Nga Mustafë Krasniqi
“O burra shqyptarë, po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?
Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?-Gjergj Fishta
Në emër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSh-i ) ua urojmë gjithë shqiptarëve, kudo që janë, Kongresin e Alfabetit! Kongres që pas Lidhjes së Prizrenit ishte i pari tubim mbarëkombëtar. I pari kongres që shqiptarët morën pjesë të bashkuar padallim feje e krahine, nga shumica e trojeve shqiptare, për të nxjerrë një alfabet të përbashkët, që deri në atë kohë shqipja kishte Alfabetin e Stambollit, e cila u përdor në Jug dhe te disa shqiptarë në emigracion. Ndërsa në Veri- Shkodër u përdor alfabeti tradicional i shkrimtarëve të Veriut dhe u krijuan edhe dy alfabete të tjera mbi bazën e alfabetit latin, ai i shoqërisë “Bashkimi” më 1899 dhe i shoqërisë “Agimi” më 1901. Të cilat në kongres u paraqitën këto tri alfabete: Alfabeti i Stambollit, i Shoqërisë Agimi dhe i Shoqërisë Bashkimi, por komisioni vendosi që nga këto tri alfabete të nxirret një alfabet i ri, që ishte Alfabeti Latin, duke marrë pëprbazë tingujt e shqipes një për një mbi kriteret shkencore.
Në këtë Kongres historik e kombëtar morën pjesë mbi 50 delegatë, me të drejtë vote vetëm 32 prej tyre dhe u përfaqësuan nga klubet e shoqëritë kulturore nga: Korça, Elbasani, Shkodra, Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Berati, Starova, Leskoviku, Kolonja, Shkupi, Selaniku, Janina, kolonitë e shqiptarëve të SHBA, të Bukureshtit, Kostancës, të Sofjes, Filipopolit, të Egjiptit dhe të arbëreshëve të Italisë etj.
Kongresi i Manastirit jo vetëm që kishte rendësi për shkrimin e unifikuar të shqipes, por ishte një fuqi që i dha historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, e cila pati ndikim të madh edhe për vetë historinë, politiken e Shqipërisë.
Nëntori ishte dhe mbeti muaji i rëndësishëm i Shqiptarëve, që pas kongresit të Manastirit ishte edhe 28 nëntori 1912 që vulosi fatin e Shqipërisë, me shpalljen e pavarësisë së saj, por duke lënë jashtë Shqipërisë, në duar të pushtuesve shumë troje shqiptare, në pamundësi për t’i brojtur dhe t’i bashkuar me trungun, Shqipërinë. Që deri më 1998 kur dhe doli hapur UÇK-ja, e cila mori përsipër lirin e atdheut “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”. Kështu që më 1999 Kosova u lirua nga pushtuesi serbomadh.
LAPSh-i në uratën e saj, për Kongresin e Manastirit kërkon nga mësimdhënësit, shoqatat që veprojnë kudo në botë, konkretisht në landin e Bavarisë, që t’i qëndrojmë besnik gjuhës amtare dhe ta hapim dritaren e diturisë, për fëmijët e mërgatës shqiptare!
Në këtë 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit u bëjmë thirrje bashkëkombësve, prindërve, shoqatave dhe bizneseve, që të bashkuar ta ruajmë gjuhën e shenjtë të kombit, gjuhën shqipe tek brezat e ardhshëm të fëmijëve mërgimtarë, që për fat të keq dita-ditës po vije duke u zbehur gjuha amtare-shqipja te brezi i dytë, e mos flasim te brezi i tretë, që dhe ka drojë të harrohet në tërësi.
Për të mos u harruar shqipja te fëmijët mërgimtarë, fëmijët dërgoni në shkollën shqipe, sepse aty ruhet gjuha, identiteti. Aty ndihet fuqia dhe ruhet kultura, tradita shqiptare
Në emër të LAPSh-it
Mustafë Krasniqi