik apo vjershërimit për atdheun, sidomos kohëve të fundit një vend të rëndësishëm pas atdheut zë dashuria për heroin, që te çdo poet e hasim poezi me motive të këtilla, duke iu përmbajtur vlerave teorike letrare, figurës letrare dhe anës stilistike. Ky motiv vihet re te shumë poetë, por në veçanti po ndalemi te ca vargje të poetit Isuf Ismaili me librin e tij “Meditime të përmallshme”. Vetë titulli i këtij libri na ngërthen në vete në një botë dashurie e të përmallshme. Poeti me përkushtim iu shkruan bashkëluftëtarëve, dëshmorëve të rënë. Isufi përpos këtij përkushtimi artistik për dëshmorët, me ndjenja të fuqishme shkruan edhe për atdheun, Shqipërinë e tërësishme dhe të natyrshme. Doemos, ai  e shquan  fuqishëm amanetin e dëshmorëve  përmes artit poetik dhe kështu duke vënë në kurorën e vëmendjes artistike, idealin, përkushtimin dhe rënien heroike të   dëshmorëve për nënë Shqipërinë, krejt natyrshëm e shpreh para lexuesit, veçantinë e tij  artistike,  dhe mallin e dashurinë për atdheun, e siç na thotë:

Ju një krah e keni në Prishtinë

Dhe një tjetër mu në Tiranë

Mos harroni, ju o njerëz tanë,

Atdhe kemi vetëm Shqipërinë.

                                    (Atdhe kemi vetëm Shqipërinë.I.S)

   Këtë motiv e gjejmë edhe te autori Sylejman Qyqalla, mbase edhe me një angazhim dhe kërkim të ngulshëm për vlerën poetike, e atë krijuese. S. Qyqalla, është i përkushtuar sidomos  pas poezisë së thjeshtë, lirike dhe e figurative, dhe kështu ai i sjell lexuesit të ndershëm vlera të çmuara artistike.

Kështu  tek librit “ Shtëpia ime” sikur lexuesin e ka emocionuar dhe e ka thelluar pas të bukurës, qoftë me vargun melodik, e atë ritmik, qoftë me figura e metafora, që i ka krijuar sipas shijes së lexuesit. Po, shpesh sikur ka rënë pre e lexuesit! Kur e them këtë, kam një bindje të plotë, se vargu i tij ka një thjeshtësi për lexuesin, ku çdo lexues sikur e ndjen një kënaqësi të shijeve poetike.

Në krijimtarinë e tij ndjehet padyshim ndikimi i veprës poetike i të madhit e të ndritshmit, Dritëro Agollit! Mbase edhe mund të themi se është ndikuar thellë nga vargu i tij, e siç thotë dhe vetë poeti:

U bëfsha dhe, u bëfsha gur
Më mbuloftë ai turp i zi
Po s’luftova për flamur
Dhe për Nënën Shqipëri!

                        S.Qyqalla

 Me këtë angazhim dhe kërkim na vjen edhe njëri ndër autorët e mërgatës  që me mjeshtërinë e tij bëhet rob i së bukurës. Thjesht me emocionet e tija krijuese e imagjinatave, na përshkruan një botë, botën reale dhe atë areale, të së shkuarës dhe të së sotmes. Pra, autori në përmbledhjen e tij me tregime “I kujt është dielli”, na ofron me realitetin e jetës, si edhe  na shpjegon për të drejtën dhe të padrejtën, për të gjallët dhe të vdekshmit, për ëndrrën e tij që shfaqet në tri refleksione: mallin për familjen, dashurinë dhe respektin për prindërit e tokën mëmë dhe parandjenjën për gëzimin apo pikëllimin dhe krejt këtë përmes krijimeve letrare e narrative, që të dyja me një ngjeshje prej nga  lexuesi vështirë e ka për të hetuar ku fillon e ku mbaron poetizomi. Në secilin tregim mund të hetohet pyetja: “I kujt është dielli” në tregimin “Dymbëdhjetë”

    -… unë kam të drejtë të them se dymbëdhjetëshi është dymbëdhjetë, sepse kam mbetur në dymbëdhjetë ose më stopuan në dymbëdhjetë. Më tej shton autori:

– Mos kjo koka ime është ndryshe nga e jotja? Jo, shok! E njëjtë është, përveç një ndryshimi. Koka ime ka flokë të gjata dhe vëth në vesh.

      Megjithatë, shkrimtari nuk mund t’i shmanget temës patriotike, sepse me të e ka lidhur jeta dhe veprimtaria e tij atdhetare, dhe pa dyshim mund të them se, pa këtë temë, nuk do të kishte vlerë artistike vepra e poetëve të mërgatës. Ne e themi një të vërtetë të paluhatshme, se s’ka krijues të paqëllimtë, apo që nuk ëndërrojnë, varësisht se për çka ju shkon mendja, apo se ç` fuqi kanë për ta zbërthyer në art qëllimin dhe ëndërrimin e fuqisë së intuitës, apo vizionit të tyre.

