“Shtegtim vargjesh”, libër i poetes Loreta Schillock 

Nga Mustafë Krasniqi

Në Bibliotekën Shkencore Universitare të Shkodrës, më 20 nëntor 2023, në sallën “Vehbi Bala” u promovua libri i poetes Loreta Schillock,  e cila u prezantua me librin poetik ”Shtegtim vargjesh”.

Libri u promovua në prani dhe bashkëbisedim me studentë të degëve Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim dhe për vlerat artistike, figuracionin dhe tematikat referuan:  Prof.as.dr. Arben Prendi dhe studenti Edon Bushaj, Master Profesional në Gjuhë-Letërsi.

Për librin ”Shtegtim vargjesh” diskutuan dhe lexuan poezi: Aleksandër Prenga, Bachelor Gjuhë -Letërsi, aktor i teatrit Migjeni”; Xhuljana Guri Gjuhë- Letërsi; Arjola Zadrima, Gazetari-Komunikim; Nikolin Ferketa, aktor i Teatrit “Migjeni”.

Në shtator 2023, libri  poetik “Shtegtim vargjesh” i autores Loreta Schillock botohet nga  shtëpia botuese “Onufri” Tiranë. Lirika e poetes me titull “ Shtegtime vargjesh” është një meditim i një bote të veçantë, me të cilën i qaset vargut origjinal se si e ndien dhe përmes meditimit emocional nxjerrë në pah trazimin , ballafaqimin, bredhjet në vetvete, me fuqinë medituese, sikur dhe thotë te poezia “Mos më zgjo”:

Në të ka mbetur pak hare për mua,
mos më zgjo!
Qesh, vazhdo!
Në të ka mbetur pak pikëllim për mua,
mos më zgjo!
Qaj, vazhdo!
Në ke një lule për t’më dhënë,
një fjalë për t’më thënë,
mos më zgjo!
Vazhdo!
Në një puthje do të kujtohesh
dashurinë ta freskosh,
mos më zgjo!
Puthmë…
Vazhdo


 Loreta Schillock, për lexuesin shqiptarë, por jo vetëm shqiptarë, është e njohur edhe si poete, e cila që nga  bankat e shkollës ka botuar poezi nëpër gazeta, revista e portale të ndryshme dhe së fundmi i ka kurorëzua në përmbledhjen poetike “Shtegtim vargjesh”.  

Shillock përpos poezisë është edhe përkthyese e pasionuar të veprave letrare shqipe dhe gjermane,  në vendet gjermanofolëse. E cila ka përkthyer nga gjuha shqipe në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip, disa prej autorëve të mëdhenj dhe kryeveprave të letërsisë shqiptare e gjermane si: Heinrich Heine, Franz Kafka, Arthur Schnitzler, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevair Lleshi, Arian Leka, Azem Deliu, Besim Rexhaj, Mimoza Hysa etj.

Loreta Schillock na vije me premtuese dhe e çlirët para lexuesit me vargun e saj lirik, duke i dhënë fuqi vargut përmes figuracionit, metaforës dhe zbërthimit të emocioneve, që të gjitha këto dhe gdhendja e stilizuar e vargut, poeten e bënë të këndshëm dhe të dashur për lexuesin.

Autores së librit Loreta Schillock i urojmë suksese tjera, në krijimtarinë e saj poetike dhe suksese si përkthyese!