ALBANIA – SHQIPËRI NATYRALE

Rudi Berisha

Nga Rudi Berisha

Sa të ekzistojë Shqipëria, do të ketë atdhetarë që do të bëjnë përpjekje për të ruajtur dhe nderuar Shqipërinë. Shqipëria do të ketë kalorës që do të lobojnë në gjithë botën për bashkim kombëtar.

Bashkimi kombëtar ka filluar që moti brenda Shqipërisë dhe do të vazhdojë brenda Shqipërisë deri në fund të njerëzimit. Shqipëria është nderi i çdo shqiptari. Shqipëria është lavdia që është ujitur me gjak dhe është bardhësia që është mbuluar pothuajse në çdo cep me qefinin e bardhë të vdekjeve (lindjeve), të atyre që e deshtën vërtet Shqipërinë dhe dhanë jetën e tyre për Shqipëri Natyrale.

Shqipëria është dhe do të jetë vetëm Shqipëri. Shqipëria nuk do të jetë e madhe (Shqipëri e madhe është shpikje serbo-sllave), por do të jetë ëndrra e realizuar e shqiptarëve me të gjitha tokat e saj nën administrimin e Shqipërisë. Pa Shqipëri të bashkuar, pa drejtësi për Shqipëri, nuk do të ketë qetësi, do të ketë përherë trazira në Ballkan dhe do të ketë turbullira në Evropë dhe thuaja se në gjithë botën. Vërtet disa do të thonë: “Ku e gjithë bota do të mërzitet për një grusht shqiptarë, ku e gjithë fuqitë e mëdha do të merren dhe e kanë fokusin tek shqiptarët ”?! Unë ju them se e gjithë bota është filluar nga shqiptarët, e gjithë bota është e lidhur ngushtë me atë që është shqiptare, e të gjithë do të kenë diçka nga toka shqiptare, nga Shqipëria Natyrale.

Ne vërtet jemi me fat që jemi shqiptarë, jemi me fat që i takojmë dhe jemi nga Shqipëria. Ju që keni lexuar më shumë se dy libra, do të mësoni për të vërtetën dhe Shqipërinë, do të mësoni sa të rëndësishëm jemi ne për gjithë njerëzimin, për mbarë botën, por sa pak e kemi bindur veten që ne shqiptarët vlejmë shumë.

Jemi ndoshta më pak se disa popuj në tokë, por kemi vlera më të mëdha se sa shumica e popujve, vetëm duhet gjurmuar tek vetja jonë. Për këtë gjë duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Shumë nga popujt apo nga shtetet mundohen të na luftojnë në atë mënyrën duke u munduar të na prishin moralisht dhe vlerën shpirtërore, mikpritëse, bujare që e kemi në shqiptaret. Duan të na zhveshin nga idealet dhe lufta jonë për të zbardhur dritë për tokat tona, për Shqipërinë Natyrale.

E dashur motër dhe i dashur vëlla! Jeto përherë dhe deri në frymën e fundit vetëm duke qenë shqiptar. Mos i lejo vetes që të zhveshësh nga këmisha e bardhë e shqiptarisë. Jetoni me krenari i të qenurit vetëm shqiptar. Shqiptari ka besë, kulturë, traditë, trimëri dhe ka fuqi e guxim t’i bëj ballë çdo stuhie. Stuhitë për shqiptarin janë erëra qe i kalon lehtë, lehtësia më e vogël për shqiptarin është vdekja, e vdekja duke qenë shqiptar dhe duke qenë luftëtar për të mbrojtur atdheun e shqiptarinë është akti më i lartë njerëzor, moral dhe kombëtar.

Të dashur shqiptarët e mi! Zoti ju dhuroftë gëzime, paqe, durim dhe qofshim unik e të bashkuar të gjithë në mes veti! Qofshim të bashkuar e duke jetuar në Shqipëri Natyrale. Zoti ju bekoftë!