KLINA – QYTETI ILIR I DUKAGJINIT ME TOKË E UJË TË BOLLSHËM

Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXII)

Nga Berat Luzha

Qyteti i Klinës, i quajtur ndryshe nga populli si Klina e Begut, që nga viti 1954 është qendër e komunës e 54 vendbanimeve. Shtrihet në veriun e Rrafshit të Dukagjinit dhe në rrjedhën e epërme të Drinit të Bardhë, aty ku lumi Klina bashkohet me Drinin e Bardhë. Qyteti i Klinës, me pozitë shumë të mirë gjeografike, është një nyje e rëndësishme komunikacioni rrugor dhe hekurudhor, që lidhë qytetin me pjesët tjera të vendit, siç janë hekurudha Fushë-Kosovë – Klinë – Pejë dhe Klinë – Prizren (jashtë përdorimit), rrugët automobilistike Prishtinë – Klinë – Pejë, Klinë – Skënderaj, Klinë – Gurakoc, Klinë – Gjakovë.

Sipas regjistrimit të vitit 1981 komuna e Klinës kishte rreth 43 mijë banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 komuna e Klinës kishte 38.500 banorë, kurse qyteti i Klinës rreth 5500 banorë. Ndryshe, popullsia e qytetit të Klinës dhe rrethinës njihen për harmoninë fetare të tri religjioneve që praktikohen te ne; islam, katolik dhe ortodoks.

Klina është vendbanim i hershëm ilir me emrin Chinna. Ky emër gjendet në hartën e Ptolomeut të viteve 87 – 150. Në afërsi të Klinës përmendet Dersniku, i shënuar si Desstinik, si një qendër e fisit dardan. Po ashtu, përmendet edhe Dollci, i shënuar si Zalug. Në shek. I territori i sotëm i komunës së Klinës dhe i tërë Dardanisë gjendej nën sundimin romak, kurse pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, rrethina e Klinës ka rënë nën sundimin bizantin.

Pozita gjeografike dhe kushtet natyrore klimatike në Rrafshin e Dukagjinit, rrjedhimisht edhe në komunën e Klinës janë shumë të volitshme për zhvillimin e bujqësisë, të blegtorisë etj. Mëse 95 për qind e territorit të komunës është tokë bujqësore e prodhimtarisë së lartë, ku rreth 88 për qind e sipërfaqes gjendet në lartësinë mbidetare nën 600 m. Në këtë komunë nuk ka male të larta. Territori i saj ka klimë të butë kontinentale me ndikim të klimës mesdhetare, shumë e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë. Ky territor ka pasuri të konsiderueshme natyrore; rezerva të mëdha të linjitit, të xehes së boksitit, të argjilës, të gurit ndërtimor etj. Miniera e boksitit “Kosova” në Volljakë, e themeluar në vitin 1966, dikur prodhonte rreth 100 mijë tonë xehe në vit. Që nga viti 1981 në këtë minierë janë nxjerrë edhe gurë gëlqeror për ndërtimtari e industri. Mirëpo, pasuria më e madhe ekonomike e komunës së Klinës, për shkaqe të panjohura, ka kohë që është mbyllur. Edhe pse janë kërkesa të përsëritura dhe nevoja të mëdha për aktivizimin e saj, duke pas interesim edhe të investuesve nga jashtë, deri tash miniera është lënë në harresë dhe në mëshirën e kohës. Janë të njohur në tërë Kosovën gurët e Gllarevës, gurë ndërtimor dhe zbukurues për për përdorim në ndërtimtari.

Fabrika për përpunimin e farërave “Agroelita” në Klinë është objekti i vetëm industrial në komunë, një objekt i rëndësishëm ekonomik, i trashëguar nga sistemi monist dhe i privatizuar në vitin 2006. Ajo dallohet për cilësinë e përpunimit të disa llojeve të farërave, veçanërisht të farës së grurit. Pos grurit aty prodhohen e përpunohen edhe farërat e kulturave tjera bujqësore; të bizeles, lulediellit, foragjereve etj. Në kuadër të fabrikës janë edhe sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore për nevojat e fabrikës.

Komuna e Klinës ka pasuri të mëdha ujore. Nëpër territorin e saj përshkojnë gjashtë lumenj; Drini i Bardhë, Lumbardhi i Pejës, Lumbardhi i Deçanit, lumi Klina, lumi Mirusha dhe lumi i Istogut. Si kudo në Kosovë edhe në komunën e Klinës lumenjtë janë ndotur nga mbeturinat dhe ujërat e zeza, që derdhen në lumenj.

Lumi i Klinës, 69 km i gjatë, është dega e majtë e Drinit të Bardhë. Buron në Malin e Thatë, komuna e Z. Potokut dhe përshkon territorin e dy komunave dhe dy qyteteve, Skënderaj dhe Klinë. Meqenëse lumi bartë ujërat e zeza nga kanalizimet e fshatrave e qyteteve të një regjioni të gjerë, gjatë tërë rrjedhës së tij kundërmon, veçanërisht ditëve të verës, duke u bërë lumë shumë i rrezikshëm për shëndetin e popullsisë.

Një bukuri e rrallë natyrore në rrjedhën e poshtme të lumit Mirusha, e shpallur zonë e mbrojtur – rezervat natyror në 200 hektarë, është kanioni i Mirushës me ujëvarat dhe liqenet e tij, që shoqërohet edhe me botën e zhvilluar bimore e shtazore rreth tij. Ky vend, që u takon dy komunave, Klinës e Malishevës, është një pikë atraktive turistike me peisazhe e pamje të mrekullueshme. Kjo grykë lumore, e gjatë rreth 10 km, e njohur si Kanioni i Mirushës ndodhet në rrjedhën e poshtme të lumit Mirusha dhe para derdhjes në lumin Drini i Bardhë. Kanioni, brenda tij, ka një mori ujëvarash e liqenesh; 12 ujëvara dhe 13 liqene lumore, të lidhura mes vete në mënyrë zinxhirore. Një vend tjetër i mrekullueshëm turistik është shpella e Dushit afër fshatit Sferkë. Shpella është e pajisur me shtylla, me stalaktite e stalakmite të formave e madhësive të ndryshme. Në Krushevë të Vogël ndodhet muzeu etnografik privat i Gjon Gjergjajt, i vetmi muze në komunë. Në fshatin Çabiq është kulla – muze e Mujë Krasniqit dhe në fshatin Ranoc objekti i trashëgimisë kulturore – kulla e Mark Jakajt.

Në Klinë zhvillohet njëri ndër festivalet më të rëndëlsishme të Kosovës; festivali folklorik kombëtar “I këndojmë lirisë”. Ky festival organizohet çdo vit me sukses të plotë, në kujtim të komandantit të UÇK-së, këngëtarit dhe heroit Mujë Krasniqi. Në këtë festival, që është themeluar menjëherë pas çlirimit, paraqiten grupe muzikore, ansamble, instrumentistë e rapsodë nga të gjitha trojet shqiptare. Ansambli i këngëve dhe valleve “Jehona e Dukagjinit”, dikur nga shoqëritë më të mira kulturore e artistike të Kosovës por e pasivizuar një kohë të gjatë, në vitin 2019 është riaktivizuar për të kultivuar folklorin burimor dhe duke e gjallëruar jetën kulturore në Klinë.

Qyteti simpatik i Klinës dhe rrethina e tij paraqesin një atraktivitet të veçantë fushor, që rrethohet me natyrë të begatshme, që ka vlera të larta kulturore e historike, që ka dhënë kontribut të madh në luftën çlirimtare, që ka vende të bukura e interesante për t’i vizituar.