Dimensioni i kërkimit dhe i angazhimit të poetëve të mërgatës është i madh. Këtë angazhim e shohim edhe tek libri “Trinomi i Lirisë” që përbëhet prej 32 poetëve me poezi të ndryshme, këngë dhe balada, ku nga çdo poet që është i pranishëm në këtë përmbledhje shohim sa të përkushtuar kanë qenë dhe mbetën në ndërtimin dhe gjetjen e figurës së duhur, qoftë përmes krahasimit, qoftë përmes figurave të tjera për ta paraqitur, shpirtin e çiltër dhe përkushtimin deri në vetëmohim të tre martirëve të kombit Jusufit, Kadriut dhe Bardhit. Madje dimensionet e saj artistike sikur janë ndalë te një rrezatim i diellit, sikur kanjushat lidhen ngushtë me ngrohtësinë e mallit të atdheut, ku ndjeshmëria e poetëve mërgimtarë sikur vë në pah një histori të madhe përmes poezisë, këngës së tyre lirike, meqë ishin dhe i mbetën besnikë poezisë së kërkimit dhe të angazhimit.

    Nga ky libër “Trinomi i Lirisë” kanë dalë vargje përkushtuese e siç na shkruajnë poetët:

Gërvishtin gjirinë e nënës portretin e babës me plis
Ditë e gjymta pa duar e këmbë memece si ky fis
Apo :

Çohu Jusuf merr kitarën
Pentagramin nis shfleto
Vjenë kanjushë me pranverën
Të gjithë zogjtë nga gjumi zgjo…!
            …….

      Në këtë libër “Trinomi i Lirisë” sikur shohim edhe te ca poetë tek janë mbushur mllef dhe atë nuk kanë ku ta zmbrapsin, vetëm përmes poezisë disi e çlirohen, sikur jo të gjithë shkruajnë vetëm për të bukurën, dukjen në skenë, por ca prej poetëve përmes poezisë dhe fuqisë së heronjve shkruajnë edhe për të metat e shoqërisë, siç na del edhe te poezia:


Çohu vëlla për Ajshe Nënën
Për neve që të patëm shok
Se Shqipërisë po i thurin gjëmën
Si atëherë…. sërish edhe sot!

                                   (S.Qyqall)

     Krijimtaria e mërgatës ka një diapazon të gjerë të krijimtarisë dhe, ajo lidhet me dy botë, atë të atdhedashurisë dhe botës  tjetër që shpesh e hasim te poetët ta quajnë si botë e ferrit.

Pse, edhe atëherë kur poeti shndërrohet në personazh, apo flet për personazhin, shohim se sa me mjeshtëri ka paraqitur botën artistike qoftë përmes poezisë, tregimit, apo prozës. Kur flasim për poetin, si vetë-personazh, këtu kemi të bëjmë me një poet të dhënë  pas ideales, qoftë përmes krijimit të së shkruarit poetik, qoftë përmes veprës tij jetësore. Fatbardhësisht të tillë poetë të mërgatës ka mjaft duke u nisur nga rilindësit e deri te ditët e sotme, sidomos pas viteve 80-ta bukur mund ta përcaktojmë vizionin e poetit personazh siç janë Jusufi, Kadriu dhe shumë të tjerë, ishin dhe mbetën poetë dëshmorë të kombit. Po ashtu kemi edhe poetët që deri më sot nuk u ndalën së shkruari me përkushtim për atdheun e lirinë. Natyrisht  përmes krijimtarisë së tillë na del në pah poetika, që vjen me një fuqi të madhe artistike. Krahas këtyre poetëve, poetëve atdhetarë, padyshim në poezi, apo në përmbledhjen e Anekdotave popullore na vjen edhe autori i librit “Trëndafila Maji”, Mehmet Bislimi.

Mehmet Bislimi është prej atyre poetëve që këmbëngulës ka ardhur në botën e artit, me një mjeshtëri të fjalës artistike, përmes angazhimit dhe kërkimit krijues. Me këtë angazhim shkrimtari ia ka shtuar vlerën  veprës së tij dhe me këtë i ka dhënë një emocion, ngjyrimin e muzikalitet të duhur edhe poezisë, ndoshta jo me poezi jo aq të figurshme si te disa poetë, por me vargje përkushtimi  dhe të hapura për lexuesin, duke respektuar rimën, vargëzimin dhe rregullin e një poezie të mirëfilltë. Për këtë pa hezitim them se, poeti na vjen si mjeshtër i mirë, apo edhe si mbledhës i  guximshëm i anekdotave shqiptare, e këtë e shohim më së bukuri fjalën artistike te libri “Trëndafila Maji”

Ç’kuptim ka ferri i Dantes

I imagjinuar këtu e tetë shekuj më parë

Në krahasim me të Dubravës,

Që Serbia e përgatiti për shqiptarë?!…

                                  (Mehmet Bislimi)

 Te ky poet përpos anës ideore të mrekullueshme gjejmë edhe një stil tjetër të shkruarit dhe një angazhim në krijimtari, që te poetët tjerë të mërgatës thuajse fare nuk e hasim, siç na sjell me librin e tij “Anekdota popullore dhe satira autoriale”.

Mjeshtëria e tij në këtë krijimtari është një përvojë e guximshme dhe e fuqishme. Këtu përmes satirës dhe anekdotave e ka përfituar lexuesin, prandaj mund të themi lirshëm që është mishëruar kjo krijimtari me lexuesin, dhe kështu po shkëpusim një pjesë…

                     ……………………

             Gjatë rrugës ky po i thotë:

– Mixha Shaban, ti e din se për mua po  flitet keq. Deshta me e dijtë se a jam unë farë burri!

             -Thuaj se je çka të duash, veç mos thuaj se je shqiptar, ia ktheu mixha Shaban!