Kronikë digjitale „Unë vij nga…“

Enela Shehu Markja

Nga Enela Shehu Markja

Pothuajse te gjitha „fjalitë“ që përshkruajnë shoqërinë shqiptare ose Diasporën fillojnë me fjalën „Sfidë“. Mënyra e zgjidhjes së tyre profilizon shoqërinë, ose në këtë rast Diasporën, pjesë e të cilës jam dhe unë. Digjitalizimi është sfida e radhës që prek dhe vë në lëvizje gjithë kuadrin arsimor e për më tepër atë të mësimit plotësues të gjuhës amtare në Diasporë. Në këtë kuadër dhe me dëshirën për të mos e ndaluar asnjë ditë mësimdhënien mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari në bashkëpunim me shumë mësues të tjerë në Diasporë u angazhuan në përvetësimin e mundësive digjitale.

Nismëtare e digjitalizimit të procesit të mësimdhënies, të komunitetin tonë, është drejtuesja e shkollës „Albanien American Dual Language and Culture“ dhe „Children of the eagle“ në New York Znj. Drita Gjongecaj. Seria e seminareve të organizuara në fillim të Janarit (2021) jo vetëm që na „çeli sytë“ ne mësuesve të gjuhës shqipe në Diasporë, por dhe na pajisi të gjithëve me njohuritë e duhura për zhvillimin e mësimit online.

Ky seminar ishte shumë dimensional, ku ndër të tjera rrjetëzimi i mësuesve të Diasporës dhe shkëmbimi i përvojave e tyre ndodhi krejt natyrshëm. Në këtë kontekst u ngjiz njohja dhe bashkëpunimi me mësuesen e gjuhës shqipe në Londër Aida Haziri, e cila me pasionin dhe dëshirën e saj kontribuoi në njohjen më të thellë të platformave digjitale në mësimdhënie.

Projekti „Unë vij nga…“ lindi si një ide për të mësuar përdorimin e platformave digjitale duke u bazuar mbi një temë të thjeshtë – ku zemra flet vetë – siç është të shkruash dhe të flasësh mbi vendlindjen. Referimi prej rreth 15-20 Min., bazohet mbi një kornizë të thjeshtë si më poshtë:- Shtrirja gjeografike dhe rajonet në kufinj;- Aspekte të rëndësishme historike;- Personazhe të rëndesishëm që kanë ndikuar në historinë dhe evoluimin e rajonit/ zonës/ qarkut/ krahinës/ qytetit;- Kultura, folklori, kostumet, festat, ritualet, traditat, etj.

Qëllimi i këtij formati është gjithashtu shumë dimensional. Mësueset dhe mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari bazuar mbi kujtimet e tyre të fëmijërisë, gërshetuar me: studime historike, aspekte të kulturës dhe traditës shumë shekullore, zhvillimin demografik të zonës dhe gjurmët e lëna nga regjime dhe politika te ndryshme, – referojnë nëpërmjet platformave digjitale mbi vendlindjen e tyre. Referimet mbi qytetin e lashtë dhe historik të Prizreni – simbol i bashkimit shqiptar, mbi Klinën dhe ujëvarat e saj te mrekullueshme, mbi Korçën dhe Mësonjëtoren – djepi i vazhdimit të gjenezës shqiptare, mbi Suharekën ose siç quhet sot Theranda – vendlindja e Bilbilave të Kosovës, Skraparin në rrëzë të Tomorit dhe kanionet mahnitëse të Osumit, mbi Rozhajë mes malesh me shkollën më të vjetër shqipe në fshatin Dacaj në Malin e Zi dhe mbi Elbasanin – zemra e Shqipërisë së mesme – ku ikonat e Onufrit zbukurohen me fjalët e Kostandin Kristoforidhit dhe me këngët tradicionale të Isuf Myzyrit, gjallërojnë aktivitetin e organizatës çdo të enjte në mbrëmje.

Cikli i parë i kësaj kronike digjitale u realizua përgjatë muajve Shkurt dhe Mars 2021. Në përfundim të ciklit të parë të Kronikës Digjitale, vlerësoj dhe jam e bindur që zhvillimi i këtij projekti ndër të tjera na ndihmon në përvetësimin e përdorimit të platformave komunikuese digjitale; e cila dhe na jep mundësinë të shpalosim bukuritë natyrore, karakteristikat dhe virtytet e vendlindjes;- na ndihmon të njohim dhe kuptojmë më mirë njëri-tjetrin duke gjetur të përbashkëtat dhe dalluar veçoritë – duke krijuar bazat për një bashkëpunim e mirëkuptim mbarë kombëtar.

Shumëkush nga ju mund të shtroj pyetjen, se çfarë lidhje ka ky projekt me mësimdhënien? Mësuesit e diasporës vijnë nga treva dhe krahina të ndryshme, ku njohuritë dhe eksperiencat e tyre ndryshojmë në thelb, jo vetëm nga përmbajtja dhe drejtimi por dhe nga ana gjuhësore. Gjuha shqipe në trevat shqip-folëse, në periudha kohore të ndryshme, ka pasur dhe ka ndikime nga gjuhet e vendeve fqinje. Theksoj se dhe prejardhja e mësuesve luan një rol të rëndësishëm në motivimin e tyre, në këtë mision historik. Me referimin e mësues Lume Daci-Hoti, informohemi për shkollën e parë shqipe në Rozhajë, mes malesh dhe në kufi me tre shtete: Mal i zi, Kosovë dhe Serbi, e cila u dogj para një viti, veprim ky që është përtej çdo realiteti që ne jetojmë dhe ndërtojmë në Europën e shekullit të XXI. Ndërkohë, motivimi dhe angazhimi i mësuese Lume ndryshon nga motivimi im, ku mësimi i gjuhës dhe shkolla shqipe vlerësohet si e vetmja alternativë. Për t’u ulur të gjithë në një sofër të përbashkët dhe për t‘iu përkushtuar misionit historik të mësimdhënies, duhet të njohim dhe të respektojmë njëri-tjetrin.

Në këtë periudhë profilizimi të diasporës shqiptare, numri i të cilës është gjithmonë në rritje dhe njëkohësisht shumë heterogjen si nga prejardhja dhe nga niveli gjuhësor, është ky aktivitet si një pikë uji mbi një gurë të nxehtë, megjithatë unë e shoh si obligim vazhdimin e këtij projekti për më tepër zhvillim, bashkëpunim e mirëkuptim mbarkombëtar.