Ku jemi me gjuhën amtare?

Image
Dritan Mashi

Nga Dritan Mashi. Anëtar i KKAD Itali


Duhet të themi se vënia në praktikë e ruajtjes , funksionimit dhe mënyrës së të dhënit të mësimit të gjuhës shqipe, është një kompleks i ndërlikuar dhe i vështirë, duke patur parasysh që gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të vështira në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Por, duke patur parasysh që në diasporë nuk mund të pretendojmë të hyjmë kaq në thellësi, duhet të përqëndrohemi tek mësimi i gjuhës shqipe si një gjuhë e dytë, sidomos për fëmijët e lindur në diasporë.
Në Itali kemi të bëjmë me rreth një milion shqipfolës dhe fëmijët që frekuentojnë kurset e mësimit shqip nuk i kalojnë 5-6%. Shifër kjo tepër e ulët në krahasim me domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës shqipe. Dëshira është e madhe, por realizimi është në nivele të ulëta. Kjo për t’u theksuar në disa drejtime, për të mos thënë shumë. Deri tani po shohim një “trafik” të rënduar në rrjetet sociale, një publicitet të madh të veprimtarive të shoqatave që ndihmojnë këto kurse, gjë që ndihmon në afrimin e komunitetit dhe ruajtjen e identitetit. Por kjo është pak.
Mësimi i gjuhës shqipe nuk është vetëm paraqitja me koncerte, këngë, valle dhe recitime, por kërkon një përkushtim më profesional, ku profesionalizmi dhe didaktika të mbizotërojnë dhe të jenë të cilësisë.
A jemi vonë?
Asnjëherë nuk është vonë për një gjuhë e cila flitet dhe dëshira për ta ruajtur është e madhe, sidomos kur në vitet e fundit interesi është i pranishëm edhe nga ana e shtetit. Ky bëri të mundur krijimin e QBD, që menjëherë dha rezultatet e punës së saj në projektimin, botimin dhe shpërndarjen së bazës materiale, bashkëpunimin me ministritë e arsimit të dy shteteve shqiptare, krijimin e komisionit të përbashkët për miratimin e teksteve të përbashkëta.
Jemi në një kohë ku duhet të përqendrohemi më shumë tek profesionaliteti dhe metodat, materializimi dhe pedagogjia, tek serioziteti dhe didaktika. Të përqendrohemi tek e folura dhe e shkruara sipas rregullave , ashtu siç mësohet një gjuhë e parë apo e dytë. T’i lëmë si pjesë ndihmëse recitimet dhe këngët, apo publikimet e tyre, si pjesë dëfryese dhe si një ndihmesë, një formë e proçesit mësimor dhe të publikojmë me shumë video të një ore mësimi të plotë, apo një mësimi të hapur të plotë. Të shohin të gjithë nga afër se si jepet mësim dhe si ndiqen rregullat pedagogjike. Me këtë çdo gjë bëhet më interesante dhe më reale, gjë që ndihmon në formimin psikologjik të komunitetit.
Dikur nuk kishim tekste por kishim mësues, tani kemi tekste por nuk kemi nxënës dhe mësues të profilit. Ka dashtë zoti kemi mësues jo të profilit dhe mësimdhënës të nderuar, që kanë dhënë kontributin e tyre shumëvjeçar dhe ndihmojnë çdo ditë në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe identitetit. Por sa do të ketë jetëgjatësi?
Për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë?
Jemi në shekullin e ndryshimeve dhe në të njëjtën kohë po piqen kushtet që edhe mësimi i gjuhës shqipe të jetë më i koordinuar dhe me objektiva të qarta. Mjaft më me nisma personale apo të vetprojektuara. Gjithë këto vite diaspora kërkoi shtetin, vëmendjen e tij, përkrahjen nga ana morale dhe materiale. Dhe shteti, më mirë vonë se kurrë, u përgjigj në mënyrë konkrete. Përveç QBD, u mundësua edhe miratimi me VKM i Këshillit Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), i cili, në bashkëpunim me QBD, do të ndihmojë në mbarëvajtjen, dhe interesat, do të jetë një mekanizëm për organizimin e mësuesve dhe për një bashkim të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Të përqendrohemi tek serioziteti, tek forca jonë e brendshme, të lëmë mënjanë personalizmat dhe të bashkëpunojmë për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës sonë amtare tek fëmijët tanë. T’u lëmë atyre atë thesar të paçmuar që na lanë të parët tanë: GJUHËN e bukur SHQIPE